Nga Albana Muja

Vitet e demokracisë në Shqipëri kanë rrjedhur shpejt, duke lënë siç e do edhe rregulli i jetës: gjurmë e shenja; plagë të hidhura por dhe kujtime të bukura. I tillë është rrugëtimi njerëzor, asnjëherë autostradat dhe kufinjtë nuk janë pa trarë që të mund të të ndalojnë edhe pa shumë qejf para tyre për t’u treguar dokumentet dhe pa të treguar atë cakun se këtu duhet të stoposh pak …. se ka diçka që ta pengon hapin e shpejtë, ritmin e shpenguar. Kështu, risitë që sjellë njëri apo tjetri në jetë bëjnë ndryshimin, risitë që sjellin qeveritë nga njëra- tjetra sigurisht që bëjnë diferencën. Shumë prej ndryshimeve në qytetin tonë të Tiranës nuk kanë kaluar pa u vënë përpara stepjeve të tilla duke u stërmunduar për të kuptuar, se ky qytet është gjithashtu edhe i të gjithë qytetarëve apo jo?. Ndryshimet na bëjnë të ndjehemi në udhëtim dhe eksplorim dhe askush deri këtu nuk do të ishte kundër. Kur ndryshojmë fare pak nuk është se bie në sy detaji, por kur ndryshojmë qendrën tonë, sheshin, patjeter që ngrihet i madh e i vogël për t’i vënë kurorën ndryshuesit ose diçka e kundërt me këtë. E marrim të mirëqënë se jo çdokush nuk pati fjalë për t’i shtuar xhunglës së krijuar në mesin e qytetit tonë dhe tepsisë prej pllake me një kupë në mes. Me hapjen e këtij sheshi, dolën në pah shumë prej aseteve që çdo shesh i çdo qyteti krenohet me to, fton, pret dhe përcjell vendas e të huaj si në një shtëpi ku më të mirën tonë kemi hollin e pritjes. Po ky shesh prej vitesh ka qënë dhoma e pritjes edhe për besimtarët muslimanë që festonin ditën më të bukur të tyre: festën e bajramit. Shumëkush me një memorie jo të lodhur e mban mend tymin që nxorën fytet e atyre që folën se kjo turmë e stërmadhe besimtarësh pa dashje, u mbulua i tërë sheshi, ndër të tjera edhe statuja e heroit Skenderbe. Nuk pati oxhak në media kryesisht, që nuk emetoi tym e pluhur ku përveç oxhakut nuk u ka ngelur as holl e as odë e mirëfilltë për ta.

U fol e përfol shumë … se dhimbja për heroin qe e madhe. Nuk zgjati shumë dhe po ai shesh, tepsia me kupë në mes u kthye në mejhanen më të çuditshme që mund të kishim parë, ku tymoste qoftja dhe ku parfumoste derri i pjekur dhe i gjallë. Na panë sytë edhe kështu, paradë vulgare pas një birre që mund të kapnin rinia jonë falas, por fatmirësisht qe ditëshkurtër. Nuk shkoi gjatë dhe ky shesh u zaptua më së keqi nga dhoma të errëta të reklamash që xixëllojnë vetëm natën. Një operacion gati mafjoz i të bërit lekë dhe reklamë në mes të tepsisë përfaqësues i vetëm disa kategorive njerëzore, ndërsa pjesa tjetër i duhet të gjejë cepat e lënë bosh për të gjetur rreng ku të kalojë për në punë, për në hall apo diku tjetër. Edhe diçka… duhet të jemi të drejtë… harruam terrenin e stisur të volejbollit, ku luajnë tre veta dhe zihen 30 të tjerë. Çuditemi kur në një kohë kur shtohen ujqër, përse shtohen edhe delet … se normalisht i bie të jetë e kundërta…. O njëra palë ose tjetra duhet t’ia mbathë për më larg sepse për asnjërin nuk ka vend në qytet, duke qenë se nuk vuajmë as për faunë dhe florë. Askush nuk foli më, për përçudnimin që iu bë sheshit pas bajramit e më tutje. Asnjë fjalë, asnjë kanal televiziv, asnjë kanal mendimi përveçse përrenjve psiqikë me derdhje të shkurtër deri në statuse facebook- u dhe vetëm kaq. Sheshi u bë përshesh dhe askush nuk e vë re parashetesën e tij për t’u vënë pak në momente reflektuese: përsë u mjaftua me faktin se besimtarët nuk e kuptuan se ajo ishte kapje pas një fijeje për të shpëtuar nga lumi që kish përmbytur argumentet e forta analistësh ndoshta në kërkim të honorareve të premtuara e të pamarra. Përse… mendohet se nuk u kuptua aq gjë?

LEAVE A REPLY