Nga Entela Hidri

E ndjeja ndryshe shpirtin tim, ndryshe stisur, shtruar e s’e di si? Një tjetër unë që hynte brenda meje për të qenë një tjetër njeri, më i mirë, më i dashur e më i afërt e me duar që zgjatën.

Ulur në dritare po mendoja. Edhe pak orë na ndajnë nga nisja e këtij muaji të Bekuar. Më beso vetja ime, çdo herë është një herë e re edhe pse janë plot 25.

Eci ne një rrugë pa askënd, nuk më nevojitet askush, ka çaste ku edhe veten mund ta lë diku, sepse më duhesh vetëm Ti, Frymëkrijues.

Rreshket shpirti në çapet e dynjasë dhe lehtësuar më është brenga, kur ti vjen Ramazan.

Ja të ndjej, këmbëzbathur me një valixhe në dorë, ma vendos në cepin e shtratit dhe e le aty të hapur, për të vendosur punëmirat dhe lutjeshumëtat në sexhdezgjaturat net.

Lot rrjedhin, sepse dëshpërimisht dua paqe, qetësi, falje, mëshirë. Dua jetë të qetë dhe të paqtë, nga kjo ngarendje e pandalshme, me mblidhet filli i jetës e shumë pak ngjyra të çelëta mundem të shoh.

Ti je Falës e mes gishtërinjve të lutjeve të shpirtit, ndjej paqen e trëndafiltë që më cek thellësisht. Kokën e ul në puthjesexhdet falëse, aty loti e ka fjalën e artë e unë rendës i paqtë heshtem e mekem dashurishteruar.

Ja duart, në magjinë e të gatuarit përpiqen të ecin e buzët pëshpëritin lutje dhe adhurime.

I Lartësuar qofsh e Falënderuar qofsh, që ardhur përsëri e pashë Ramazanin!

Po vishemi me nxitim, e ëmbla thirrje pranë Zotit na thërret.

Eja të shpëtojmë së bashku në paqe, ejani, ejani!

Dhe namaze të zgjatura në shkurtësinë e matjes së zemrës na presin.

Fjalën tënde o i Lartësuar, zbritur për në krijesa të vogla e të brishta e morëm, e kuptuar kemi se fjala e dashurisë zbret për atë që dashurisë bërë shteg i ka në zemër.

Përqafime e prekje duarsh, e mall për lotin tënd Ramazan kemi.

Mall për përmendje dhe veçim në skuta ku askush të ishte s’mundi veç Teje.

Jemi shumë, Zot, mëshirona! Jemi pak, na mëshiro përsëri, e na paqto zemrat gabimtare që mëshirë u dhe të kthehen te ty përsëri!

E ditët ikin, e ikin orët qe na sjellin mirësi e falje. Ehh, mor Mëshirëshume që sjell për ne Ramazane pastrimfaljeje dhe na ruan të pastër për Xhenetet e tua shpërblimpaqta.

Syri nuk ka më shikim, ai ka vetëm kërkesa për 2 botë. Loti është fjala dhe belbëzimet janë jehona të shpirtit, e klithmat i dëgjon vetëm errësira e natës. Errësira e dritës, ajo e paqes, ajo e Ramazanit.

U ndal ushqimi, u ndal pirja dhe goja u qetësua me përmendjen e Zotit, e zemra u përtëri, trupi u rinua, kurse mendja ndali se menduar ligësisht.

Ik mik, në cepin e shtratit ke të palosa lutjet, kërkesëfaljet, namazet dhe leximet e Kuranit. Ne cepin e shtratit e ke valixhen e mbushur përplot me shpresa lutjesh për kader, përmirësim, mirësi, haxh, fëmijë te paqtë e shumëçka, palosur aty ke edhe mallin për ty. Mbaje mirë, askush s’e merr dot atë që ty ta jap me bindje.

Ik mik, e nëse s’më gjen më kërko, e nëse s’më gjen përsëri do e kem lënë këtë derëbrengash për në takimin me të mirën. Për në takimin e Burimit dhe Dhënësit të shpirtit. Takimi i bardhë dhe i shpresuar. Do kem ikur Ramazan, e në shtrat më s’do mundesh të lesh valixhen e zbrazur, andaj merri ato që të jap sot, edhe ty të merr malli për ata që duhen për hirin e Tij, edhe ty të merr malli për…

Rreshtuar e kapur nga dora më të mirat mike, ato që do t’i kem edhe në amshim, e nëse s’i gjej, do i kërkoj te Ty o i Dashur, e nëse s’më gjejnë edhe ato do të më kërkojnë, se për hirin Tënd të Ndritur u deshëm dhe u njohëm në botën e ashpër.

Eh Resulilah, këshillat e tua më vinë në këtë muaj. Me duket sikur një çast e kam jetuar pranë teje. Symbyllur kujtoj brengat e sakrificat që unë të gëzoj fenë hyjnore dhe udhëzimin e dritës. Për ty lutem, për familjen tënde të mirë e për miqtë e tu që syri s’i pa, por zemra m’i nderoi aq shumë.

Ik Ramzan dhe mos harro, mua nuk më shkon dëm asnjë lot mallëngjimi nga zemërkullimi i brengave. Te Ai e gjej çdo kërkim mirësishprese, te Ai e gjej!

Pranuar qofsh Ramazan, pranuar qofshi dua që niseni drejt qiellit, pranuar çdo namaz e sexhde, çdo lexim germash, çdo sadakadhënie, çdo përmendje e adhurim, pranuar qofsh muaji i zbritur për të falur, përmirësuar, e mëshiruar!

Shkroi: Entela Hidri

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.