Imazhi dhe roli i gruas do të ishte shumë i rëndësishëm për komunistët, sepse ajo mund të simbolizonte më mirë se kushdo tjetër “botën e re”, “shoqërinë e së ardhmes”, “njeriun e ri”.  Për komunistët gruaja ishte një objekt perfekt për inxhenierinë e tyre sociale, sepse ajo konsiderohej si e shtypur nga një trashëgimi e dyfishtë e së shkuarës, 1- nga prapambetja dhe varfëria dhe 2- nga mënyra patriarkale e jetesës. Nga ana tjetër ky lloj koncepti nënkuptonte edhe një lloj pozite të dobët shoqerore të gruas, e cila mund të kthehej në një element regresiv, mikroborgjez dhe të dëmshëm për revolucionin nëse nuk shpëtonte nga kjo trashëgimi. Në këtë kuptim nxjerrja e gruas nga prapambetja ekonomike-kulturore dhe çlirimi i saj nga normat patriarkale do të ishte ngushtësisht i lidhur me pjesëmarrjen e saj në jetën publike, ose ai që me fjalë të tjera quhej si “emancipim i gruas”.

Pa mohuar ndryshimet në jetën e gruas në kohën e komunizmit, ndryshime që janë në thelb të modernitetit, në fakt “emancipimi” ishte edhe një lloj zëvëndësimi i autoritetit patriarkal të mashkullit të shtëpisë me autoritetit autokrat të Partisë së Punës. “Emancipimi” nuk duhet kuptuar si një realizim individual i personalitetit të gruas, por si një shërbim “vullnetar” që ajo i bënte shoqërisë së re socialiste. Kësisoj, pjesëmarrja e gruas në jetën publike do të merrte disa forma, të cilat do të propagandoheshin, stimuloheshin dhe përhapeshin edhe nga kinemaja. Këto forma do të ishin rolet që do të personifikonin “gruan socialiste”, e cila do të shfaqej si a) nënë heroinë, kryesith në filmat me tema historike dhe të luftës b) si partizane ne mal dhe si aktiviste komuniste ilegale në qytet, dhe më pas për periudhën e pasluftës si c) si kooperativiste, d) si punëtore, e) si grua urbane, në rolin e vajzës, motrës, të bashkëshortes, si intelektuale, etj. Nëse këto do të ishin pak a shumë shfaqjet e roleve pozitive të gruas shqiptare në kinemanë komuniste, ato do të kishin edhe karakteristikat e tyre vizive. Kështu një nënë heroine do të kuptohej nga flokët pak të bardha në ballë, nga shamia e zezë në kokë që mblidhte vetëm flokët, për të bërë kujdes mos të dukej si perçe, një partizane do të kishte gërsheta dhe do të ishte e veshur si djalë me kilotat ushtarake, një aktiviste komuniste në qytet do të ishte kryesisht një vajzë gjimnazi ose shkolle me pamje të rregullt dhe veshje modeste, kryesisht e varfër, por edhe ndonjë vajzë nga familjet e pasura, si për të treguar forcën tërheqëse të ideve komuniste. Një kooperativiste dhe punëtore do të dalloheshin nga pamja burrërore, nga veshjet mashkullore dhe nga pozita në procesin e prodhimit, që më pare ishte domen mashkullor. Gruaja urbane, nga ana e saj, ishte më variable në pamje, në varësi edhe të larmisë së roleve që duhej të përfaqësonte, por dominonte një pamje e “rregullt” estetikisht, gjë që sipas normave të realizmit socialist donte të thoshte në radhë të pare mungesë feminiliteti dhe erotizmi.

Kjo ishte në mënyrë koncize aspekti pozitiv, ndërkohë që ana negative e imazhit të gruas kishte edhe ajo shenjat e veta. Në rastin kur ajo do të kishte një pamje të kuruar, ose nëse do të paraqiste veshje ekstravagante për kohën, ky do të ishte tregues detyrimisht i një personazhi negativ, i cili edhe mund të korrigjohej me ndihmën e kolektivit dhe në fund pamja e saj do të uniformizohej me të tjerët. Në thelb karakteri i personazhit thjesht barazohej me pamjen e tij të jashtme.

Këtu duhet shtuar fakti që pamjet e ndryshme të rolit të gruas në kinematografinë komuniste kushtezoheshin edhe nga periudhat e caktuara kohore kur prodhoheshin filmat. P.sh. gjatë periudhës së pare, atë të lindjes dhe rritjes së kinemasë shqiptare do të predominonin rolet heroike, partizane, të cilët me kalimin e kohës do të kalonin në një plan të dytë dhe do të zëvendësoheshin me kalimin e viteve 1970 dhe 1980 me rolet e kooperativisteve dhe ato të punëtoreve. Ne periudhën e fundit komuniste do të kemi edhe përpjekje për të ndërtuar personazhe më komplekse, ato që unë i quaj gruaja urbane, ku personazhet do të shfaqin dilemat dhe krizat karakteriale, gjë që nuk ishte shumë karakteristike e roleve heroikë, ku predominonte vetëmohimi dhe optimizmi. Gjithsesi një karakteristikë e përbashkët e këtyre roleve që mbeti e pandryshuar gjatë gjithë kohës do të ishte fundi optimist i tyre, që ishte edhe në themel të skemës së realizimit socialist.

Një tipar tjetër i roleve femërore në kinematografinë komuniste do të ishte edhe qasja ndaj marrëdhënieve midis burrit dhe gruas, ndryshimet midis tyre, ose edhe marrëdhëniet dashurore. Ndonëse propagandohej barazie gjinore, rolet e gruas shqiptare në kinematografi do të ruanin edhe tiparet “tradicionale”, do të thote se ajo ishte jo vetëm një punëtore dhe kooperativiste e mire, por edhe grua e devotshme, nënë e përkushtuar, që kishte respekt për brezin e vjetër. Pra, ndonëse komunistët pretendonin se do të krijonin një “botë të re”, në fakt ajo që shfaqej ishte një kombinim i vlerave tradicionale me ato të “reja” socialiste. Një aspekt tërësisht “shqiptar” i roleve të gruas në kinemanë komuniste mbeti mënyra se si shfaqeshin marrëdhëniet dashurore, të cilat ishin gati puritane, gati pa prekje fizike dhe, me përjashtime të pakta, të përshkuara nga një sentimentalizëm prozaik, i shtirur dhe foshnjarak.

Këto tipare të mënyrës së trajtimit të imazhit të gruas në kinematografinë shqiptare do të ishin refleks si i tipareve të regjimit komunist shqiptar, ashtu edhe i natyrës së vetë shoqërisë shqiptare. Regjimi komunist shqiptar mbeti deri në fund radikal dhe dogmatik, imponoi një skemë tejet të ngurtë të realizimit socialist në arte, dhe mbi të gjitha Shqipëria komuniste nuk njohu procesin e de-stalinizimit, që ishte aq i rëndësishëm në Lindjen komuniste, sidomos në vitet 1960, dhe që e çliroi në një masë të ndjeshme prodhimtarinë artistike nga trysnia e politikës. Po ashtu, edhe vetë natyra kryesisht patriarkale dhe rurale e shoqërisë shqiptare të asaj kohe, megjithë ndryshimet që pësoi gjatë dekadave të komunizmit, nuk mund të lejonte aq lehtazi paraqitjen e një gruaje të dlirët, të shpenguar, të brishtë,  dhe në fund të fundit femërore.

  • Marrë nga shkrimi “Gruaja në kinemanë shqiptare të pasluftës” Artan Puto

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.