Nga Marsida Simo

Lëvizja e lirë e popullisë, zhvillimi i turizmit, migrimi për shkak të punësimit, jo pak herë shoqërohet edhe me shok (shokim) kulturor, i cili ka disa shkaqe të caktuara, si dhe pasoja. Duhet theksuar se, shok kulturor do të thotë eksperienca psikologjike-fiziologjike përballë ballafaqimit me një kulturë, apo nënkulturë tjetër e cila ndryshon nga kultura personale. Perceptimi që kemi ndaj të panjohurës mund të na çojnë në ndërlikim të zgjidhjes së disa situatave apo të veprimtarisë sonë të përditshme. Shok-u kulturor përfshin të gjitha elementet e kulturës siç janë zakonet, sjellja, normat shoqërore dhe marrëdhëniet sociale. Ka qenë antropologu Kalvero Oberg, në vitin 1954, i cili e përdori për herë të parë termin ‘shok kulturor’. Megjithatë, ky është një term sa socio-psikologjik edhe politiko-ekonomik, duke qenë se kohët e fundit po flitet për lëvizje të lirë, bashkëpunime mes shteteve, punësim, investime ekonomike etj. Tendenca e shumë shteteve po shkon drejt unitetit të parasë dhe të gjuhës, dhe kjo na bën të mendojmë që shok-u kulturor duke vijë duke u ulur. Pavarësisht kësaj nuk mund të pretendohet se, të flasësh anglisht domosdoshmërisht njeh tërësinë e elementeve kulturore të Anglisë apo Amerikës. Mund të gjendemi dy herë në një situatë të njëjtë, por nuk mund të jemi ne në gjendje emocionale të njëjtë, ndaj dhe reagimi jonë do të ndryshojë. Apo mund të jemi më shumë të përgatitur për situata të papritura, por sërish ndodh që ndryshimi i shpeshtë i ngjarjeve në jetën tonë mund të na sjellë komplikime.
Mënyra e përjetimit ndaj një kulture krejtësisht të re varet së pari nga personaliteti i personit, pra sesi ai reagon ndaj situatave të reja, parimet që ndjek për të zgjidhur çështje të caktuara, eksperiencat pozitive apo negative të mëparshme etj. Niveli i shok-ut kulturor varet shumë edhe nga masa e informacionit që merret herë pas here për ekzistencën e kulturave të ndryshme. Duke qenë se çdo kulturë është e përbërë edhe nga subkulturat, sigurisht që e bën të vështirë njohjen totale të tyre. Ideja qëndron te njohja dhe interesi i vazhdueshëm që ka një individ për të përthithur informacione të shumëllojshme rreth botës që e rrethon. Kjo tregon stimulimin e vetes ndaj situatave të reja duke krijuar një mendje të hapur. Fare mirë le të përfytyrojmë një individ, i cili nuk ka lëvizur për një kohë të gjatë nga hapësira e tij sociale, si dhe nuk ka njohuri për zakone, tradita, apo sjellje të kulturave të tjera. Si pasojë ndërveprimi i tij ka prirje të jetë shumë i vështirë me të tjerët, ndoshta edhe me pasoja konflikti për shkak të shok-ut kulturor që do të pësojë. Probabiliteti që ai të pranojë të ndryshmen është më e vogël.
Fazat e shok-ut kulturor
Faza e parë konsiderohet si koha e befasisë, e cila shoqërohet me frikë ndaj të resë që paraqitet. Gjatë kësaj kohë individi priret tˋi zmadhojë problemet dhe të jetë mosbesues ndaj të tjerëve.
Faza e dytë është koha e dyshimit ku përjetohet stres i vazhdueshëm, nëse do përballohet i gjithë ky ndryshim. Në mendje lindin pyetje të tilla, si: A do arrij t’ja dal? A do më ndihmojë ndonjë? Po sikur të dështoj? A do ishte më mirë të kthehem?
Faza e tretë është përshtatja ose izolimi. Një pjesë e mirë e njerëzve, nën faktorin e kohës arrijnë të zbusin frikën dhe përshtaten duke gjetur një rrugë të mesme midis kulturës së tyre dhe kulturës së re. Integrimi fillon të formohet përmes veprimtarive të ndryshme apo dhe socializimit me të tjerë.
Një pjesë tjetër e njerëzve nuk arrijnë ta bëjnë këtë gjë. Koha i çon në izolim dhe mbyllje në vetvete. Tendenca e tyre është të ngrejnë mure të lartë ndaj botës së re ku po jetojnë. Çdo person që takojnë iu duket si një armik, i cili do tˋi dëmtojë apo do tˋi sulmojë. Raste të tilla mund të çojnë edhe në psikoza, të cilat duhen trajtuar me psikolog apo dhe me psikiatër.
Këshilla mbi shok-un kulturor
Parësore për çdo person që do të përballet me një kulturë të re është informimi.

Nuk na falet që në kohët e sotme të mos lexojmë një informacion mbi një shtet apo kulturë që i përket një tjetër vendi. Informimi konsiston në ekzistencën e kulturave apo subkulturave të vendit ku do të shkojnë, fenë që ndjekin, specifika mbi mënyrën e organizimit të jetës. Po ashtu mund të kërkojmë statistika mbi ekonominë dhe llojet e taksave që aplikohen në këtë shtet. Mos të harrojmë të lexojmë kuriozitete mbi aspekte apo veprime që nuk lejohen të bëhen, të cilat bien në kundërshti me veprimet tona. Me rëndësi ka dhe studimi i hartës apo mënyrës së lëvizjes në lidhje me transportin publik. Për shembull, nëse jeni mësuar të përdorni kryesisht autobuzin si të vetmin transport publik, mund t’ju bëjë befasi që në Ho Chi Minh City, në Vietnam shumica e vendasve përdorin motorra publik. Ndaj informohuni më parë dhe merrni masa, sidomos nëse jeni fobik ndaj këtij mjeti transporti.

Përveç informimit, mundohuni të lini veten më të lirshëm duke njohur njerëz të rinj në parqe apo vend pushimi. Interesohuni kur janë festat kombëtare, pasi njerëzit në këto kohë janë më të gëzuar dhe priren të bëhen edhe më social.
Sigurish që integrimi kërkon kohë, por mos harroni qëllimet tuaja të cilat i keni të rëndësishme. Konsideroni gjithçka si një mundësi për të përjetuar një jetë të re.
Revista “Familja”, korrik 2018

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.