Zilia apo cmira është një helm që shkatërron marrëdhëniet me miqtë, shoqërinë dhe këdo. Zilia helmon ziliqarin por dëmton dhe personin e xhelozuar. Po çfarë është zilia? Zilia egziston atëherë kur ne urrejmë atë çfarë ka tjetri dhe duam që ai të mos e posedojë atë të mirë.  Sipas disa studimeve zilia kryesonte ndaj suksesit, sidomos ndërmjet miqve, apo njerëzve të ngjashëm me vetveten sesa me njerëz që janë ndryshe nga ne apo jo shumë të afërt.
Dy gjërat për të cilat njerëzit kanë më së shumti zili tek njëri tjetri ishin:

1-      Profesioni/puna/pozita dhe

2-      Partnerja/partneri (jeta private).

Ndër shkaqet e zilisë mund të jenë:

1-      Kur nuk ke simpati për një person dhe mendon se vetëm ti e meriton atë të mirë apo sukses.
Ndoshta ai person mund t’iu ketë lënduar në të shkuarën, dhe jeni akoma i zemëruar me të. Pra, sa herë ata arrijnë diçka të mirë për veten e tyre, ju shtoni dozën e urrejtjes.

2-      Krahasimi me të tjerët. Kjo kryesisht ndodh me personat e ngjashëm me njëri tjetrin, ndoshta e njëjta moshë, specializim, gjini etj. Një ndjenjë zilie mund të lindë dhe brenda familjes kur prindi gjithmonë krahason fëmitë me njëri tjetrin apo krahason fëminë e tij me shokët.

3-      Të menduarit se je më i miri. Ushqimi i vetvetes se ti je i aftë për çdo gjë, më shumë se kushdo tjetër shkakton zili ndaj çdokujt që posedon diçka që ti nuk e ke.

4-      Frika se mos nuk do jesh më aq i veçantë të kaplon,  ndaj krenaria s’të lejon t’i gëzohesh suksesit të dikujt tjetri.

Veç ndjesisë së zilisë e rëndësishme është dhe reagimi që kemi ndaj saj. Psikologët pohojnë se ka 3 mënyra si mund t’i pergjigjemi: nënshtrim; ambicie dhe shkatërrim. Disa mënyra si mund të shpëtojmë nga zilia janë: të vetmjaftohemi me jetën tonë, të mos krahasojmë jetën me të tjerët pasi rrethanat e suksesit varen nga faktorë që janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, të njohim vetveten dhe pikat tona të forta dhe të punojmë fort për t’i vënë në pah, të mundohemi që  zilinë ta shndërrojmë në forcë ambicieje për të arritur qëllimet tona.

Ndërkohë, Islami (si një fe edukuese e shoqërisë për të jetuar paqshëm në këtë botë, po ashtu për të fituar parajsën e ërtejme)  me këshillat  nga Kurani dhe jeta profetike, është shkolla më e mirë për një individ që e mëson se si mund të luftojë dobësitë e vetvetes apo veset.

Zilia dhe xhelozia ka qënë e pranishme që me krijimin e njeriut. Iblisi për shkak të urrejtjes ndaj respektit që Allahu i dhuroi Ademit u bë ziliqar dhe theu urdhrin e Zotit. Vëllezërit e profetit Jusuf për shkak të zilisë e xhelozisë e hodhën atë në pus. Zilia s’bën gjë tjëtër vecse na bën ne humbës.

Ndaj, edhe kur gabimisht kemi devijuar nga ndjenjat e pastra, busulla kuranore dhe profetike sërish të kujton atë fillestaren nga duhet të kthehemi. E si munden besimtarët të kenë “… zili atyre njerëzve për atë që Allahu u dha nga mirësitë e Tij…” (En-Nisa, 54). Kur çdo të mirë e kemi vetëm prej Tij, dhe cdo të keqe na vjen nga vetja jonë. Profeti Muhamed a.s. na këshillon kaq urtë se sa të fituar do jemi në këtë botë më së pari, e për të mos folur për shpërblimin në botën tjetër, nëse zbatojmë : “Mos hulumtoni as mos përgjoni të metat mes jush, mos kini zili, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos urreni njëri tjetrin, por bëhuni robër të Allahut.”

Ndaj,  nëse në zemrën tonë po ndjejmë zili ndaj dikujt,

  • Le të kujtojmë se Zoti është i Drejti i të drejtëve.
  • Të themi MashaAllah (atë ç’ka don Allahu). Kjo të ndihmon të kujtosh se çdokush merr vetëm atë që Zoti ja ka caktuar.
  • Të bëjmë dua për personin ndaj të cilit kemi zili që Zoti ta bekojë me të mirën e tij dhe të lutemi që dhe ne Zoti të na furnizoj me të mira.
  • T’i lutemi Zotit të pastrojë zemrat tona nga lakmia, zilia e xhelozia.

Allah, na begato me të mirat e tua të pafundme. Nëse zemra lakmon diçka që s’e kemi, shumëfishoja atij që lakmojmë dhe na jep dhe ne nga ajo mirësi!

Amin.

Brunilda Basha

Autorja është Arkitekte dhe jeton në Kuala Lumpur, Malajzi. Është e specializuar në Restaurimin dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Arkitekturore.

Latest posts by Brunilda Basha (see all)

LEAVE A REPLY