Albina Ferko Nanaj, e sapo zgjedhur në Këshillin Bashkiak të Tiranës, është femra e parë me shami në një post të tillë. Ajo vjen në një rrëfim për Muslimanja.com ku tregon sfidat dhe rrugëtimin nëpër të cilin ka kaluar për të arritur deri këtu:

Unë vij nga një familje myslimane në të cilën kam mësuar bazat e besimit islam. Për këtë u jam mirënjohëse mbi të gjitha gjyshërve të mi që më kanë mësuar shehadetin, e më pas nënës sime, e cila që në moshë fare të vogël e bëri prezent tek unë besimin në Zotin Një dhe të Vetëm. Në moshën e adoleshencës kurioziteti rritet dhe pikërisht në atë kohë jam mrekulluar nga leximi i Kur’anit. Gjatë jetës studentore kontaktet me xhaminë dhe motrat myslimane u shpeshtuan: nisa të falem dhe të agjëroj rregullisht, por ende nuk e shihja mbulesën si pjesë të obligimeve fetare. Deri sa fillova të kisha një mëdyshje në lidhje me sinqeritetin e besimit tim. Fillova të mendoj “Nëse unë duhet të jem e mbuluar kur falem, kur dal para Krijuesit tim që njeh çdo detaj timin, e si mund të dal zbuluar para të tjerëve?!” Kështu kuptova se mbulesa jo vetëm ishte një obligim për mua si besimtare, por ishte pjesë e identitetit tim pa të cilën unë nuk isha e plotësuar. Përmes mbulesës kam fituar lirinë time; lirinë për të shfaqur identitetin tim dhe lirinë për ta adhuruar Zotin.

Kam krijuar bindjen se familja dhe shoqëria e kanë perceptuar rëndësinë që ka për mua mbulesa dhe të jem e sinqertë kam pasur mbështetje dhe reagime pozitive. Mendoj se qëndrimi i njerëzve ndaj teje varet shumë nga qëndrimi që ti ke ndaj vetes. Nëse mendon se mbulesa të fisnikëron dhe t’i shton vlerat, edhe të tjerët ashtu do të të shohin. Edhe reagimi më i keq që mund të marrësh nuk duhet të cenojë paqen tënde, sepse të tjerët nuk e njohin këtë paqe që ti ndien, e nëse nuk iu flet për të, nëse nuk ua prezanton këtë paqe, ata nuk kanë për ta mësuar kurrë.

Me ato që thashë më sipër nuk për qëllim të shfaq një realitet ideal ku nuk ekzistojnë paragjykime dhe stigmatizimet, por thjeshtë mendoj se nuk duhet t’u japim më shumë rëndësi se ç’duhet.

Për sa i përket sprovave në lidhje me mbulesën, ato janë më shumë personale. Gjithmonë kam dashur të jap më të mirën time në çdo fushë dhe në çdo situatë, në mënyrë që unë dhe motrat e tjera me shami të mos përfundojmë të paragjykuara dhe të etiketuara. Edhe në vazhdim ky do të jetë një nga lajtmotivet e punës time. Shaminë e kam vënë në vitin e fundit të studimeve të mia master. Kisha krijuar një raport me profesorët dhe me studentët e tjerë. Këto raporte ishin dhe vazhdojnë të mbetën shumë të mira edhe pas zgjedhjes time. Gjithashtu, bashkëpunimi dhe mbështetja kanë mbetur njësoj.

Menjëherë pas përfundimit të studimeve kam nisur punë si përkthyese nga gjuha angleze në sektorin privat. Kam punuar në dy kompani mjaft të rëndësishme në përkthimet televizive. Edhe pse nuk isha në profilin tim, pata mundësinë të rritem profesionalisht edhe falë mbështetjes së punëdhënësve me të cilët bashkëpunoja. Jo vetëm që janë treguar shumë të hapur në raport me shaminë, por madje shfaqnin një etikë më të lartë në komunikim dhe sa iu përket praktikave fetare.

Ndërsa për sa i përket kandidimit për këshillin bashkiak, qëllimi im ka qenë të përfaqësoj atë shtresë të qytetarëve të Tiranës të cilët nuk kanë qenë të përfaqësuar siç duhet deri tani; fjala është për çdo qytetar të ndershëm,  e jo vetëm për myslimanët apo vajzat me shami. Zgjedhjen time e shoh si një mundësi të mirë për të transmetuar zërin e qytetarëve dhe si një përgjegjësi për t’iu përgjigjur pritshmërive të atyre që e shohin me shpresë praninë time në këshillin bashkiak.

Në këtë drejtim, një mbështetje e fuqishme për mua ka qenë familja ime, e në mënyrë të veçantë bashkëshorti im, pa ndihmën e të cilit ndoshta nuk do të arrija deri këtu. Ai ka qenë gjatë gjithë kohës një frymëzim për mua dhe një mbështetje emocionale e intelektuale, e cila më ka dhënë vetëbesim dhe vendosmëri. Këshillat e tij janë vazhdimisht referenca për mua. Ndihem e kënaqur që ai është bashkudhëtari im. Ai gjithmonë më nxit që të jem origjinale dhe të dëgjoj ndërgjegjen time, duke dhënë gjithmonë më të mirën nga vetja.

Sa i përket mbështetjes apo paragjykimeve, mund të them se kanë qenë prezente që të dyja nga të dyja palët; muslimanët dhe jomuslimanët.  Kandidimi im nuk ishte risi pasi edhe vajza të tjera të mbuluara janë kandiduar më parë, por reagimet lindën për faktin se isha shumë pranë fitores. E duke qenë se tashmë është konfirmuar prania ime në Këshillin Bashkiak, vëmendja e mediave dhe e qytetarëve është shtuar më shumë. Deri tani kam hasur komente pozitive dhe një qasje dashamirëse nga ana e medias, përtej kuriozitetit dhe skupit që ofron kjo gjë. Sigurisht, ka edhe reagime skeptike e islamofobe.  Në shumicën e rasteve këto paragjykime vijnë si pasojë e mosnjohjes dhe mungesës së një shembulli të prekshëm, i cili të hedhë poshtë këto paragjykime. Padyshim, kjo mbetet një nga sfidat e punës sime, të cilën e kam pranuar me të mirat dhe të këqijat që mbart.

Në mbyllje dua të shtoj se pavarësisht arritjeve të mia modeste, shpresoj që shembulli im të shërbejë si nxitje për shumë motra myslimane që janë në prag të vendosjes së shamisë. Merreni atë hap dhe me punën tuaj sigurohuni që kjo të jetë zgjedhja më e mirë që keni bërë në jetë. Ndërsa atyre që këtë zgjedhje e kanë bërë prej kohësh do t’u kërkoja sinqerisht që të jenë krenare për mbulesën e tyre dhe për vlerat islame që mbartin. Këto vlera duhet t’i shpalosin në çdo fushë të jetës përmes moralit dhe punës së tyre. E di që nuk është e lehtë, por me mund dhe sakrifica çdo gjë është e mundur.

Përzemërsisht motra juaj në Islam Albina Ferko Nanaj.

Muslimanja.com

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.