Nga Nada Dosti

Të udhëtuarit dhe të shkruarit duken si dy procese të ngjashme. Kështu, të shkruarit mund të perceptohet si një rrugëtim drejt panoramave të gjuhës, ndërsa të udhëtuarit si një formë e re vëzhgimi dhe eksperimentimi, i cili na lejon që të bëjmë krahasime apo të japim shpjegime konceptuale për atë që po përjetojmë. Nëse mesazhi është pikëmbërritja jonë atëherë fjalët janë mjeti që na shpien drej tij.

Qoftë të shkruarit, qoftë të udhëtuarit nënkuptojnë njëfarëlloj lëvizje. Si fjalët, ashtu dhe rrugët janë të fundme, ndërsa kombinimet e tyre janë të pafundme dhe të palodhshme. Udhëtimi na shtyn që të zgjedhim rrugët me një prapaskenë më tërheqëse dhe interesante, ndërsa të shkruarit na shtyn që të zgjedhim një fjalor sa më të pasur për të shprehur përjetimet dhe ndjenjat tona. Gjatë udhëtimit kërkojmë dëlirësinë, ndërsa gjatë të shkruarit kërkojmë qartësinë.  Por në të dyja rastet kërkojmë për origjinalitet dhe veçantinë.

Për mua të udhëtuarit ka qenë më tepër një proces i lidhur me humanen se sa me vendet, ka qenë një eksperiencë e të takuarit njerëz të ndryshëm, se sa e të vizituarit vende të ndryshme. Një ndër pjesët më të rëndësishme të të udhëtuarit është padyshim të vëzhguarit që mund të konsiderohet edhe si një urë lidhëse midis udhëtimit të botës së jashtme dhe udhëtimit të brendshëm.  Vendet ekzotike dhe tërheqëse nuk janë frymëzuese për një shkrim të mirë (ndoshta frymëzues për fotografi të mira, punë në telajo apo xhirime). Zakonisht shkrimet e mira janë të frymëzuara nga vende shumë të zakonshme porse parë nga një këndvështrim i jashtëzakonshëm duke sjellur qasje të reja.  Në shkrime për udhëtime është më e rëndësishme të jesh një vëzhgues i mirë dhe një piktor i fjalëve se sa të kesh mjaftuesh të ardhura për t’i lejuar vetes udhëtime nëpër vende ekzotike. Lajmi i mirë është se çdokush mund të shkruaj për udhëtime, por lajmi i keq është se jo çdokush mund të jetë shkrimtrar udhëtimesh.

Zgjidh një kënd, trego një histori.

Të udhëtuarit, ashtu si dhe filozofia, ka të bëjë me të bërit pyetje: përse këta njerëz sillen kështu, apo veprojnë ashtu, ndërsa fqinjët e tyre sillen ndryshe? Të bërit pyetje mund të jetë shumë përfituese, jo vetëm për të marrë përgjige për kuriozitetin tonë por edhe për të bërë krahasime dhe për të kuptuar më shumë rreth ambientit që na rrethon në vendin tonë; kulturës dhe vlerave tona. Kur udhëton edhe të pasurit një fokus të përcaktuar është e rëndësishme pasi nuk mund të ndalesh të vëzhgosh ç’do gjë që të del përpara. Ideja qëndron jo tek vizita e vendeve që të pëlqen (si muze, galeri..) por tek mënyra se si t’i vëzhgosh ato: zgjidh një lente dhe përcakto një kënd!

Në udhëtimet e mia nëpër Turqi jam përqëndruar më së shumti të kuptoj marrdhënien që kanë vendasit me të huajt apo me minoritetet dhe kombësitë e tjera më të cilat bashkëjetojnë. Në udhëtimin tim të ardhshëm në Palestinë kam planifikuar të përqëndrohem më së tepërmi tek  çështja se “si pushteti kthehet në rregullator të hapësirës publike dhe banimeve, mureve, rrugëkalimeve dhe postoblloqeve.” të pasurit një këndvështrim të përcaktuar më ndihmon edhe për një ide më të qartë të natyrës rrëfyese që dua të përcjell në përshkrimin e udhëtimit si dhe tregimit për mbresat personale por dhe rrëfime për të tjerët.

E pranoj se të shkruarit për udhëtime është kthyer në një strategji marketingu kapitaliste, megjithatë nëse bën një kompromis me këtë fakt pse mos të përcjellësh dhe një histori apo një mesazh të rëndësishëm gjithashtu? Kam njohur shumë njerëz të fiksuar me udhëtimet, madje prej tyre ka pasur dhe persona që i kanë rënë anë e mbanë Europës apo shumicës së botës, por që prej udhëtimeve të tyre nuk kanë përfituar asgjë: përveç shënimit me (√) në listën e tyre të vendeve që duhen vizituar si dhe disa selfieve të bëra për inerci sa për t’i postuar në rrjetet sociale. Mendoj se këtu qëndron dallimi midis turistëve dhe udhëtarëve. Këta të fundit të paktën kthehen nga një udhëtim më një tregim për të rrëfyer, me paketa “how to” për të të këshilluar apo qoftë me njohuri të reja në lidhje me kulturën e një vendi.

Është e vërtetë që gjatë një udhëtimi nuk kemi kohë të ulemi dhe të shkruajmë. Duhet që udhëtimet t’i kthejmë në një rutinë por jo të shkruajmë në mënyrë monotone. Pra ajo që mund të bësh është thjeshtë të mbash disa shënime; të ruash ndonjë kujtim; të mbledhësh fotografi, dhe në momentin e parë që ndihesh i frymëzuar për të shkruar rreth një udhëtimi të caktuar mjafton t’i rikthehesh këtyre kujtimeve për t’i shtuar detaje shkrimit tënd. Për këtë mund të ketë edhe një distancë kohore midis udhëtimit dhe shkrimit, psh në një rast kam shkruar për një udhëtim edhe pas 7 vitesh. Por mund të ndodh që të shkruaj edhe gjatë udhëtimit por gjithmonë lë një periudhë kohe të kalojë për t’iu rikthyer dhe për ta korigjuar. Me pëlqen një thënie që shpeshherë ia mveshin Hemingway-it: “Shkruaj kur je “tapë” dhe korigjo kur je esëll”. Kjo sepse në emocione e sipër mund të zgjedhësh fjalë të mbingarkuara, të tejkalosh në subjektivitet apo të bësh një formulim të gabuar të fjalisë.

Unë e shoh udhëtimin si një mënyrë për të kuptuar të tjerët: për të kuptuar kulturat që na rrethojnë dhe me të cilat bashkëjetojmë. Disa udhëtojnë për terapi shpirtërore personale: për të gjetur veten, për t’u relaksuar, për të forcuar karakterin e tyre ose edhe për t’i treguar botës se sa të fortë janë. E rëndësishme është që të dijmë ta kthejmë këtë eksperiencë në një mënyrë të dobishme për të bërë pyetje dhe për t’u munduar në gjetjen e përgjigjeve.

Muslimanja.com

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.