Le të flasim pak për “shkelje brutale e të drejtave të grave” pasiqë jam e bindur se nuk e keni pasur mundësinë dhe rastin të flisni “ballë për ballë” me një vajzë muslimane në lidhje me foton që keni huazuar nga miku juaj.

Më lejoni t’ju rrëfej një përjetim personal të ngjashëm me situatën e fotos dhe dixhiturës tuaj! Ishim me pushime me bashkëshortin në Ulqin dhe zbuluam se ekzistonte një plazh posaçërisht për komunitetin musliman dhe vendsëm ta vizitonim. Pronarja e banesës ku bujtëm na dhuroi një çadër që vendasit e quanin shatorr dhe ishte si një shtëpi e vogël e cila të mundësonte të ndërroheshe pa pasur nevojën të gjeje ndonjë banjo publike apo duke i kërkuar treçerekut të familjes të të mbante disa çarçafë për mos t’u ekspozuar gjatë ndërrimit të teshave. “Sa ide gjeniale,” mendova unë ndërkohë që burri im shfryhej nga besdisja për të mbajtur me vete gjithë atë peshë deri në rërë. Ishte një mjet strategjik dhe lehtësues për ne, muslimanet me shami, që preferojmë të mos ekspozohemi apo siç e quani ju të mbulohemi “kokë e këmbë” edhe në plazh.
Po keni shumë të drejtë “ka një mijë mënyra për ta treguar se jam një myslimane e mirë, një grua e mirë, një nënë e mirë dhe një qytetare e mirë” mirëpo persona paragjykues si ju nuk ma ofrojnë mundësinë për ta treguar këtë. Shpesh herë akuzohemi nga shoqëria se ne, muslimanet, jemi ajo pjesë e pa integruar kur, pikërisht kjo pjesë që mendojnë si ju nuk na lejon të integrohemi duke pasur një jetë normale dhe duke zhvilluar aktivitete normale siç janë dhe pushimet bregu detit.
Ju, si pjestar i medieve duhet ta dini shumë mirë, ashtu siç shpreh dhe profesor Milazim Krasniqi se” …mediat as kur raportojnë për këto tema nuk duhet të përdorin gjuhën e urrejtjes në raportimet dhe narracionet e veta, sepse gjuha e urrejtjes mund të shkaktojë pasiguri, ankth, frikë e neveri te qytetarët e zakonshëm, me çka hapet rreziku i tjetërsimit të tyre nga shoqëria dhe nga kultura e vet, gjë që e shton rrezikun e rrëshqitjes së tyre drejt ideologjisë ekstremiste.” Dhe po sipas tij “E sigurt është që kjo mënyrë e trajtimit të problemit është një rrugë e gabueshme, sepse ajo prodhon më shumë frustrim, më shumë tjetërsim …”
E  të mos flasim pastaj për “barazi gjinore”, sepse do të na duhet të flasim për shanse të barabarta, të cilat në këtë shtet mua si femër muslimane me mbulesë nuk më lejohet të punoj në televizionin shtetëror si gazetare apo të jap mësim në shkolla shtetërore, të punoj në administratë etj etj. Dhe si për çudi kjo tema e “të drejtave të grave” nuk hapet kur muslimaneve u mbyllen dyert çdo ditë, u mohohen mundësitë dhe të drejtat deri tek e drejta më themelore: ajo e arsimimit, por hapet gjithmonë në kontekste feminizmash plazhorë.

E meqenëse ra fjala tek feminizmi, edhe më herët e kam përmendur se për mendimin tim ka dy qasje feministe ndaj mbulesës islame: e para një qasje mediokre që sygjeron se femrat muslimane janë të nënshtruara ndaj burrave dhe shamia është rezultat i kësaj, dhe e dyta disi më e sofistikuar, e cila pretendon se feja islame ashtu si dhe fetë e tjera fanatike dhe patriakale e mbajnë femrën të shtypur dhe sado e lirë të jetë femra në zgjedhjen e saj për ta vënë apo jo shaminë gjithsesi ajo mbetet e cunguar nga korniza të paradizenjuara.
Pjestare të dyjave këtyre dy mendimeve jo vetëm që nuk lexojnë por historikun e islamit dhe rolin e femrës muslimane por as nuk llogjikojnë: nëse shamia do të ishte cungim i lirisë së femrës përse atëherë nuk ka cungime të tjera? Përse atëherë kemi femra muslimane në sektorë të ndryshëm duke kontribuar për familjen dhe shoqërinë me aftësitë dhe kualifikimet e tyre si studente, mësuese, doktoresha, biznesmene, shkrimtare, gazetare, avokate, politikane etj? Sipas kësaj llogjike cungimi qenka i kufizuar vetëm në një aspekt: shamia!
Në fakt, i vetmi cungim dhe shtypje që i bëhet femrës mulimane me shami vjen nga shoqëria dhe ata njerëz që nuk e pranojnë diversitetin si vlerë. Nga ata njerëz, për të cilët liri dhe tolerancë do të thotë të jesh siç duan ata, e jo siç zgjedh ti të jesh.
Asnjë nga këta nuk i ka dhënë ndonjëherë rëndësi “zërave” dhe vullnetit të muslimaneve që bëjnë thirrje vazhdimisht për të drejtat e tyre për t’u pranuar në shoqëri për atë që janë, pa u diskriminuar. Levizjet feministe duhet ’u bashkohen femrave muslimane në protesta apo përpjekje të tjera për të kërkuar të drejtën për shkollim dhe punësim. Të drejta që nuk u mohohet as nga feja e as nga “dhuna” e burrave, por nga ajo pjesë e shoqërisë që nuk njeh tolerance.

Muslimania.al

LEAVE A REPLY