Xhamia e madhe është një fat i madh!

0

Një mbrëmje inercie dhe relaksi në divanin tim të rehatshëm, po ndiqja me kurjozitet një dokumentar ku përshkruhej diferenca midis komunitetit katolik me ngjyrë në Amerikë dhe komunitetit katolik të bardhë. Çështja që po diskutohej në atë fragment të dokumentarit lidhej me diferencat në praktikat fetare të krishtera tek këto dy grupe. Grupi i amerikaneve me ngjyrë, kishte Kisha të thjeshta pa zbukurime, me kor gospel ku të gjithë këndonin këngët e tyre fetare kryesisht në këmbë pa u ulur, pra, edhe stolat mungonin, ndërsa grupi fetar i të bardhëve falej në kisha të stilit Romak, luksuoze, me ikona të lara me florinj, me stola të rëndë druri dhe atmosferë romantike me qirinj gjigandë të ndezur, për të krijuar në mbledhje shpirtërore një privatësi me Zotin. Në këto kushte, një besimtare e grupit me ngjyrë, shprehej se vetë ajo nuk mund të falej kurrë në kishat e luksit të të bardhëve, sepse të gjitha ato detajet e tyre e shpërqendronin nga adhurimi i Zotit. Ndërsa një besimtare e grupit të “Kishave të luksit” shprehej se nuk e imagjinonte dot adhurimin jashtë atmosferës “qiellore” të përbërë nga statujat, kryqet gjigande, ikonat, qirinjtë e ndezur dhe çdo lloj zbukurimi të studiuar për të rritur sygjestionin e vendit të shenjtë ku ndodhej. Nuk mund të lutej dot në një vend të zhveshur pa elementët mistikë. Kjo diferencë strukturore, sipas dokumentarit, lidhej ngushtë me lidhjet e thella historike të vendit: me skllavërinë e hershme. Të bardhët e pasur kishin mundësi të ndërtonin dhe faleshin në Kisha super luksuoze, ndërsa skllevërit e zinj duhet ta përshtasnin adhurimin dhe praktikat e tyre fetare të deklasuar, në ambjente të varfra pa asgjë tjetër përveçse katër mureve, pasi skllavopronari nuk investonte në to . Tradita ka vazhduar dhe është konsoliduar si praktikë e strukturuar e këtij komuniteti ndër shekuj.

M’u kujtua se ne sot në emigrim jemi të deklasuar si ata skllevërit që as vendeve të tyre të kultit nuk mund t’i gëzohen.  M’u kujtua numri 1502 i gëdhendur në bazë të minares së Xhamisë Fatih në Durrës. Sa e sa herë e kam pyetur veten nëse është realisht viti i ndërtimit të saj nga sulltan Mehmet  Fatihu II, apo një numër pa kuptim i vendosur ashtu kot; 500 vjet xhamia ku unë falem?!!! S’ka mundësi! Do të ishte mrekulli. E në fakt është mrekulli që i shpëtoi ditëve të djajve të komunizmit. Më erdhën në mend tapetet pa shpirt  të xhamise së Vicencës dhe muret e zbrazëta të xhamisë së Breshas kur e pashë për herë të parë, njëra dikur kishte qenë një kapanon e tjetra dikur kishte qenë shtëpi e braktisur fshati që sot janë thjeshtë të përshtatura për namaz. Këto qytete mund të quhen me fat që kanë xhami të strukturuar sepse vende të tjera kanë garazhe nëntokësore sa per t’u falur burrat për Xhuma ku nuk del vendi në hyrje as për të vendosur këpucët e të gjithëve. Edhe ata të varfërit skllevër të amerikës do të kishin dashur me siguri të luteshin në kisha shpirterore, por predominanca e fuqisë së të bardhëve i detyronte në vende aparteidi të izoluara dhe të varfra. Ne sot në perëndim, trajtohemi si skllevër, force punëtore e pa lejuar  për të pasur xhami me stil shpirtëror oriental siç na e don shpirti fetar.

Ah, sa me fat që jemi ne në Shqipëri!

Në këto vite të shënuara historike, në mes të luftës ndaj Islamit dhe dizavantazhit të tij në peshoren gjeopolitike, në mes të Tiranës ndërtohet një xhami kolosale! Zbrita nga autobuzi në një vend të pa njohur për mua, për t’u orientuar u ndala të veshtroja ku ndodhesha, kur pamja djathtas meje më bëri të shtangem: Xhamia e Tiranës në ndërtim! M’u prenë gjunjët e sytë m’u mbushën me lot se nuk më besohej të isha dëshmitare e një evenimenti kaq madhështor në historinë e Islamit në Shqipëri. Ajo godinë karabina me kupola në ndërtim po kthehej në realitet, nuk ishte më debat, nuk ishte më fotografi arkitektësh me fantazi të çuditshme, por po ndërtohej e po linte gjurmë në histori, sot! Më vinte të lëshohesha në sexhde nga gezimi, bota nuk egzistonte më për mua e shashtisur në mes të rrugës, nisa të ec e lumtur duke reflektuar.

Reflektimi zgjatej në Kryeqendrën tjetër të shqiptarëve, Prishtina. Atje, si në Viçenza e Bresha, ngrihet zëri kundërshtues, polemizues vrer mbjellës dhe zemër prishësh si tentative për të zvogëluar në maksimum impaktin që do të ketë objekti i kultit Islam në ndërgjegjen kolektive muslimane. Këta zëra duan që të ndërtohet një xhami skllevërish, njerëzish të kategorisë së dytë pa asnjë konotacion Islam, shpirtëror, por modern të përshatur me urbanizimin e vendit. Kërkojnë ta kthejnë xhaminë në objekt zbukurimi urban për të fshehur natyrën e saj madhështore të ngritjes peshë të shpirtit të muslimanit.  Disa zëra polemizojnë se kjo xhami nuk duhet të jetë në stilin Osman, per t’ju larguar sa më shumë fobisë së tyre aq të madhe ndaj Perandorisë  Osmane. Po mua, kupolat më ngjajnë më shumë me kupolat e “Kubetu Sahra” dhe Xhamisë Aksa në Palestinë, ndërsa minaret, ato duhet që të ngrënë peshë shpirtin e muslimanit për namaz në çdo cep të Prishtinës! Edhe pse e urrejnë jobesimtarët! Pse duhet ta urrejnë thirrjen më madhështore në rruzullin tokësor?  Më duhet të bëj dua për veten time, u ndalsha para Xhamisë së Madhe në Prishtinë me 4 minare e me kupolë të stilit të Xhamisë së Shenjtë Mesxhidil Aksa! Sa me fat janë prishtinalitë,  mos lejoni t’ju detyrojnë në xhami skllevërish!

Vajada Keçi Manjani

Vajada Keçi Manjani

Autorja prej vitesh jeton në Itali. Është diplomuar në Universitetin e Brescias për Ekonomi dhe Biznes dhe ka një master në "International Commerce" pranë Universitetit të Padovas.
Vajada Keçi Manjani

LEAVE A REPLY