Pa dyshim, Arkitektura është identiteti solemn i popujve dhe qytetërimeve. Ajo është një strukturë unike apo dalluese që bëhet pikë referimi për një mjedis, monument që simbolizon identitetin, formën dhe tingullin e një shoqërie të caktuar, monument që në mënyrë kolektive përfaqëson imazhin që një shoqëri mbart. Lindi sëbashku me njeriun i cili për të jetuar krijoi strehën e tij. Arkitektura është edhe referenca më e fortë e historisë dhe identitetit tonë, prejardhjes, ndodhive dhe ngjarjeve të ndryshme në kohë dhe hapësirë. Jo vetëm kaq, por është zinxhiri lidhës i civilizimeve dhe qytetërimeve sunduese në epoka të ndryshme, duke ndikuar në njëra-tjerën gjatë gjithë epokave. Periudhat kryesore arkitekturore përgjatë globit fillojnë që nga kohët prehistorike duke vazhduar me atë Egjiptiane, Mesopotame, Greke, Helene, Romake, Bizantine, Islamike, Osmane, Indiane, Japoneze, Kineze, Moderne, e deri në ditët tona. Në këtë seri do të paraqesim sado pak njohuri mbi Arkitekturën Orientale, ose më saktë Arkitekturën Islame. Arkitektura Islame është një lëvizje dhe zhvillim global e cila lindi në vendet arabe dhe u shtri nga Spanja në Indi brenda një shekulli.

Arkitektura Islame gjatë gjithë historisë së saj adaptoi dhe reagoi ndaj kulturave dhe traditave të ndryshme ekzistuese të objekteve pa dobësuar thelbin shpirtëror, i cili ishte burimi i saj i frymëzimit. Zhvillimi i saj u ndikua kryesisht nga ndërtimet e bëra në Gadishullin Arabik gjatë kohës së Profetit (a.s) si dhe veprat arkitekturore të grekëve, romakëve, bizantinëve dhe persianëve, secili me motivet e tyre, por gjithmonë duke ardhur në një stil origjinal dhe në harmoni me mjedisin, nevojat dhe kushtet socialo-kulturore.

Mjafton të përmendim kryeveprat si Xhamia e Kordobës në Spanjë apo Ibn Tulunit në Kairo, Taj Mahali në Indi, apo medresetë e Samarkand-it dhe arrijmë të kemi një perceptim mbi harmoninë e filozofisë që ajo arkitekturë përcjell. Mbi të gjitha, harmoninë e stileve të ndryshme të cilat ndonëse në kufinj të largët gjeografik, sërish kanë një pikë takimi. Për këtë diversitet dhe unitet, studiuesi Titus Burckhardt do shprehej  se Arti islam përfshin një gamë të tërë stilesh, secila prej tyre dallohet qartë dhe korrespondon me një mjedis specifik etnik, megjithëse asnjë stil specifik nuk mund të përshkruhet se është pak apo më shumë “islamik” se tjetri; ky është një shembull i fenomenit të diversitetit në unitet, ose i unitetit në diversitet.”

Por kur dhe si lindi Arkitektura Islame?

Është e udhës të përmendim se hulumtime të shumta janë mbajtur dhe mbahen mbi artin dhe arkitekturën Islame. Studiuesit gjithmonë kanë patur mendime të ndryshme nëse ka një arkitekturë që mund të quhet “islamike” apo jo, e në qoftë se ka, cili është kuptimi i saj dhe cilat janë karakteristikat kryesore. A duhet quajtur Islamike çdo objekt i ndërtuar vetëm në vendet me shumicë myslimane, apo vetëm çdo objekt që është ndërtuar nga muslimanët? Është vetëm arkitektura e Lindjes dhe vendeve të sunduara nga Perandoria Osmane, apo dhe ajo në Indonezi e Spanjë? Është arkitekturë Orientale apo Islamike? Në fakt, pa ndrojë mund të përdorim termin Islamik, sepse këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një stil brenda vendeve të Lindjes, apo vetëm me botëkuptimin e studiuesve perëndimor mbi kulturën Lindore.

Arkitektura islame është i gjithë diapazoni i arkitekturës që ka evoluar brenda kulturës myslimane gjatë gjithë historisë së Islamit. Prandaj termi përfshin ndërtesa fetare si dhe ato laike, historike si dhe shprehje moderne dhe prodhimin e të gjitha vendeve që kanë qenë nën nivele të ndryshme të ndikimit islamik. Përveç arkitekturës religjioze, arkitektura Islame përfshin edhe pallatet, kalatë, spitalet, shkollat, pazaret, banjot publike, shatërvanët, karvanserajët, urat si dhe ndërtime tjera arkitekturale me vlera artistike.

Fillimet e Arkitekturës islame datojnë në fillim të shekullit të 7-të në Arabi me rindërtimin e Kabes, pastaj ndërtimi i kompleksit xhami-shtëpi e Profetit Muhamed në Medinë dhe duke vazhduar me zhvillimet dhe përhapjen e saj në Irak, Siri, Anadoll, Afrikën e Veriut, Egjipt, Spanjë, Iran, etj..

Një kategorizim bazuar në zhvillimet politike dhe stilistikore do të ishte si më poshtë:

1. Arkitektura e Hershme Islame (622 – 661)

Kjo periudhë fillon që me shaplljen e Profetit Muhamed, deri në vitin 661. Kjo periudhë shfaq një arkitekturë modeste, objekte një katëshe me materialet e vendit, pa ndonjë tipar dallues arkitektonik apo artistik. Objekte religjioze të vogla, pa minare. Më vonë Xhamia në Medine u bë shembull për xhamitë e tjera. Xhamitë e quajtura: tip Kufa përbëjnë dhe llojin e parë të xhamisë në artin islamik. Forma e xhamisë ishte jashtëzakonisht e thjeshtë. Në fillim, xhamia e Profetit ishte vetëm një skelet. Muret e saj përbëheshin nga tulla balte të vendosura mbi themele guri, pa cati dhe me tre hyrje kyesore, nga jugu, lindja dhe perëndimi. Me rritjen e angazhimeve u zhvillua dhe forma e xhamisë. Kështu filloi mbulimi i pjesës së sipërme në formën e një kolonade, vendosja e kalldrëmave në një nga portat e saj, shtimi i një minberi dhe një vendi specifik për qëllime komunikimi, u vendosën llamba për ndricimin e Xhamisë natën dhe disa ndarje të hapësirave të cilat lehtësuan funksionet e ndryshme të xhamisë.

Përmirësimi i parë i arkitekturës islamike u bë gjatë kalifatit Rashid (632-661 CE), pasuar nga përpunime të mëtejshme gjatë Hilafetit Umajad (661-750 CE). Pas kësaj, rajone të ndryshme filluan të zhvillojnë tradita të ndryshme të arkitekturës, duke reflektuar sinkronizim të natyrshëm mes Islamit dhe traditave lokale.

2. Periudha Umajide (Emevi) (661 – 750)

Arkitektura Umajade përfaqëson lindjen e traditës së parë arkitektonike Islame, e cila përshtati tiparet nga fjalorët e mëparshëm, duke përfshirë ato të Sassanians dhe Bizantit. Gjatë kësaj periudhe arti Islam u zhvillua me shpejtësi. Kjo ngjalli rritje të formave dhe ndërtesave të reja arkitektonike. Qendra e shtetit dhe zhvillimeve ishte Damasku. Në atë periudhë, arkitektura religjioze përbëhej nga plani transept (si ai i bazilikave), xhamia zhvilloi elementet e saj kryesore strukturore dhe funksionale të tilla si Minareja, Mihrab, Maksurah dhe kupola. Kupola tek ndërtesa e “Dome of Rock” fitoi tërë forcën rrezatuese që është kaq karakteristike e arkitekturës Islame.

Artet dekorative krijuan bazat e tyre përmes përdorimit të kaligrafisë, mozaikëve të qelqit dhe abstrakteve vegjetale dhe gjeometrike. Vepra të rëndësishme të asaj kohe mund të përmendim “Dome of Rock-Jeruzalem”, Xhamia e madhe e Damaskut, Kështjella Kharana, pallatet në qytetin Anjar, Xhamia e madhe Kairouan,  etj.

3. Periudha Umajide (Emevi) e Andaluzise (shek 8 – shek.11)

Me marrjen e pushtetit nga Abbasitët, Umajidët e zhvilluan ecurinë e tyre duke vazhduar nga veriu i Afrikës – në Spanjë.  Në Spanjë, ndoshta është dhe kulminacioni i vlerave artistike dhe arkitekturore. Ekzistojnë dy vepra të rëndësishme islamike në Andaluzi që tërheqin vëmendjen: Xhamia Kordoba dhe Pallati Alhambra. Plani hipostyle i xhamisë, i përbërë nga një sallë lutjesh drejtkëndore dhe një oborr i mbyllur, ndoqi një traditë të vendosur në xhamitë Umejade dhe Abaside të Sirisë dhe Irakut. Sidoqoftë, artikulimi dramatik i brendësisë së sallës së lutjeve ishte i pashembullt. Sistemi i kolonave që mbështesin arkadat e dyfishta dhe harqeve është një trajtim i pazakontë që, në mënyrë strukturore, ndërthuri një efekt vizual të mrekullueshëm me avantazhin praktik të sigurimit të një lartësie më të madhe brenda sallës. Zbukurimet janë të bujshme, me disa lloje mermeri, mozaikë qelqi, elemente florale, dekorime gjeometrike të pafundta, ngjyra dhe materiale në harmoni të plotë, përdorim i dritës dhe elementit të courtyardeve, kopshteve dhe bimësisë.

4. Periudha Abbaside(750 – 1258)

Me Abasidët arkitektura Islame përhapet drejt lindjes. Ndryshimi rajonal dhe politik rezultoi gjithashtu në fushat e arkitekturës dhe dekorimit. Si tip plani, lloji i planit transept i lë vendin planit të Kufes. Nga ana materialeve, tulla balte dhe të pjekura u përdoren në vend të gurit. Qendrat më të rëndësishme kulturore të Abasidëve ishin qytetet Bagdad, Samarra dhe Raqqa. Në këtë periudhë shënohet dhe një nga planifikimet urbane më të lashta të qytetit Islam, ai i Bagdadit në gjysmë shekullin e 8-të. “Qyteti më i hershëm i Bagdadit, ndonëse i zhdukur plotësisht, kemi përshkrime mjaft të sakta, ishte një qytet perfekt rrethor, i mbyllur në një mur të dyfishtë, me lagjet e banimit të paraqitura në formën e një unaze dhe rrugët që dilnin nga qendra. Në mes të kësaj unaze dhe në qendër të një hapësire të gjelbër ishin vendosur pallati i Halifit dhe xhamia e madhe. Katër porta të fortifikuara, që lejojnë hyrjen në katër arterie kryesore, përballen me jug-lindjen, jugperëndimin, veri-lindjen dhe veri-perëndimin.” (Burckhardt, T; pg. 199-201)

Ndërsa si objekte mund të përmendim: Xhamia e madhe e Samarës apo Xhamia e Ibn Tulunit. Në këtë përiudhë shënohet dhe ndërtimi i universietit të parë në botë,  Al-Qaraëiyyin, i themeluar nga Fatima al-Fihri në Fes, Morok.  Në fillim ka qenë projektuar si xhami, medrese si dhe qendër arsimore për mësimin e lartë.

5. Periudha Fatimide (909 – 1171)

Periudha Fatimide, emrin e mori nga vajza e profetit Muhamed a.s. (Fatime r.a). Arkitektura e Fatimideve kombinon elemente nga arkitektura e Sirisë, Irakut dhe Iranit në Azi në lindje, me elemente nga Afrika e Veriut në perëndim. Ndërsa kapitelet e kolonave dhe boshtet rridhnin nga arkitektura klasike.

Kryesisht është arkitekturë e ndërtuar me gurë dhe tullë e cila përdoret jo vetëm për ndërtim strukturor, por edhe dekorativ. Disa tipare të tjera të arkitekturës mund të përmenden Kaligrafia “Kufi” e cila përdoret gjerësisht në mbishkrime, dekorimi “Fluted”, ai u arabeskut, florali dhe gjeometrisë, të cilat ekzekutohen në mermer, llaç, gur ose dru. Fatimidët zhvilluan përdorimin e harkut me katër qendra “Keel Arch” dhe muqarnas, një tipar që lidh sheshin me kupolën – një risi komplekse.

Gama e ndërtimeve varionte nga Xhamitë, mauselumet, monumentet e varreve, pallatet, portat monumentale, shkollat, etj. Zona qendrore e veprimtarisë dhe shprehjes arkitektonike gjatë sundimit Fatimid ishte në Kajro.

Në Kajro, xhamia e tyre e parë me xhemat ishte “al-Azhar” e themeluar së bashku me qytetin (969–73), ngjitur u ndërtua dhe institucioni i arsimit të lartë (Universiteti al-Azhar).

Brunilda Basha

Autorja është Arkitekte dhe studion doktoraturë në Stamboll, Turqi. Është e specializuar në Restaurimin dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Arkitekturore.
Brunilda Basha

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.