Të treja janë muslimane, nga Shkodra, jetojnë dhe studiojnë në Stamboll dhe Eskishehir dhe të treja kanë pasion Dizajnin. Arsenida studion Fashion Dizajn, Raisa Kraja studion Dizajn Industrial ndërsa Gyselda Daija studion për Kinematografi dhe Dizajn në Stamboll.

Arsenida Rexhaj, është në vitin e fundit të studimeve për Fashion Designer në Eskishehir të Turqisë. Aktualisht është duke u marrë me temën e diplomës tek e cila po mundohet të shpalosë “veçorit ma t’bukra t’Shqipnis” siç shprehet dhe vetë ajo. Ajo ka qenë e ftuar në programe të ndryshme radiofonike dhe televizive si: “Hello Art” në Radio Shkodra, Star Plus, Aldo Morning Show etj.

Që e vogël ka qenë e apasionuar ndaj fashionit, pak prej traditës së vendit të vetë, e rritur pra rrethuar me vajza e gra të cilave u jepej për qendisje, qepje, punime me shtiza e me grep. Pak prej interesit ndaj punës së dorës, duke qenë se më herët është marrë me punime rruzash, si dhe pak prej talentit të saj për pikturë në veçanti, por dhe ndaj artit në përgjithësi dhe ndaj të bukurës, talent të cilin arriti ta kultivonte edhe më tepër gjatë viteve të parë të studimeve në këtë fushë.

Për të një fashion designer është një artist i cili është në gjendje të krijojë një kryevepër duke u nisur nga një kombinim copash, ngjyrash dhe detajesh të gjitha në një harmoni të paparë, duke sjellur kështu një trend të ri. Frymëzimin e gjen më së shumti tek detajet e natyrës. Për të frymëzim mund të jetë dhe një element i vogël në pamje të parë i pa rëndësishëm. Por frymëzimi më i madh janë lulet, duke qenë se Shkodra vetë i ka ofruar një natyrë të bekuar në këtë aspekt.

Arsenida, cilat janë planet e tua me t’u kthyer në Shqipëri?

“Së pari, hapja e një atelieje handcraft ku të ekspozoj dhe reklamoj punimet e mia. Punime të cilat kanë si qëllim mbi të gjitha tejçimin e traditës së punës së dorës brezit tonë por edhe brezit të ardhshëm.  Për të reklamuar punët e mia prej dore si: punime me shtiza, grep, punimet me rruza, qendisja, punimi në tezgjah etj. Ateljeja në fjalë do të ketë si synim edhe mundësinë e të promovuarit të punëve të ndryshme nga vajza e gra të tjera nën markën dhe emrin e tyre.

Por më kryesorja, me ndihmën e Zotit, nëse punët ecin ashtu siç e kam ideuar, dëshiroj që mbi të gjitha kjo nisëm të kthehet dhe në një mision humanitar: një përqindje e fitimit të shkojnë për të ndihmuar një grup të caktuar të shoqërisë i cili është më nevojtarë si përshembull fëmijët jetima apo të moshuarit të pastrehë.”

Gyselda Daija ka pasion artin, dizajnin dhe fotografinë. E mban aparatin plot mjeshtëri duke u munduar të kapë më interesanten dhe më të bukurën e aktivitetit ku së bashku jemi pjesëmarrëse. Gjithmonë në këmb, siç e kanë zakon fotografët në të tilla raste, me zërin që kumbon herë pas here tregon dhe ndonjë batutë për të gjallëruar atmosferën.

Gyselda fsheh në zemrën e saj një merak dhe brengë të madhe që ka të bëjë me çështjen Palestineze. “Para se të vija në Turqi nuk kam qenë shumë e vetëdijëshme për çështjen e Palestinës. Duke qenë se unë nuk kam kryer medresenë, përveç lajmeve që përcillen në media, ndonjë fushatë sensibilizuese tek-tuk informacionet ndaj çështjen në fjalë kanë qenë të limituara. Pasi kam ardhur në Turqi dhe sidomos pasi mu dha mundësia të merrja pjesë në programin TALC CAMP 2017 në Malajzi, kontakti me miqtë e mi palestinezë më ka ndihmuar shumë në rritjen e vetëdijësimit ndaj kësaj padrejtësie të madhe. “tregon ajo.

Gyselda së bashku me Raisën dhe Elda Sulaj, një shoqe tjetër kanë ideuar nismën A Helping Bag. Ashtu siç tregon vetë emri, Çanta Që Ndihmon, është një projekt dedikuar fëmijëve jetima.

Raisa Kraja ka krijuar një fond personal prej kursimeve të saja të cilin e ka përdorur fillimisht për të blerë materialet: bojra, penela, çantat prej copë etj. Qëllimi i projektit të saj është t’u vijë në ndihmë jetimave përmes fitimeve nga shitjet e çantave. Ky projek ka filluar me dizanjimin e çantave nc lidhje me profesione të ndryshme duke bërë kështu të mundur tërheqjen e vëmendjes të shumë të rinjëve dhe duke arritur kështu rritjen e shitjeve të tyre nga dita në ditë duke pasur dhe prosi të veçanta në rrjetet sociale. Ajo aplikon projektin e saj me studenta të shoqatave të ndryshme ne Stamboll.

 “Ideja për këtë nisëm më erdhi pasi fillova të angazhohem si vullnetare në një shoqatë në ndihmë të jetimave. Pas shumë përpjekjesh për të gjetur një mënyrë se si unë vetë të krijoj një fond që mund të shkojë për t’i ndihmuar ata, mendova të aplikoja aftësitë e mia në fushën e dizenjimit të produkteve dhe dëshirës së madhe për të ndihmuar fëmijët jetima. Produkti përfundimtar është pikërisht A Helping Bag me një mesazh që lë gjurmë, më gjithë kuptimin e fjalës dhe i destinuar të ndihmoj dikë. Jemi ende në fillimet tona, por në të ardhmen dëshiroj që këtë nisëm ta promovoj edhe në Shqipëri, ndoshta me mbështetjen dhe përkrahjen e shoqatave apo qendrave rinore duke organizuar ëorkshope, fushata si dhe një minipanair për të shitur produktet ku të përçohet dhe nxitja për të ndihmuar këtë pjesë të shoqërisë që ka më së shumti nevojë për ndihmë. Pasi erdha në Turqi me studime u ndërgjegjësova se si ne, të rintë e sotëm, shqetësohemi mbi të gjitha të marrim- dije, mundësi, bursa, argëtim etj- por jo të japim. Sa prej nesh i shqetëson pyetja: çfarë kemi dhënë ne për këtë komunitet, për shopqrinë tonë në përgjithësi dhe për këtë vend i cili na ka mirëpritur dhe ofruar mundësi studimi, por mbi të gjitha: çfarë do të bëjmë ne për të kontribuar, kur të kthehemi në vendin tonë?”

*Artikulli është publikuar për herë të parë nga Revista Familja, muaji Dhjetor

 

Nada Dosti

Nada Dosti

Autorja është themeluesja e Muslimania.al
Nada Dosti

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.