Të shkruaj sot mbi një vendim të marrë para 20 vitesh, është sa emocionues aq edhe reflektuese do të thoja. Është reflektues sepse njeriu sëbashku me ndodhitë që jeton përgjatë gjithë kohës që merr frymë, rritet, mëson, hap dritare të reja. Ndoshta edhe mund të thyhet ndonjëherë por me thyerjet ai forcohet. Sepse sërish, koha është ajo që më së miri na mëson se pas shiut del ylberi, pas territ të natës lind dielli e ngroh cdo ftohtësi, pas dimrit të acartë vjen pranvera me lulet që celin sythë të rinj. Ndaj për mua si individ ashtu sic ka rëndësi momenti kur unë ja dorëzova veten Zotit dhe ju binda për të kryer obligimet fetare të Islamit, aq e rëndësishme është dhe rrugëtimi apo përgjegjësia që kam patur mbi shpatulla. Besoj se ne si besimtarë nuk ecim vetëm. Në njërën anë kemi Zotin si shoqëruesin tonë të pandashëm, në anën tjetër kemi dëshirën e mirë për ta përfaqësuar sa më denjë këtë fe, sepse në një farë mënyre jemi  përcues të mesazhit Islam. 

Fillimet e mia me Islamin lidhen me fëmijërinë.  Une vij nga një familje tradicionalisht muslimane, e cila edhe në kohë të komunizmit nuk e humbi besimin në Zot. Isha 9 vjec kur fillova të fal namazin, pastaj vazhdova studimet në një shkollë (Medresenë e Tiranës) ku fryma Islame ishte prezente kudo.  Në familjen time gjyshja ime nuk i hiqte kokrrat e tespies nga dora. Ajo  cdo ditë, ulur apo shtrirë 5 herë në ditë bëntë dhikër me fjalët “Elhamdulilah – SubhanAllah- Allahu Ekber”. Prindërit po ashtu ishin besimtarë edhe ishim mjaft të familjarizuar me ritet fetare, me festat, me obligimet si namazi apo agjërimi.

Të flas për mbulesën do të thotë të flas për vetë qenien time, sepse për mua ajo nuk është diçka shtesë, por përfaqëson atë çka unë jam dhe besoj. Isha vetëm 13 vjeç kur vendosa ta kryej këtë obligim. Pra, në njëfarë mënyre, unë jam rritur me të. Erdhi cdo gjë shumë natyrshëm, e bindur në hapin e marrë dhe jam rritur me këtë besim e manifestim veshjeje. Ajo është bërë një pjesë e pandashme e imja, pa të cilën nuk mund ta imagjinoj veten asnjë sekond. Një rol të madh në vendimin e mbulesës ka patur mamaja ime, e cila ishte dhe e para nga familja që filloi të praktikonte Islamin. Roli i saj ka qenë shumë delikat dhe i sofistikuar.  Nuk më kërkoi kurrë të falesha apo të vendosja shaminë, përkundrazi më kërkonte të mendohesha mirë para se të hidhja një hap të caktuar. Por, unë vetë duke patur atë si shembullin më të mirë më tërhiqte drejt vetes si magnet. Dhe ashtu veprova, u mundova të eci nëpër gjurmët e saj. Ditën e vendosjes së shamisë e kujtoj shumë qartë. Në fakt ajo ditë bën pjesë në atë grup të ndodhive speciale dhe shumë të ngarkuara emocionalisht të jetës time. Gjatë jetës sime vajzërore mendoj se kjo ka patur ngarkesën më të fortë shpirtërore. Një natë para më kaploi një konfuzitet, sikur isha përhumbur në labirinthe e rrathë koncentrike dhe kërkoja rrugëdaljen. Qëndrova e vendosur, Ishte një vendim i konsoliduar, i mirëmenduar aspak i nxituar, ndaj nuk lejova cytjet e nefsit të më kthenin mbrapsht nga ajo rrugë në të cilën isha nisur tashmë. Ndjeva sikur me hodhën një mantel krahëve dhe retë e mjegullta po daraviteshin e po i linin vend qartësisë kaltërore.

Dita kur vendosa shaminë ka qënë ditë Marsi, e ngrohtë me një fllad pranveror që frynte lehtas dhe e ndjeja se shpirti im atë ditë do të pushtohej nga një agim i ri. Shumëngjyrësh!

Shaminë e vendosa në prani të disa mikeshave dhe patëm një ceremoni të vogël festive. Më vonë, atë pasdite  u nisa për në shtëpi. Zyrtarisht ishte edhe hera e parë që unë ecja e mbuluar me shami në rrugët e Tiranës.

Ishte e mrekullueshme! Një ndjesi të cilën asnjë fjalor apo togfjalësh poetik nuk mund t’a përshkruaj plotësisht. E ndjeja veten sikur isha cliruar nga cdo rëndesë graviteti, e rrethuar nga trëndafilë plot aromë, cicërima e zogjve ishte melodia e  shpirtit im. Më dukej sikur cdo njeri më shikonte mua dhe më fliste me një gjuhë; besim-shpresë-paqe-lumturi.  E vetmja dëshirë ishte që ato ndjesi të qëndronin me mua gjithmonë, ajo mirësi e dashuri të më shoqëronte tërë jetën.

Dhe vërtet qëndroi! Ajo  paqe e lumturi shpirtërore  më ka shoqëruar përgjatë këtyre viteve. Kjo ka bërë që të mos i ndjej kurrë pengesat që mund të lindnin prej saj.  Nuk më shetësonin as talljet apo të folurat pa edukatë në autobuzë apo rrugë. Më kujtohet se vitet e para,kur  isha fëmijë më flisnin shpesh në ambjente të ndryshme njerëz të panjohur, si dhe më pyesnin: Pse je mbuluar? Ka patur raste dhe kur mund të talleshin, por cuditërisht nuk e pata kurrë problem. Kur më pyesnin e konsideroja si një mundësi të mirë për t’i prezantuar edhe  ata me besimin tonë.

Nga ana tjetër, duhet të pranoj me kënaqësi se të studiuarit në Medresen e Tiranës për plot 8 vite dhe më vonë vazhdimi i studimeve në Malajzi (një vend kryesisht musliman), më ka ruajtur nga shumë sprova që mund të kenë kaluar motrat e mia në besim. Sprova punësimi apo edukimi.

Jo vetëm kjo, por edhe përfshirja në aktivitete fetare si në Shqiperi apo më vonë në Malajzi me organizata të ndryshme më ndihmonte të isha më e qetë nga ana fetare, më pranë motrave tona të cilat edhe pse jetonin në shtete të ndryshme ecnin në të njëjtin rrugëtim si ne kur kishte të bënte me anën fetare.Të jetuarit në Malajzi dhe tani në Turqi, kontaktet e shumta me vajza nga e gjithë bota dhe me fe të ndryshme më ka shtuar dashurinë për atë cfarë ne përfaqësojmë dhe besojmë.  

Shamia po ashtu  nuk më ka privuar në marrjen e dijes, as në formimin tim profesional, as në ndërtimin e familjes e as në pjesëmarrjen në aktivitete të ndryshme, qofshin ato sociale apo kulturore.

Shamia nuk më ka penguar as në shpërfaqjen time në pasionet që mund të kem. Në fakt besimi është një burim frymëzimi në jetën time të përditshme. Ai më shoqëron edhe kur projektoj ndërtesa, tek dëshira për t’i ofruar individit dhe qytetit më të mirën të mundshme, ambjentin më të dobishëm. Shpesh në punën time të përditshme i kujtoj vetes se e bukura që na rrethon është krijim i Zotit. Raporti estetik që gjendet në çdo qenie dëshmon përkryeshmërinë e Tij. E njejta filozofi ndjehet dhe në krijimet letrare, në poezitë apo pikturat.

Prania e Zotit është një element i qenësishëm i vetë egzistencës. Nuk arrij dot ta shoh veten të ndarë nga feja (besimi) apo t’i ndaj në kategori; jeta personale në këtë reth,  arkitektura në këtë rreth, poezia në këtë rreth dhe Islami në këtë rreth tjetër.  Jo më kot e pohojmë shpesh se Islami është mënyrë jetese, ndaj është e përditshmja jonë, është marrëdhënia familjare, shoqërore, sjellja më të dobëtin, dashuria për dikë, është tek edukimi i fëmijë, tek ndërtimi i njeriut të vlerave,  është në krijimin ku ne si arkitektë apo poetë gjejmë frymëzimin (natyra, përëndimet, ngjyrat, drita, lulëkuqet).

Në fund më mbetet vec lutja drejtuar Zotit, që ta pranojë prej meje këtë akt, dhe të më ndihmojë për t’a përcuar mesazhin e Tij gjatë gjithë jetës time.

Selam dhe paqe të përzemërta nga motra juaj në besim,

Brunilda Basha

Tetor, 2020

Stamboll

Brunilda Basha

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.