Ndonjëherë duket sikur ditët tona kanë mbetur të bllokuara në një cikël rutine: zgjohemi,
kontrollojme njoftimet, mesazhet, komentet..lexojmë, bëjmë scroll, lundrojmë ..si një pllakë megafoni e prishur që përsërit një pasazh të vetem prej disa sekondash pa pushim.
Ka ditë që nuk na bëhet asgjë dhe endemi si nomadë nga njëra faqe në një tjetër në kërkim të diçkaje që as vetë s’e dijmë. Duhet ta gjejmë një herë që ta kuptojmë dhe të ndërgjegjësohemi se ishte pikërisht ajo çka po kërkonim.
Por ka dhe ditë të tjera që ndihemi aq të motivuar dhe energjik saqë do të ishim në gjendje “të ndryshonim botën”. Dhe këtu na vjen në ndihmë ai mjetë që për disa mund të jetë
vetëshkatërrues e për disa të tjerë mjet pune: smartphone-i. Disa e konsiderojnë mjet
skllavërues por e vërteta është se ne e kemi në dorë të bëhemi apo jo skllevër të fiksimeve
tona.
Vendimet drastike janë për njerëz ekstrem. Të thyesh smartfonin nuk do t’i zgjidhë problemet e tua lidhur me mos të qenit të organizar, të vetëdijsh për përparësit dhe të paaftë për t’u dhënë hakun gjërave me rendësi në jetë. Ka qindra arsye përse telefonat e sotshëm smart kanë revolucionuar jetën tonë dhe kanë sjellë plot dobi. Mund të lexosh dhe shkruash pa qenë nevoja të ulesh në kompjuter, dhe mund ta bësh këtë në çdo moment dhe në çdo vend. Mund të shikosh një dokumentar, lajme, film apo të dëgjosh një ligjërat fetare apo video motivuese dhe shkundëse të tipit “TedX”, ndërsa pret të përfundojë një nga fazat e proçesit të gatimit. Mund t’i bësh këto edhe duke udhëtuar apo thjeshtë duke larë e ënët, nderë rrobat e pa lënë mangut punët e tjera të shtëpisë. Mund të ndihmosh një shoqe ose të kërkosh ndihmë sidomos në ato raste urgjence kur nuk ke një nënë apo dikë tjetër që mund të jetë i arritshëm 24 orë në shtatë ditë të javës. Si të gatuash një recetë, si të heqësh një njollë, çfarë janë ato shenat që i kanë dalë djalit në fytyrë, si mund të ulet temperatura, çfarë efektesh anësore mund të ketë një lloj ilaçi etj etj.
Kur punoja për një kompani telefonike ndërkombëtare kisha mundësi të shikoja planet tarifore dhe paketat mujore të klientëve: shumica e tyre dëshironin “giga” dhe asnjë nuk kërkonte për mesazhe apo telefonata. Kjo 7 vjet më përpara dhe besoj se një zgjedhje e tillë do jetë theksuar akoma më shumë sidomos me përhapjen e përdorimit të applikacioneve si whats app dhe viber.
Që për një që jeton në kurbet janë një bekim i vërtetë. Jo, unë nuk do ta thyej telefonin tim smart. Jo vetëm se e kam dhuratë, por sepse e kam gjënë më të dobishme për mundësi të reja, për profesionin tim por edhe për të ruajtur lidhjet familjare, farefisnore dhe shoqërore.
Të gjithë e kemi në dorë të vendosim një rregullore për përdorimin e telefonit në shtëpi, njëjtë si
rregulloret e pastërtisë për të cilat as dhe nuk flitet por nënkuptohen, si heqja e këpucëve me të kaluar pragun, larja e duarve etj. Dikush mund të zgjedhë mos t’ja lejojë në asnjë mënyrë fëmijëve, e dikush tjetër me intervale dhe orare të caktuara. Nuk ka chat-ime apo përgjigje postës elektronike me të hyrë në shtëpi. Telefonat duhen bërë pa zile sikur të ishim duke hyrë në një mbledhje, sepse takimi në shtëpi është një mbledhje mes familjarësh, është një takim intim dhe njerëz të tjerë nuk duhet të lejohen të ndërhyjnë, përveç ndonjë “mysafiri” përmes video skype që vjen me leje dhe duke trokitur.
Ju veproni si të doni, unë do vazhdoj ta mbaj celularin smartphone, do vazhdoj ta qortoj veten nëse kaloj më shumë kohë seç duhet, nëse shikoj se kam lënë mangut përgjegjësi të tjera, nëse nuk po veproj sipas prioriteteve të mia. Do vazhdoj t’ja marr nga dora djalit nëse ka tejkaluar orarin e limituar, t’ja tërheq vëmendjen burrit nëse vjedhurazi i hedh një sy edhe kur e merr në tryezën e mëngjesit apo kur darkojmë. Do vazhdoj t’ju përkujtojë mikeshave kur ulemi në kafe “Socialize with people not with social media (shoqërohuni me njerëzit dhe jo me rrjetet sociale)” ose në të kundërt do e zhduk menjëherë në çantë nëse ato do ma tërheqin mua vëmendjen.
Mos e thyej se është “gjynah”, por nëse vërtetë e ke ndarë mendjen shite dhe fali paratë për bamirësi!

Nada Dosti

Nada Dosti

Autorja është themeluesja e Muslimania.al
Nada Dosti

LEAVE A REPLY