Nga pikpamja e traditës islame, koncepti universal i dijes shihet si mbizotërimi i të shenjtës kundrejt profanes. Vlera e marrjes së dijes matet pikërisht me këto dy etalonë. Mirëpo kjo nuk do të thotë se leximi i librave letrarë është në kundërshtim me parimet fetare. Ekzisotjnë disa argumente që nxisin largimin nga e kota dhe fjalët boshe, përqëndrimin tek përparësitë tona në këtë botë etj. Mirëpo nuk ka argument në mënyrë specifike që të komentojë si të ndaluar leximin e romaneve dhe novelave, sidomos të llojt trillim/fantastiko-shkencorë.
Që nga emri, nisemi me paragjykimin se çdo gjë që këto lloj librash përcjellin janë vetëm humbje kohe, kotësira dhe mbi të gjitha mashtrim. Përtej kësaj mënyre të llogjikuari, nuk duhet mohuar fakti se në këtë lloj letërsia mjaft dobi: nxit leximin në pëgjithësi por jo vetëm, nxit dhe kultivon dëshirën dhe aftësinë e të shkruarit, ushqen imagjinatën dhe si rrjedhojë kreativitetin, krijimtarinë dhë ndryshimet në të gjitha fushat që mund t’u interesojë muslimanëve.

Të ndihmon të përvetësosh metoda të veçanta dhe origjinale të të rrëfyerit nga këndvështrime të ndryshme që mund të përdoret në këtë rast për të luftuar stereotipe dhe për të nxitur dialog. Gjithashtu mund të ndihmojë edukatorët (prindërit, mësuesit, trajnuesit, hoxhallarët, etj,) që të përvetësojnë metoda të reja pedagogjike të cilat nxisin mendimin kritik, komunikimin, risinë dhe të nxisin për metoda të cilat të vënë në pozita për t’u vënë në pozitën e tjetrit pa paragjykime. Koncepte islame mund të analizohen nga këndvështrime të ndryshme duke përdorur diapazone të ndryshme. Kështu, koncepti i Israsë dhe Mirazhit i cili mund të interpretohet me nocionin e të udhëtuarit në kohë siç rëndom ndodh në librat fantastiko-shkencorë që në fund të fundit nuk është gjë tjetër vetëm se një ritual që të çon drejt një udhëtimi shpirtëror, si përshembull Liza në botën e çudirave nga Lewis Carroll apo Alkimisti nga Paulo Coelho.
Përsa i përket edukimit të vetes, kjo lloj letërsie të ndihmon të kuptosh apekte psikologjike, kulturore për të njohur tjetrin (kultura dhe tradita të ndryshme) më mirë. Duke u njohur më mirë gjenden dhe kanale komunikimi më të shëndoshë.
Nga ana tjetër, falë teksteve të ndryshme si ajete apo hadithe, muslimanët nxiten që herë pas here të kërkojnë, të mendojnë thellë, të meditojnë dhe analizojnë çdo gjë që i rrethon. Sociologu Enes El-Sheik argumenton se dija, arsimimi dhe të nxënit tek muslimanët forcon vlera si humanizmi, morali, qytetaria, bashkëjetesa, eliminimi i racizmit dhe diskriminimit, pranimi i “tjetrit” dhe të gjitha këto shkojnë bashkë me aftësinë për të menduar në mënyrë kritike.” Por dija mund të gjendet kudo, jo vetëm nëpër libra të profesionit apo libra fetarë.
Si mund ta shpjegojmë arsyen e rritjes së islamofobise në botë? Si ndërtohen paragjykimet ndaj muslimanëve? Si krijohet dhe zhvillohet një propagandë e caktuar? Si të mbrojmë dinjitetin e muslimanëve nga hedhja baltë mbi imazhin e tyre? Si të kuptojmë dhe të debatojmë për fenomene që na prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë?
Mjafton të lexohen autorë nga vende islame apo vende të Lindjes së Mesme që shkruajnë për një audiencë perëndimore si Orhan Pamuk, Hanan Al-Shaikh, Marjane Satrapi, Soheir Khashoggi, ose autorë perëndimor që shkruajnë për muslimanët apo vendet islame si Jean Sasson apo një ndërthurje e të dyja mundësive si Khaled Hosseini, Elif Shafak etj.

Ndërsa ndër shembuj të letërsisë islame bashkëkohore kemi rastin e G. Willow Wilson, një amerikane e konvertuar në Islam, e cila shkruan romane me ilustrime. Libri i saj “Buterfy Mosque (Xhamia Flutur)” është një përshkrim i mrekullueshëm jo vetëm i rrugëtimit të saj drejt Islamit por edhe drejt kulturash dhe traditash të reja dhe të panjohura për të. Ky libër përveçse çdo faqe mund të konsiderohet si një ese më vete, të rrëmben aq shumë dhe të mundëson ta njohësh Egjiptin dhe Iranin në një këndvështrim ndryshe duke të motivuar që një ditë këto destinacione të jenë në listën tënde të udhëtimeve.
Përmes librave të saj Willow flet dhe bën thirrje për tolerancë, mirëkuptim midis kulturave, Hedh poshtë paragjykime dhe stereotipe, promovon diversitetin, por mbi të gjitha, përqendrohet tek roli i femrës në islam dhe ajo që mund të quhet feminizëm musliman.
Do duhet kohë që të vlerësohen siç duhet lexime të tilla dhe dobia e tyre. Ndoshta, që ta nxisim atë duhet të vëmë theksin te lidhja midis fantastiko-shkencores dhe shkencores, trillimit dhe realitetit. Ndoshta një rritje e interesimit ndaj fantastiko-shkencores mund të rrisë interesimin ndaj shkencës, gjithashtu ineteresimi ndaj trillimit mund të rrisë interesin ndaj realitetit që ka kapluar shoqërinë tonë.

Nada Dosti

Nada Dosti

Autorja është themeluesja e Muslimania.al
Nada Dosti

LEAVE A REPLY