Chaimaa (Shejma) Fatihi 24-vjeçare italiane me origjinë nga Maroku është studente në fakultetin e juridikut, në Universitetin e Modenas dhe njëkohësisht është anëtare e Forumit të të Rinjve Muslimanë. Para dy vitesh, në nëntor të vitit 2015, pas masakrës në Paris, letra e saj e hapur dedikuar ISIS-it u publikua nga Gazeta La Repubblica dhe prej asaj letre lindi dhe libri: “Nuk do të na merrni kurrë”. Pa dashur, shndërrohet kështu në një pikë referimi dhe një mikeshë ku muslimanet e tjera mund të shfryhen dhe të ngushëllohen. Studentja, i mbledh kështu të gjitha rrëfimet duke i shndërruar në një ditar.  

Për shembull, Jasmina është 20 vjeçe dhe studjon infermieri dhe po bën stazhin në një poliklinikë. Në një mesazh të gjatë që i ka dërguar Shejmës tregon: “Javën që kaloi u paraqita tek shtëpia e një pacienteje dhe pa hapur gojë e pa thënë akoma“mirëmëngjes” zonja më sulmon duke ulëritur e ofenduar. I përgjigjem se dhe unë jam italiane, kam lindur këtu dhe nuk ka asgjë të keqë pse jam muslimane. E megjithatë, ajo më urdhëron që mos të paraqitem më për vizita në shtëpinë e saj. Megjithatë, kjo ndodhi nuk më stepi, përkundrazi më motivoi akoma më shumë që t’i jap forca në studimet e mia dhe në jetën time profesionale.”  

Haifa, një tjetër vajzë, tregon se kur shkoi një ditë në bankë me nënën e saj me shami, një nga punonjëset tek sporteli shfryu duke përshpëritur: “O Zot, terroristja islamike!”. Raja tregon se kur ka qenë në shkollë të mesme e quanin “goca e Bin Ladenit” dhe se një djalë i klasës ia kishte hequr shaminë m’u në sy të të gjithëve. Dhe jo vetëm aq, një herë kur ishte në bashki duke pritur në radhë,  një i moshuar e pyet se nëse në bark në vend të një bebi ka fshehur ndonjë bombë.  

Ines rrëfen se në gjatë një interviste punë përgjegjësi i kishte thënë: “Nuk mund të të punësojmë sepse nuk ofron një imazh të mirë për kompaninë, por nëse do mund ta heqësh.” Nada, një italiane e konvertuar në islam, merr vahzhdimisht mesazhe kërcënuese dhe ofenduese në Facebook të cilat ia ridërgon Shejmës: “Të të vijë zor, gjyshërit e t’u do jenë duke u përpëlitur në varr nga kjo tradhëtia jote e ndryshimit të fesë”.

Ndërsa Shejma në lidhje me raste të tilla tregonse për të është një zhgënjim i madh të dëgjojë histori të tilla. “Të gjitha vajzat të cilat më ankohen janë italiane dhe dhimbja e tyre më e madhe është të ndjerit të huaja dhe jo të pranuara në vendin e tyre. Janë ngjarje që përsëriten; zhgënjim..  dhimbje.. Shenja që mbeten gjatë gjithë jetës. Pas sulmeve terroriste, të shkaktuara nga njerëz që nuk kanë të bëjnë aspak me islamin dhe mësimet e fesë, situata po përkeqësohet për ne çdo ditë e më shumë. Sikur të ishte faji ynë për çdo gjë që ndodh në botë në emër të islamit dhe faji sepse jemi thjeshtë disa vajza muslimane italiane.”

LEAVE A REPLY