Çfarë ka që nuk shkon në monetarizimin e shamisë dhe figurës së femrës muslimanes nga  kompanitë e mëdha të modës (fashion industry).

Si fillim, këtu duhet sqaruar mbi të gjitha se ekziston një dallim midis firmave/kompanive modeste të modës Islame të pilotuara që në gjenezë nga muslimanë dhe fashion industry-së tradicionale të modës. Të parat, që në fillimet e tyre kanë pasur jo vetëm qëllimin e implementimit të fitimit me anë të ekonomisë hallall por edhe kujdesin ndaj figurës së femrës muslimane, duke ndërthurur talentin prej stilisti/e në shërbim të paisjes së saj me alternativa Islame në veshje.

Ndërkohë, industria ndërkombëtare e modës me firma të njohura si Dolce & Gabbana, Nike, Macy etj.,  kanë vendosur të hapin degë të posaçme në koleksionet e tyre për të kapur tregun dhe fitimet që ai jep pasi kanë analizuar shifrat marramëndëse të fitimeve kolosale që mund të garantojnë në kapjen e ‘tregut të femrave me shami’.

Ky dualitet karakterizohet nga njëra anë nga dëshira për përfitime ekonomike, por edhe nga ndjenja fetare dhe dëshira për të përmbushur nevojave për veshje modeste. Ndërkohë që nga ana tjetër kemi firmat globale të cilave u intereson vetëm fitimi, pa marrë parasysh shumëçka nga modestia e veshjes islame.

Ndërkohë, përballë disa firmave të drejtuar nga muslimanë qëndrojnë mega industri mode të cilat janë krejtësisht të nxitura nga materialiste. Pra, qëllimi i tyre është marrja e fetës së tregut të femrave me shami, parave të tyre, dhe asgje më shumë. Në këtë mes, qëndrojmë ne, muslimanët dhe konsumatoret e modës modeste që kemi për obligim fetar të kujdesemi për fluksin e parave tona për të cilën do të japim llogari përpara Allahut. A mundet kjo të paraqitet si një subtilitet embrional i një çështje midis hallallit dhe haramit në drejtimin e parave tona tek të parat dhe jo tek të dytat?

Por cilat janë mjetet që përdor industria e modës për të hyrë në një treg i cili më së shumti vepron në bazë të etikës fetare? Si munden ato të kapërcejnë barrierat kulturore dhe ndjenjën e mosbesimit që kanë femrat me shami kundrejt firmave kozmetike apo të veshjeve që janë diametralisht kundër çdo filozofie të spiritualitetit Islam? Llogjika e këtij tregu evidentohet në dy fenomene: tek shfrytëzimi i figures së fashionistave në rrjetet sociale dhe  tek llogjika Neo Liberale e zhvillimit të ekonomisë.

Fashionista “muslimane”

Kjo figurë ultra moderne e vendos veten në funksion të mikro-marketingut të drejtëpërdrejtë duke krijuar një treg që më parë nuk egzistonte. Janë personazhe të cilat përdorin imazhin e tyre për të krijuar permbajtje online me qellim që të tërheqin sa me shumë ndjekës. Numri i madh i këtyre të fundit, bën që firmat e interesit t’i kërkojnë të sponsorizojnë produktin apo shërbimin që ofrojnë. Personazhi krijon përmbajtje foto ose video ku “ben sikur rastesisht” i ra në dorë produkti ose sherbimi që reklamon. Po në rastin e fashionistave me shami të cilat rezultojnë të kenë akses masiv në tregun e femrave muslimane pikerisht për shkak të miliona ndjekësve në të gjithë botën detyrohen të shfrytëzojne nje linjë të hollë midis principeve Islame dhe llogjikes së markës që po reklamojnë.

Të tillë duhet t’i përgjigjen pritshmërive të “pronarit” dhe natyrisht që s’kanë detyrime ndaj ndjekësve të tyre as t’u mesojnë fenë dhe as t’u mësojnë veshjen islame të pranueshme tek Zoti. Të paktën kjo duhet të jetë e qartë për çdokënd që i simpatizon dhe i ndjek këto personazhe pa filtrin e llogjikës. Në rrjetet sociale prej vitesh tashmë, po rritet kjo ushtri e madhe e këtyre femrave me shall në kokë të cilat pretendojnë se po ushtrojnë kreativitetin e tyre në aspektin e gardarobës, me anë të blogjeve, kanaleve në YouTube apo dhe medetit Instagram duke reklamuar pa fund kinse stilin e tyre personal madje dhe opinionet e tyre fetare një morie të jashtëzakonshme ndjekësish! Kjo, na shitet si një burim “frymëzimi” për muslimanët dhe nga muslimanët të cilat pretendojnë të shkrijnë stilin e tyre personal me besimin fetar. Ajo çka është më negativisht interesante është se disa prej këtyre “yjeve” i shesin këto miliona ndiekës të tyre nga e gjithe bota tek firmat e mëdha kozmetike dhe të modës për t’u bërë  reklamues dhe zëdhënës të tyre tek kjo skutë tregu (Niche). Kjo, është kthyer në një mundësi e artë për të arritur tek tregu i femrave muslimane pa asnjë barrierë thjeshtë duke marrë si partner këta influencera që pretendojnë të mbajnë flamurin e shamisë në rrjet. Jo vetëm kaq, por  dhe ideja e dikurshme se disa Brande/Marka për shkak të lidhjeve të tyre të dyshimta me faktor anti-Islam nëpër botë duhen bojkotuar dhe shmangur nga muslimanët po venitet sepse ato  kanë “perfshire” femra me shami në gjirin e tyre në një kohë kur islamofobia gulçon. Po ne a do të gënjëhemi?

Neo Liberalizmi

Po ç’lidhje ka Neo Liberalizmi në de-islamizimin e veshjes së femrës me shami nga industria e modës nëpermjet këtyre personazheve?Vetë kjo forcë kaq e fuqishme shtytëse e ekonomisë moderne, e sheh konkurencën si karakteristikë kryesore në marredhëniet ndërnjerëzore. Ajo, e kthen figurën e individit duke e konsideruar atë vetëm si një “konsumator” ku liria dhe demokracia në zgjedhjet e tij shprehen më së miri në shitje dhe blerje. Ky proçes përkthehet për faktorët ekonomik si i tillë që shpërblen meritën dhe dënon mos efikasitetin. Sa i përket muslimaneve dhe shfrytezimit të tyre ekonomike, vetë Neo Liberalizmi paraqet rezikun e asimilimit të vlerave si një iluzion për çlirimin e femrave duke përdorur pasiguritë e njerëzve dhe dobësitë e tyre. Ai operon si islamofobia: nëse islamofobia përjashton muslimanët, Neo Liberalizmi i “perfshin” ato por me kusht që të sakrifikojnë identitetin dhe vlerat e tyre në favor të ofertës së tregut. Në kuadrin konkret për të cilin po flasim muslimanët (lexo: fashionistat “muslimane”) duhet t’i përshaten këtij tregu duke sakrifikuar kulturën, etikën dhe fenë e tyre në mënyrë të tillë që të duken të pranueshme nga industria dhe me pas nga vetë shoqëria. “Modernizimi” ose përdorimi ekonomik i femrës muslimane tentohet të kamuflohet me idenë se ajo tashmë po bëhet emblema e luftës kundra Islamofobisë duke paraqitur një  Islam të butë dhe të bukur por me kusht që të dal nga vetvetja dhe nga normat e saj morale për t’i pëlqyer sa më shumë shoqërisë. Me pak fjalë, këto personazhe në logjikën Neo Liberale transformojnë imazhin e femrës me shami për t’u përshtatur në shoqëri dhe për t’u përfshirë në industrinë e modës. Siurisht me kostot më të larta që mund të imagjinohen: hyrja në kategorinë e femrave që Profeti a.s i ka konsideruar të veshura por të zheshura.

Përse ka interes nga firmat e medha në tregun e modës modeste?

A e kishit imagjinuar që muslimanet (femrat muslimane!) do të shpenzojnë për veshjet  500 MILIARD DOLLARË
brënda vitit 2019?! Me parashikimet e rritjes së shpejtë demografike të muslimanëve në vëndet ekonomikisht të rëndësishme kjo shifër parashikohet të rritet në mënyrë konstante dhe marramendese. Qarkullon një iluzion se  nëse ne paguajmë para për veshjen tonë në drejtimin e duhur pra në industritë gjigante të modës ndërkombëtare, atëherë do të kthehemi në faktor që ka peshë ekonomike dhe për pasojë do të bëhemi të rëndesishëm. Në rastin e muslimanëve, jemi po aq të rëndësishëm sa një lopë e lënë aty për tu mjelur (cash cow), dhe zëri jonë si konsumator/faktor është po aq i rëndesishëm sa zëri lopës kur pëllet.

Në këtë shkrim, qëllimisht nuk përmënd emra feshonistas sepse nuk dua ti bëj publicitet diçkaje të urryer. Por problemi nuk qëndron vetëm tek një ose dy fashionista Instagrami që më mësojnë se si të vendos shaminë nën tingujt e “Love Me – Love Me” nga Elvana Gajta por, tek 99% të këtyre personazheve që qarkullojnë online për t’ua “mesuar” modën muslimanëve realisht fshehin interesa që përkthehen lehtë në shfrytezimin e fuqisë ekonomike te tyre nga ana e Big Industrisë së modës. Personalisht, vështrimi i këtyre fenomeneve ka bërë të marr masa urgjente në vetvete për t’u rikthyer sërish rishikimi të figurës sime si muslimane në rrjetet sociale dhe për të rikujtuar këshillat Profetike mbi mbulimin. Femra është e para që sulmohet nëse tentohet të shkatërrohet një shoqëri. Rrezisto motër, mos u bëj pjesë e sistemit!

Vajada Keçi Manjani

Vajada Keçi Manjani

Autorja prej vitesh jeton në Itali. Është diplomuar në Universitetin e Brescias për Ekonomi dhe Biznes dhe ka një master në "International Commerce" pranë Universitetit të Padovas.
Vajada Keçi Manjani

LEAVE A REPLY