Paraditën e sotme, teksa po dilja për në punë, pata një ndjesi të veçantë, teksa shihja turma fëmijësh, të veshur si për bajram, me lule në dorë, të qeshur e plot optimizëm, teksa rendnin andej e këndej, drejt shkollës, drejt Mësuesve…

Më solli ndër mend një moment shumë interesant, në zemër të shekujve të largët, teksa Hz. Muhammedi (a.s) hynte në xhaminë e tij dhe, teksa shihte në një cep të saj një grup të rinjsh që po mësonin e po diskutonin rreth diturisë, u drejtua nga ata dhe tha: “Unë jam dërguar Mësues!” dhe u ul pranë tyre…

E, duke ecur në mendimet e botës së mësuesve dhe diturisë, u ndala të rilexoj mësimet e shkuara të korifeut të abetareve shqipe, Daut ef. Boriçit, Hoxhës së ditur dhe njeriut vizionar. Diku nga viti 1861, kur shkroi abetaren e tij të parë shqipe, në mesin e këshillave të urta shkroi edhe këto relikte diturore: “Xen me shkrue shqip”, “Mos rri pa punë”, “Mos rrej”, “Shko n’shkollë” etj…

Pastaj, m’u bë se dëgjova dy fëmijë, kalimtarë bri meje, që përmendën emrin e shkollës së tyre… “Ismail Qemali”… Buzëqesha, se m’u kujtua fëmijëria ime, klasa e parë në atë shkollë, vitet më të bukura të mësimit të alfabetit të gjuhës time, lënda e bukurshkrimit në veçanti, mësueset e para, shokët e klasës, bota e jonë…

M’u kujtua edhe emri i drejtorit të parë të asaj shkolle, në zanafillën e saj, i nderuari, mendjendrituri Hafiz Abaz Golemi… Natyrshëm i është harruar emri, misioni, shpirti e sakrificat e 12 viteve të para të asaj shkolle plot vlera, që, thuhet se e drejtoi me kompetencë të madhe… (Diku në një rrugicë qorre, afër Tophanës, kujtoj se e kam lexuar emrin e tij, mbi një pllakatë të ftohtë e të heshtur metalike)…

Ia pata zili fëmijëve me lule e buzëqeshje, në rrugëtimet e tyre të kësaj dite… Dëshirova të kthehem pas në moshën e tyre, ndonëse kjo gjë nuk mund të ndodhë… Dëshirova të rikthehem sërish në bankat e klasës së parë e, me zemër të falënderoj Mësueset e mia të para. Ndonjë që nuk jeton më, do dëshiroja t’ia ridëgjoja zërin, ndonëse ai zë është përzier në qenien time, diku struket në themel të dëshirës e vullnetit për të lexuar e për të shkruar… Si të thuash, zëri i tyre përzihet çdo ditë me zërin tim, me fjalët e mia, (ato më të mirat e më të urtat, natyrshëm)…

E, sërish u riktheva në momentin e hyrjes së Resulull-llahut (a.s) në xhami dhe dëshminë e tij historike: “Unë jam dërguar Mësues!”…

Nuk gjeta bekim e madhërim më të madh për shembullin dhe sakrificën e tyre! Nuk gjeta urim më të bukur, më fisnik, më hyjnor…

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

7 mars 2016.

LEAVE A REPLY