T’u ndriçoftë pena bija ime!

0

nga Afërdita Hyseni

Jetën tonë e përshkon koha. E ne marrim çdo çast nga ajo.
Memoria u jep jetë momenteve të kaluara.
Dikush kujton çastet e lumtura e dikush të trishta.
Çdo nënë ndjen kulmin e lumturisë kur fluturat e dashurisë shndërrohen me fluturat në bark.
Dy zemra në një trup. E ku ka më lumturi se ky karvan rrugëtim nëntë mujor.
Koha sërish vazhdon udhën e saj, pa u ndalur asnjë çast.
Sot, unë vajza e vogël që isha dikur, u bëra nënë.
Zoti më gëzoi me vajzë.
Ajo përveçse është gëzimi im dhe i familjes, duhet të jetë e mira dhe gëzimi i shoqërisë.
Edukimi i saj është obligim prindëror.
Por fëmijën nuk e edukon vetëm prindi, por shkolla dhe shoqëria.
Sot ime bijë nis një udhë të gjatë, merr penën në dorë.
Me shumë dashuri dhe emocion i drejtohem me një porosi:
“Bija ime, sot e çdo ditë, ti do t’i kushtosh me shumë kohë penës sesa lodrave, shëtitjeve apo gjumit.
Unë dua dhe të këshilloj ta duash penën, e cila do të të ndihmoje shtigjeve të ngushta e herë pas here me gjemba të jetës.
Penën s’duhet ta mënjanosh asnjë moment. Sa herë do të rrëzohesh do jetë pena që do të ngrejë.
A e di bija ime se me penë, do të rritesh e shëndetshme e lumtur e mbi të gjitha e pastër?!
Të rritesh e pastër, në gjithë kuptimet e kësaj fjale, është thesar për ty e mbarë shoqërinë.
Edukimi yt e i çdo vajze mbart vlerë, se nga vajzat lind dhe edukohet mbarë njerëzimi.
Ju jeni e ardhmja e një kombi, jeni melhemi i shoqërisë.
E ashtu qofsh dhe ti bija ime.
T’u ndriçoftë pena sa të jetosh.”

LEAVE A REPLY