“Jeta imiton artin shumë më tepër sesa arti imiton jetën.”-Oscar Wilde

Arti ka qenë pjesë e jetës për aq kohë sa vetë njerëzimi ka ekzistuar. Për mijëra vjet me radhë deri në ditët e sotme, njerëzit krijojnë, vështrojnë dhe shijojnë artin. Është pjesë e kulturës dhe jetës sonë të përditshme. Nëpërmjet formave dhe mediumeve të ndryshme që artistët zgjedhin si; artet pamore, skulptura, muzika, letërsia, filmi, teatri, piktura, etj, ata shprehin idetë dhe imagjinatën krijuese të tyre dhe tonën në forma të prekshme. Nëse të gjithë individët e një shoqërie mundohen të bëjnë këtë gjë, krijohet një psikikë kolektive e një përiudhe të caktuar duke bërë që mesazhi i artit ta tejkalojë kohën apo vendodhjen. Arti i bashkon njerëzit, duke u kujtuar atyre vlerat që u duhet të mbështesin, u kujton se çfarë ka më shumë rëndësi në jetë: dashuria, e bukura, e mira, pikat takuese dhe jo ndarëse, pasionet dhe dëshirat e njeriut. Ai ngrihet mbi klasën politikë, gjuhën, nacionalitetin, gjininë apo faktorë të tjerë të cilat mundohen të na ndajnë. Historikisht arti është përdorur si mjet ndërtues dhe përmirësues i jetës, si një armë për tu qasur me njëri tjetrin me më shumë empati dhe mirëkuptim. Arti në shumicën e rasteve më tëpër se sa krijimtari e bukur për t’u parë, është ajo çfarë ne jemi, çfarë na ka ndodhur, sa të thyer mund të ndihemi, si të shërohemi, si të ngjisim copëzat, si e ngjyrosim jetën.

Greqinë e lashtë, arti ishte virtyt i njeriut të mirë, i cili përkrahte kulturën, intelektin dhe vlerat estetike. Po ashtu dhe filozofët si Plato apo Aristoteli kanë pohuar ndikimin dhe vlerën e madhe të artit në jetën e fëmijëve. Në Amerikë, pas luftës Revolucionare të shek.18, veprimtaritë artistike si letërsia, poezia e muzika ishin ndër aktivitetet më të pëlqyera për të përmirësuar cilësinë e jetës. Studime të shumta vërtetojnë se arti është një mjet i fortë në përmirësimin e mirëqënies, në edukimin e të rinjve, në përfshirjen sociale,në zhvillimin ekonomik dhe rigjenerimin e komunitetit. Ai i jep shoqërisë identitet kulturor si dhe ndikon në përmirësimin e shëndetit mendor e fizik të njerëzve.  Arti shihet si një instrument për të mirëmbajtur shoqërinë. J. Dewey në librin e tij Arti si një eksperiencë deklaron se vlera e artit duhet të përfshihet në sistemet e marrëdhënieve shoqërore. Pra arti nuk qëndron për veten e tij, por përkundrazi është në shërbim të vlerave të shoqërisë. Sic dhe Pablo Picasso thotë: “Arti largon nga shpirti pluhurin e jetës së përditshme.”

Thënë këtë, shoqëria duhet ta shohë dhe trajtojë  botën e artit dhe kulturës si një burim jetik jo vetëm për zgjidhjet, por edhe për mënyrat e gjetjes së zgjidhjeve.  Veprime të ndryshme brenda arteve, siç janë pikturat, muralet, festivalet, panairet, vizitat në muze,  ekspozitat apo shfaqjet teatrale shërbejnë si një arratisje nga rutina e përditshme. Ndërkohë që argëtohesh ndjehesh i lirë, pushon, relaksohesh dhe shijon dicka të bukur. Pra, arti ka ndikim në anën psikologjike të njeriut duke përmirësuar cilësinë e jetës së tyre. Aktivitete të tilla jo vetëm ofrojnë kënaqësi momentale, por hapin dritare të reja për vëzhguesin, i celin dyer imagjinatës, mendimit kreativ dhe të pavarur duke ndikuar kështu në dëshirën për të sjellë dicka të re, ndryshe, unike dhe me individualitet të tijin.

Brunilda Basha

Autorja është Arkitekte dhe studion doktoraturë në Stamboll, Turqi. Është e specializuar në Restaurimin dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Arkitekturore.
Brunilda Basha

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.