Kanë kaluar dhjetë vjet që kur ime bijë, Elvana, s’është më, dhe unë ende më duket sikur nuk kam arritur ta pranoj humbjen e saj. Vdekja e një njeriu të dashur qenka brenga më e madhe, dhe më e vështira, për ta mbajtur në vete- kam menduar shpesh. Sa herë kujtoj se jam shëruar prej saj, mjafton vetëm një shkëndijë e largët, e ardhur nga njoftime humbjesh, qoftë dhe njerëzish të panjohur, të kuptoj se ajo thjesht rri fshehur, diku në një skutë timen, dhe sapo takon diçka të ngjashme që ta stimulojë, rikthehet të fitojë terren tek unë. Por, njeriu ka mekanizma të fortë mbrojtjeje, dhe unë si një qenie e tillë nuk nguroj t’i përdor sa herë ndjehem e cenuar nga një realitet që më dhëmb. Kështu arrij të shmang ndjenjën e fajit, zemërimin, kujtimet e hidhura…deri në mohim. Sepse jeta vazhdon, edhe pse pa të. Ndërsa brenga mbulohet me copëza të tjera gëzimesh që janë mënyra më e mirë për të fituar ndaj saj.

Ç’do të thotë të kesh një brengë?

Të brengosesh është diçka normale, dhe një përgjigje e shëndetshme ndaj humbjes, e një nga humbjet më të mëdha që mund të na ndodhë është vdekja e një njeriu të dashur.  Teksa përpiqemi të përballemi me të, pa kuptuar, ne mund të kemi ndjesi të ndryshme në kohë të ndryshme. Pashmangshëm, ndeshemi me shokim, mohim, zemërim, faj, trishtim apo pranim. Dhe natyrshëm, mund të na ndodhë që ta gjejmë veten duke lëvizur nga një ndjesi në tjetrën. Psh, në një çast kur sapo provojmë të lëvizim, dhe fillojmë të pranojmë humbjen në koshiencën tonë, papritmas në subkoshiencë mund ta gjejmë veten përsëri të mundur nga ndjesia e fajit. Thua dëshpërimi ynë, në raste të tilla, nuk mund të ikë asnjëherë përgjithmonë? Ndoshta, por, duhet të besojmë tek përpjekjet tona. Dhe nëse besojmë, dhimbja jonë mund të largohet nga pak, bashkë me kohën, gjithnjë duke punuar me këto ndjesi.

Çfarë ndodh me njeriun kur gjendet përballë humbjes së një personi të dashur?

Në orët apo ditët e para mbas vdekjes, mund të ndjehemi të shokuar, të mpirë dhe konfuz. Mund të ndodhë që të mos mbajmë mend se çfarë të tjerët po flasin me ne, apo të mos duam aspak të jemi bashkëfolës me ta. Me të tillë mekanizëm priremi të jemi mohues dhe të mos duam të besojmë se çfarë na ka ndodhur në të vërtetë. Është normale të ndjehemi të braktisur dhe të zemëruar në raste të tilla. Gradualisht fillojmë t’i rikthehemi realitetit, duke kuptuar dhe pranuar se kemi humbur diçka të shtrenjtë, si dhe përpiqemi të mësohemi pa praninë e zakonshme… Pasi provojmë, në mënyrë të pashmangshme, të jemi mohues për pak kohë, është normale të pretendojmë se gjërat janë kthyer siç ishin më parë. Nëse dikush që kemi dashur ka vdekur, ne mund të kthejmë të shkuarën të na ecë nëpër kujtesë, dhe ta sjellim çdo gjë nëpër mendje. Madje, papritmas, mund ta ndjejmë edhe praninë e tij/saj, sikur e shohim apo i dëgjojmë zërin pranë nesh. Por, mund të shkojmë edhe më tej, mund ta gjejmë veten duke biseduar me të, sikur të ishte në një dhomë me ne. Teksa fillojmë të kuptojmë se ai që ka vdekur nuk kthehet më, fillojmë të ndërgjegjësohemi për ndikimin e plotë të humbjes tonë. Këto ndjesi mund të na trembin, sepse ato janë të çuditshme, janë të forta…Madje, mund të na bëjnë të ndjejmë sikur po humbim kontrollin ndaj vetes. Dhe kjo do të thotë se brenga po vepron ndër ne.

Çfarë ndodh më pas?

Kur ne fillojmë të kuptojmë impaktin e kësaj humbjeje, mund të ndodhë të kapim shenja depresioni në vete. Të ndjehemi në faj, teksa i gjejmë mendimet duke u vërtitur ndër dilema: “nëse do të….” ose “përse unë…”, në kërkim të një shpërthimi lotësh, pa pasur nevojë për shkak. Kjo është një nga etapat më të dhimbshme të çlirimit, por, sigurisht, nuk zgjat përgjithmonë. Në një proces normal brengosjeje, depresioni fillon të largohet me kalimin e kohës. Ne mund të fillojmë të ndjehemi më mirë, dhe të shquajmë në vete ndryshime të vogla. Psh. Mund të fillojmë ta kemi më të lehtë zgjimin në mëngjes, apo të shohim shenjat e para të rikthimit të energjisë, dëshirës për të jetuar. Kjo është një kohë kur ne nisim të hedhim një hap, për t’i dhënë kuptim jetës sonë, asaj që sillet rrotull nesh. Provojmë të jetojmë me humbjen dhe mungesën e njeriut të dashur që s’e kemi më… Në këtë mënyrë, ne i lejojmë vetes të rifillojmë jetën sërish me ritmet e saj, duke investuar në marrëdhënie dhe aktivitete të tjera të përditshme. E, sërish nuk mund të mëtojmë se po i shpëtojmë asaj ndjenjës së fajit, pasi në çdo çast, diçka thellë nesh na flet për të na e kujtuar atë, dhe për të na treguar se nuk po rrimë besnik ndaj asaj pjesës që na mungon. Kjo na ndodh sepse jemi duke lëvizur në hapësira dimensionesh të tjera. Kështu ngutemi të ruhemi prej vetes, atij zërit të brendshëm që është gjykatësi ynë më i rreptë. E megjithatë, mbas gjithë përpjekjeve të bëra, për të vazhduar jetën në normalitet, është legjitime që të çlirojmë disa nga ndjesitë tona të dëshpërimit; në ditëlindje, pushime, ceremoni, apo në rastet speciale që i ndeshim udhës së gjatë në ecjen pa të…

Simptomat e dëshpërimit

-Zemërim

-Fajësim i vetes

-Shpërthime në lot

-Diarre

-Marrje mëndësh

-Rrahje e shpejtë e zemrës

-Ndjesia se çfarë është duke ndodhur rreth teje nuk është reale

-Dhimbje koke

-Të përziera

-Paaftësi për t’u organizuar

-Humbje oreksi dhe peshe

-Zemërim

-Trishtim, depresion

-Shikimi i imazhit të personit të vdekur

-Frymëmarrje të ngadaltë

-Shtrëngim në kraharor

-Këputje

-Përqendrim i turbullt

-Çrregullime të gjumit

Sugjerime për të përballuar humbjen e një njeriu të dashur

Bisedoni me të tjerët duke treguar se si ndjeheni

Përpiquni të përmbushni detyrat tuaja që të mos ndjeheni të demoralizuar

Ngopuni me gjumë, hani një ushqim të pasur me dieta dhe merruni me ushtrime

Kthehuni në rutinën tuaj sa më shpejt të mundeni

Shmangni marrjen e vendimeve të mëdha dhe të menjëhershme

Lejojeni veten të lëshohet, të qajë, ta pranoni çdo ndjesi që ju vjen

Kërkoni ndihmë nëse keni nevojë

LEAVE A REPLY