Një ndër veçantitë që e karakterizon Belkisën, është aftësia e saj e lidershipit, e cila lëvdohet përpara se të sqarohet aspekti i saj pagan, pra që adhuronte diellin së bashku me Zotin. Aspekt ky i cili nuk është karakteristik për gjuhën e Kuranit: pa përjashtim asnjë udhëheqës tjetër jobesimtar nuk është lavdëruar në Kuran (kujtojmë këtu faraonët qoftë të Musait, të Ibrahimit, Jusufit etj.) Përmenden disa prijës të drejtë dhe të aftë muslimanë në Kuran si përshëmbull Dhulkarnejni, apo lidershipi i Musait pasi doli nën krye të udhëheqjes së beni israilëve, Jusufit pasi mori postin e ministrit, Muhamedi a.s etj. Mirëpo të lavdëruarit e cilësisë të një lidershipi pozitiv theksohet vetëm në rastin e Belkisës.

Në ajetet që flitet për lidershipin e saj sqarohen dhe aryset se përse ajo ishte meritore për këtë post madje mund të merret si një shembull për etikën e shuuaras (konsultim i përbashkët) pasi, menjëherë pas letrës së Sulejmanit, gjëja e parë që ajo bëri ishte të ftonte këshilltarin (ose këshilltarët e saj) si dhe parinë e vendit dhe të kërkojë prej tyre jo vetëm konsulencë por edhe i ftoi ata që t’i propozonin zgjidhje konkrete se si duhej të vepronte në këtë rast.

Nga ana tjetër, pavarsisht se ajo i konsiderojë të gjitha këshillat, udhëzimet përkatëse dhe propozimet e mundshme, fakti që ata ia lanë në dorë asaj vendimin përfundimtar, një vendim i cili ishte çështje jete a vdekje, do të thotë që ata kishin një respekt dhe vlerësim të pamatur tek ajo.

Teksa Belkisa shqyrton vendimin e saj, del në pah një tjetër apsket pozitiv i lidershipit të saj që lufton stereotipin se gratë janë emocionale dhe në të shumtën e rasteve vendosin me zemër, ajo do të anojë më shumë drejt vendimit për të gjetur një zgjidhje diplomatike për të kursyer jetët e popullit të saj duke parë shanset e pakta gati inekzistente për të fituar. Përkundër sugjerimit të këshilltarit të saj “emocional” i pushtuar nga ndjenjat e krenarisë dhe emocionet mashkullore për të ngadhënjyer mbi armikun me anë të luftës, pa marr parasysh këtu jetën e vetë popullit.

Por, sipas Kur’anit, mençuria e saj nuk është e kufizuar vetëm në çështje politike dhe ushtarake ose për çështjet diplomatike në përgjithësi. Mençuria i shërben asaj edhe kur bëhet fjalë për të medituar rreth të vërtetës dhe përqafimin e mesazhit monoteist. Në fakt, sipas deklaratës së saj, ajo ishte “dorëzuar” edhe para takimit me Sulejmanin.

Belkisa, mbart vlera si dinjiteti, nderi dhe integriteti dhe e paraqet veten si një shembull jo vetëm për të gjitha gratë por dhe për të gjithë njerëzimin. Gjithashtu nuk ka asnjë lloj shpjegimi në Kur’an se ajo duhet të jetë vetëm një shembull për gratë ose vetëm për gratë muslimane. Ajo përshfaq cilësi të cilat i gjithë njerëzimi duhet t’i mishërojë.

Por nga ka ardhur atëherë ideja se gratë nuk duhet të udhëheqin?

Sipas një hadithi që shënohet në Sahihun Buhari: Ebu Bekra r.a. tregon: “Gjatë ditëve të luftës së Xhemelit Allahu më dhuroi shumë dobi nga një fjalë që e kisha dëgjuar nga i Dërguari i Allahut a.s., pasi për pak sa nuk u bashkova me grupimin e Xhemelit (të devesë) dhe të luftoja përkrah tyre. Kur i Dërguari i Allahut a.s. mori vesh se persianët kurorëzuan mbretëreshë bijën e Kisras tha: “Ai popull që ia lë sundimin e vet në dorë një gruaje, kurrë nuk do të ketë sukses e mbarëvajtje.”

 Këtë hadith, historiani Al-Tabari e shpjegon se shprehja në fjalë është më shumë përshkruese se sa përjashtuese, pra udhëzimi dhe dëshira e Profetit a.s ishte që Ebu Bekra mos t’i bashkangjitej grupit të Xhemelit dhe se ky hadith nuk duhet marrë si verdikt për të ndaluar gratë në pjesmarrje politike. Ndërsa juristi egjiptian, dijetari i njohur Muhamed Gazali është shprehur se aftësia për të udhëhequr dhe për t’u marr me politikë nuk ka të bëjë me gjininë por me largpamësinë dhe aftësitë diplomatike. Për të feminiteti apo maskuliniteti nuk kanë aspak të bëjnë më politikbërjen dhe vendimarrjen:“Një grua e devotshme është shumë herë më e mirë se një burrë me mjekërr i cili e ka humbur drejtimin”.

Disa, me siguri të nisur nga ndjenja maskiliste dhe tradita partriakale, e kanë interpretuar hadithin e mësipërm si një gjykim që e ndalon gruan nga marrja me politikë, dhe të njëjtët e arsyetojnë historinë e Belkisës si “një legjislacion i vjetër i cili u abrogua me ardhjen e Profetit të fundit Muhamedit a.s. Por nëse në të vërtetë do të ishte një legjislacion i vjetër, i paaplikueshëm në kohët tona, atëherë përse nuk ka argumente që e theksojnë këtë: pra që historia e Belkisës duhet të zhvishet nga urtësitë dhe mësimet mbi lidershipin, që i përmendëm më lartë?

Sikurse e shpjegon dhe juristi dhe hulumtuesi i njohur bashkëkohor Jusuf Kardaui “Nuk është e paqëllimshme sjellja në Kuran e historisë së një gruaje e cila udhëhoqi burra me zgjuarsi dhe kurajo dhe arriti të shpëtojë një popull të tërë”.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.