GRUA:

Kam lexuar se:
Gruaja e fortë,
rrenjët e shpirtit të tharë
nuk i mbulon me dhe’,
I mbjell në vend tjetër
ku bie dielli
që të celin sërish…
Kërcen me shiun
edhe në ditët e dimrit
të acartë…
Përqafon buzëqeshjet e
i struk në zemrën e brishtë
për t’ia fal cdokujt që
ka nevojë për
një fije dashuri…
Kur dikush ka dhimbje
vrapon me erën
për me ja qep plagën
e hapur.
Gruaja ka një zemër
të Madhe-thonë.
Fal e jep
edhe kur s’ka mbet
asgjë më!

GRUA:

Sa binte terri,

Hapat e pagjumtë
trak-tak…
i dëgjoheshin mbi
dysheme përgjatë
natës.
Kapakët e lodhur
asesi nuk i lejonin
qerpikët t’puthiteshin.
E jetonte dhimbjen dhe
lumturinë brenda të njëjtit
dimension.
Kur lind dielli,
ngrihet,
Hap dritaren e lejon
erën t’i përkëdhelë
fytyrën.
Merr frymë thellë,
dhe
niset drejt një beteje të re…
Grua!
Asgjë nuk e mposht…

GRUA:

Në lotin e saj,
rëndon pesha e maleve
që kërrusin
shpina hekuri.
Noton një pyll i dendur,
me pisha të egra
Luledele e manushaqe celur
në barin e njomë.
Një Oaz n’krahëror
shpërndan ngrohtësi
sikur reshje yjesh
prej ujvare qiellore.
Shpirti i
frymon copëza shkëndijash,
Diej vezullues
fllade të ëmbël,
stuhi që të perulin.
Të thyejne!
Helmetën e arnon
cdo ditë
me perin e forcës.
Krijon një poezi
me titull: Grua!


GRUA:

Të kripura lotët
pikojnë mbi lëkurën
e tretur.
Përcëllojnë.
Kafshatat cdo natë,
kapërdiheshin nën heshtje.
Gur që gëlltiteshin
Vrisnin n’stomak.
Fjalët gjuheshin
dhunshëm mbi trup.
Shuplaka që kërcisnin zhurmë.
Plagë.
Shpirt i vrarë,
i dhunuar,
i pafrymë.
Do të nis të qëndis,
do thur në grep,
në fije mëndafshi.
Do shkruaj cdo shkronjë,
në Një Harresë,
derisa në fund as emri më
të mos mbesë.

GRUA
Gratë e forta nuk veshin helmeta.
Ato veshin rrobet e qetësisë,
buzëqeshjes së ëmbël.
Heshtja e tyre flet më fuqishëm se fjala.
Gratë e forta nuk kanë nevojë të shkojnë në beteja

me kalorës e shpata.
Cdo mëngjes,

ato nisen drejt rrugës së përkushtimit,

kujdesjes,
dhënie-dashurisë pa kushte,
apo limite.
Gratë e forta,

Nuk presin shpërblime, as medalje.
Ato vec duan të ndjejnë gëzimin në sytë e të dashurve.
Gratë e forta nuk qajnë e mallkojnë.
nuk urrejnë jetën apo dobësitë.
Ato janë të lumtura në cdo qelizë të tyre,
Falenderuese për cdo mirësi që posedojnë.
Gratë e forta i presin sfidat e jetës,
Krahëhapur!
Ato kanë zemër të bardhë, fjalë të ciltër,
shpirt të gjerë!

Brunilda Basha

Autorja është Arkitekte dhe studion doktoraturë në Stamboll, Turqi. Është e specializuar në Restaurimin dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Arkitekturore.
Brunilda Basha

Latest posts by Brunilda Basha (see all)

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.