Nëse për të krijuar diçka, nevojitet kohë e gjatë vetëm, kjo është diçka që gratë asnjëherë nuk kanë pasur luksin ta kenë.

Para disa muajve, kur kisha vështirësi të gjeja kohë për të shkruar gjatë ditëve të mia të stërmbushura, një kolege më sugjeroi të lexoja një libër për ritualet e përditëshme të artistëve të mëdhenj.  Por në vend që të më jipte frymëzimin që kisha shpreuar, ajo që më goditi më shumë rreth këtyre gjenive krijues – shumica burra – nuk qe orari apo rutinat e tyre të përditëshme, por orari dhe rutinat e grave në jetët e tyre.

Bashkëshortet e tyre i kanë mbrojtur ata nga pengesat, shërbëtoret dhe kujdestaret e shtëpisë u kanë sjellur mëngjesin dhe kafenë në orë të caktuara, dadot i kanë mbajtur fëmijët larg tyre. Marta Frojd jo vetëm që ia përgatiste rrobat Sigmundit çdo mëngjes, por ajo edhe ia vendoste pastën e dhëmbëve në brushë. Kujdestarja e shtëpisë së Marsel Prustit, Selesta, jo vetëm që ia ka sjellë për çdo ditë kafenë me kroasanë dhe gazetën në një tepsi të argjendtë, por ka qenë çdoherë e gatshme kurdo që ai ka dashur të bisedojë, ndonjëherë me orë të tëra. Disa gra përmenden vetëm për atë se çfarë kanë duruar, si për shembull, bashkëshortja e Karl Marksit – e përmendur pa emër në libër, që ka jetuar në mjerim me tre fëmijët të mbijetuarit nga gjashtë fëmijët e tyre, përderisa ai i ka kaluar ditët duke shkruajtur në Muzeun Britanik.

Gustav Mahler qe martuar me kompozitoren e re të quajtur Alma, dhe pastaj ia ndaloi të kompozonte, duke i thënë që mund të kishte vetëm një kompozitor në familje. Në vend të kësaj, nga ajo pritej ta mbante shtëpinë krejtësisht të qetë për të. Pas notit të tij të mesditës, ai do t’i fishkëllente Almas për t’iu bashkëngjitur në ecjet e gjata e të qeta përderisa ai kompozonte në kokën e tij. Ajo do të ulej për orë të tëra në barë, duke mos guxuar t’i pengonte. “Ka një betejë përbrenda meje!”, ka shkruar Alma në ditarin e saj. “Dhe një mall i tmerrshëm për dikë që mendon PËR MUA, që më ndihmon ta gjej VETEN! Jam ulur në nivelin e një kujdestareje shtëpie!”

Për dallim nga artistët meshkuj, që kanë jetuar sikur koha e papenguar për veten të kish qenë e drejtë e lindur, ditët dhe trajektoret e jetës së pak artisteve femra të përmendura në libër shpesh kanë qenë të kufizuara nga pritjet dhe obligimet rreth shtëpisë dhe kujdesit për fëmijët. Xhorxh Sand çdoherë ka punuar natën vonë, një praktikë e filluar kur kishte qenë adoleshent dhe i duhej të kujdesej për gjyshen e tij. Që në fillim, një ditë shkrimi e Fransine Prose ka qenë e definuar nga shkuarja dhe kthimi i fëmijëve të saj nga shkolla. Alisë Munro ka shkruar gjatë grimcave të kohës që ka mundur të gjejë mes kujdesit për shtëpinë dhe rritjes së fëmijëve. Dhe Maja Anxhelo, është larguar nga tërheqja e shtëpisë duke u larguar krejtësisht e duke qëndruar në një dhomë hoteli për të menduar, lexuar dhe për të shkruar.

Madje edhe Antoni Trollope, i njohur për shkruarjen e 2,000 fjalëve para orës 8 çdo mëngjes, me shumë gjasë e ka mësuar këtë shprehi nga e ëma, e cila kishte nisur të shkruante në moshën 53 vjeçe për t’u kujdesur për bashkëshortin e saj të sëmurë dhe gjashtë fëmijët e tyre. Ajo zgjohej në ora 4 të mëngjesit dhe përfundonte së shkruari në kohën kur duhej t’i shërbente familjes mëngjesin.

Mendoj për të gjithë librat, pikturat, muzikën, zbulimet shkencore, filozofinë që kam mësuar në shkollë – thuajse e tëra e bërë nga burrat. Dirigjenti Zubin Mehta njëherë kishte thënë: “Thjesht nuk mendoj se gratë duhet të jenë në një orkestër”, sikur ato të mos kishin talentin për këtë. (Audicionet e verbra i vunë fund këtij mendimi.) Më kujtohet një intervistë që kishte dhënë Pati Skialfa, për atë se sa vështirë e kishte pasur të kompozonte për albumin e saj solo, sepse fëmijët e kishin ndërprerë vazhdimisht dhe kishin kërkuar nga koha e saj në një mënyrë që asnjëherë nuk do ta bënin me babain e tyre, Brus Sprinstin. Dhe kjo më godet: nuk është se gratë nuk kanë pasur talent të lënë gjurmët e tyre në botën e ideve dhe artit. Ato asnjëherë nuk kanë pasur kohë.

Koha e gruas është ndërprerë dhe ndarë përgjatë historisë, ritmet e ditëve të tyre janë përkufizuar nga punët sizifore të shtëpisë, kujdesit për fëmijët dhe farefisin – ruajtjen e lidhjeve mes familjareve dhe komunitetit. Nëse ajo çfarë nevojitet për të krijuar janë shtrirje të gjata e të, të pandërprera e të koncentruara të kohës, kohë me të cilën t’i vendos se çfarë do të bësh, kohë të cilën mund ta kontrollosh, kjo është diçka që gratë asnjëherë nuk e kanë pasur luksin ta kenë, të pakten jo pa u cilësuar si vetanake.

Madje edhe sot, nëpër gjithë botën, me aq shumë gra në tregun e punës së paguar, gratë akoma kalojnë dyfish më shumë kohë se burrat me punë shtëpie dhe kujdes për fëmijët, e ndonjëherë edhe më shumë. Një studim i 32 familjeve në Los Angeles, ka gjetur se koha e pandërprerë e një nëne zgjat mesatarisht jo më shumë se 10 minuta. Dhe duke skicuar përditshmërinë e akademikëve, sociologia Xhoja Misra dhe koleget e saj kanë gjetur se ditët e punës së profesoreshave ishin shumë më të gjata se ato të kolegëve të tyre burra, kur të llogaritësh këtu krejt punën e papaguar që ato bëjnë në shtëpi. Ajo ka gjetur se gratë dhe burrat që ajo ka studiuar kanë kaluar afërsisht kohë të njejtë në punë. Por koha e gruave në punë, gjithashtu, ka qenë e penguar dhe e ndarë me më shumë punë shërbimi, mentorimi dhe mësimdhënie. Burrat kanë kaluar më shumë nga ditët e tyre të punës në kohë të papenguar, duke menduar, hulumtuar, duke shkruar, krijuar dhe publikuar për të bërë emër, për t’i avancuar karrierat dhe për t’i nxjerrë idetë e tyre para botës.

Studiuesit feministë kanë gjetur edhe se gratë nuk ndihen se meritojnë periudha të gjata kohe për veten e tyre, ashtu siç mendojnë burrat. Gratë ndjejnë se duhet ta meritojnë këtë. Dhe mënyra e vetme për ta bërë këtë është për t’i dalë në fund një liste pafund të gjërave që duhet bërë: punët e një dite, siç shkruan Melinda Gejts, që vrasin ëndrrat e një jete.

Më kujtohet që kam intervistuar psikologun Mihaj Çiksentmihajli, i njohur për identifikimin e “gjendjes së rrjedhës”, kulmi i përvojës njerëzore kur një njeri aq shumë absorbohet në një veprim kuptimplotë, sa koha zhduket. Kjo është gjendja për të cilët artistët e mendimtarët thonë se është parakusht për të krijuar diçka me vlerë. E kam pyetur atë nëse hulumtimi i tij kishte eksploruar nëse gratë kishin mundësinë të hynin në këtë gjendje të rrjedhës aq sa burrat. Ai mendoi për një çast, dhe pastaj më tregoi ngjarjen e një gruaje që kishte humbur idenë e kohës duke hekurosur këmishat e bashkëshortit të saj.

Poetja Elenor Ros Tejlor, ka jetuar në hijen e bashkëshortit të saj, shkrimtari fitues i çmimit Pulitcer, Pitër Tejlor. “Përgjatë viteve, shpeshherë i thoja poezive, “Ikni, nuk kam kohë tani”, ka thënë ajo në një intervistë të vitit 1997.

Kam një ndjenjë të humbjes kur mendoj për poezitë e mrekullueshme të pashkruara që janë vënë në rend të dytë nga dyshemetë e lustruara. Dhe për një kohë të gjatë, mendoja se ideja se të tjerët duhet të marrin kujdes së pari, se dyshemetë duhet të lustrohen dhe se ajo është përgjegjëse për këtë i ka mbajtur rrëfimet të mbyllura, të shtypura brenda saj, deri në dhimbje, siç shkruan Maja Anxhelo. Por pyes veten nëse gratë mendojnë e nuk meritojnë kohë për veten. Pyetem nëse ndjejmë se nuk meritojmë t’i rrëfejmë historitë tona, sepse mund të mos jenë të denja për t’u dëgjuar.

Shkrimtari VS Naipaul ka deklaruar se asnjë grua nuk mund të krahasohej me të, se shkrimi i grave është shumë “sentimental”, botëkuptimet e tyre shumë “të ngushta”, sepse, e dini, jetët e burrave janë standardi i përvojës njerëzore. Dhe shpesh pyetem: a do ta kishte marrë një grua që do të kishte shkruar një roman me gjashtë vëllime mbi jetës e saj, të njejtën vëmendje dhe duartrokitje botërore si shkrimtari norvegjez Karl Ove Knausgard, autor i “Përpjekja ime”?

Virxhinia Vulf, njëherë kishte imagjinuar se çfarë do të ishte bërë me Shekspirin nëse do të kish lindur si grua, ose nëse do të kishte pasur një motër po aq të talentuar. (Mendoni për talentin muzikor të Nannerl Mozart, kompozimet e hershme të së cilës i vëllai Wolfgang i kishte lëvduar si “të bukura”, por që më vonë ishin humbur, apo kishin mbetur të shtypura, të pashkruara, gjersa ajo ishte zhdukur në një martesë pa dashuri.)

Shekspiri grua, shkruan Vulf, asnjëherë nuk do të kishte pasur kohë ta zhvillonte gjenialitetin e saj – e ndaluar nga shkolla, me pritjet të martohet e re dhe e rrahur nëse nuk do ta bënte. Motra e Shekspirit, krahas dhuntive të mrekullueshme, do të përfundonte si e çmendur, e vdekur ose e heshtur në një kasolle në pyll dhe e cilësuar si shtrigë.

Por historia nuk përfundon kështu. Vulf ka imagjinuar se, në të ardhmen, një grua gjeni do të lind. Aftësia e saj për të lulëzuar dhe pritja se zëri dhe vizioni i saj kanë vlerë, do të vareshin krejtësisht nga bota që do të vendosnim të krijojmë. “Ajo do të vinte nëse ne do të punonim për të,” ka shkruar Vulf.

Unë nuk them se kam ndonjë gjenialitet të veçantë. Por ndonjëherë, ëndërroj që rrij në një dhomë të errët, e ulur përballë një versioni tjetër të vetes ime, që rri ulur, e çliruar nga koha, dhe qetësisht pi një filxhan çaji. “Do të doja të vije më shpesh”, më thotë ajo. Dhe pyetem nëse dhimbja përcëlluese në mes të natës, që shpesh e ndiej në bark, mund të vetëm pse kam aq pak kohë të pathyer për t’i rrëfyer historitë e mia të pathëna, por sepse kam frikë se ajo që ziej përbrenda mund të mos jetë e denjë për vëmendje. Ndoshta kjo është ajo me të cilën nuk dua të përballem në atë dhomën e errët që ëndërroj.

E pyes veten edhe këtë: çfarë nëse vërtet do të punonim të krijonim një botë ku motrat e Shekspirit dhe Mocartit, apo çdo grua tjetër, do të mund të lulëzonte? Çfarë do të ndodhte nëse do të vendosnim që gratë meritojnë kohë për të shkuar në dhomat e tyre të errëta? Çfarë nëse të gjithë do të vendosnim ta vizitonim veten më shpesh, të pinim çaj sëbashku, duke i dëgjuar historitë tona, duke e ditur se kanë vlerë thjesht sepse janë të vërteta? Do të doja shumë të shoh çfarë do të ndodhte më pas.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.