Ramazani kaloi. Leximet e Kuranit përfunduan. Xhamitë tashmë janë boshatisur. Dhe zemrat tona janë mbushur edhe njëherë me dashurinë ndaj jetës dhe plot dëshira. Shejtani që dikur ishte i lidhur u rikthye sërish në mendjet tona, në shtëpitë tona, përballë dhe pas nesh. Edhe një herë ai mban betimin e tij:

” (Iblisi) tha: “Betohem se për atë që me ke humbur, do t’ju vë pengesa atyre në rrugën Tënde të drejtë, e do t’ju qasem atyre edhe përpara edhe për mbrapa, edhe në të djathtë, edhe në të majtë, e Ti do të konstatosh se shumica prej tyre nuk janë falenderues!” (Kuran, 7:16–17)

Dhe kështu, e gjejmë veten përsëri të ndjeshëm ndaj të njëjtës luftë që na mundonte para Ramazanit, le të mos harrojmë qëllimin e përpjekjeve tona gjatë atij muaji të bekuar. Le të mos lejojmë që frytet e Ramazanit të humbasin. Dhe le të mos humbasim qëllimin e agjërimit tonë.

Kur Zoti na urdhëroi të agjërojmë tha:

”O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”  (Kuran 2, 183)

Është pikërisht vetëdija e Allahut e cila është thelbësore për përmbushjen e qëllimit tonë në këtë jetë. Është frika që kemi ndaj Zotit që siguron forcën për përpjekjet tona të qëndrojnë në rrugën e drejtë. Dhe nëse devotshmëria është forcë, Ramazani ishte trajneri ynë personal.

Nëse gjatë Ramazanit ne mundëm të ruajmë veten nga një nevojë fizike thelbësore (ngrënia dhe pirja) nga frika ndaj Allahut, a nuk jemi në gjendje të mbajmë veten larg prej haramit pas Ramazanit? Asnjëri prej nesh nuk do të guxonte të pinte një gotë ujë teksa agjëronte. E pra, është i njëjti Zot që shihte (punët tona) gjatë Ramazanit, e që mund të na shohë teksa veprojmë haram jashtë tij.

Gjatë Ramazanit, ne mund të zgjoheshim para lindjes së diellit për të ushqyer trupin tonë. Por, pas Ramazanit, ne flejmë deri në namazin e sabahut. Le të mos lejojmë zemrën të na pushtohet. Po, shejtani mund të na thërrasë sërish. Por gjithçka që ai mund të bëjë është thirrja. Fuqia dhe zgjedhja është e jona. Allahu thotë në Kur’an:

”Dhe, do të thotë djalli, kur të merr fund puna: “Me të vërtetë, Perëndia u ka premtuar juve premtimin e vërtetë. Edhe unë ju kam premtuar, por ju kam mashtruar. Por, unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju, përpos që ju kam thirrur, e ju më jeni përgjegjur. Prandaj, mos më qortoni, por qortonie veten! Unë nuk jam shpëtimtari juaj, e as ju nuk jeni shpëtimtari im. Unë, tani mohoj atë që ju më parë më patët bërë shok (me Perëndinë)”. Me të vërtetë, për zullumqarët ka dënim të dhembshëm.”(Kuran, 14:22)

E kështu ka edhe prej tyre që do të lejojnë që shejtani të mbretërojë mbi ta. Por ka të tjerë mbi të cilët shejtani nuk ka fuqi. Allahu thotë:

”Ti, me të vërtetë, nuk ke kurrfarë pushteti ndaj robërve të Mi, përveç atyre të humburve, që të pasojnë ty”. (Kuran, 15:42)

Por si mund të bëhemi prej shërbëtorëve të Allahut, mbi të cilët shejtani nuk ka autoritet? Si mund ta vazhdojmë frymën e Ramazanit gjatë gjithë vitit dhe gjatë gjithë jetës sonë?

Ja disa prej mënyrave:

  1. Kujdesuni për namazaet tuaja. Gjatë Ramazanit, shumë prej nesh kujdesen që çdo namaz ta falin në kohë – shpesh në xhami. Vazhdoni t’i ruani namazet tuaja, sepse me siguri edhe namazi do t’ju ruajë.

Allahu thotë në Kur’an: “Në të vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve); Allahu e di çfarë punoni ju. “(Kuran, 29:45).

  1. Përkujtojeni Allahun përmes Kuranit. Gjatë Ramazanit, shumë prej nesh kalojnë netët dhe ditët duke lexuar Kuran. Të kujtoni Allahun duke qëndruar afër Kuranit çdo ditë do t’ju mbrojë nga shejtani dhe zemrën do ta mbani të lëmuar. I Dërguari i Allahut a.s ka thënë: “Ka një pastrues për gjithçka që heq ndryshkun; dhe pastrimi i ndryshkut të zemrës është përkujtimi i Allahut “(Buhariu). Profeti a.s gjithshtu ka thënë: “Lexoni Kur’anin, sepse me të vërtetë ai do të jetë ndërmjetësues për shokët e tij në Ditën e Gjykimit” (Muslim).
  2. Mendoni më shumë dhe flisni më pak. Profeti a.s ka thënë: “Ndonjëherë një person thotë diçka që e kënaq Allahun, dhe në këmbim Allahu ia ngre statusin e tij; dhe ndonjëherë një person thotë diçka të pakëndshme tek Allahu dhe dënohet për këtë .” (Buhari).
  3. Pendohuni shpesh. Shumë prej nesh kërkojnë falje nga Allahu gjatë Ramazanit, por e braktisin këtë praktikë sapo Ramazani mbaron. Kujtoni që Profeti Muhamed a.s kërkonte falje Allahut njëqind herë në ditë. Pendimi i mban zemrat tona të pastra dhe gjithmonë të lidhura me Allahun.

Të gjithë ne me kalimin e Ramazanit ndihemi sikur kemi humbur një të afërm. Me të vërtetë. Por, të mos lejojmë që ky largim të shndërrohet në pikëllimin.

Jonida Vishkurti

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.