Për disa arsye, mjaft burra mendojnë se ata mund t’i detyrojnë gratë të vlerësojnë tek vetja aplikimin e rregullave të hixhabit. Në vend të kësaj,në Kuran dhe në traditën profetike shumë qartë sqarohet se në Islam burrat e kanë të ndaluar që ta bëjnë këtë gjë. 

Kur flet për hixhabin, Kurani nuk u drejtohet grave fillimisht, por u drejtohet burrave. Kjo sigurisht është e qëllimshme. Islami përcakton përgjegjësinë parësore, për sa i përket çëshjtes së hixhabit, jo ndaj grave, por në raport me burrat. Eshtë mjaft me rëndësi të kuptohet mirë ky aspekt. Njerëzit, zakonisht, ngatërrojnë konceptin e “hixhabit” dhe “shamisë”. Të vendosësh shaminë është një formë e hixhabit, por burrat harrojnë se hixhabi përfshin shumë më tepër. Në fillimet e trajtimit të temës së hixhabit, Kurani i këshillon burrat të ulin shikimet e tyre përballë grave dhe të mos sillen pa moral dhe etikë. 

Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. All-llahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata (Nur, 30)

Ky ajet qorton ato rregulla të sforcuara ndaj grave sipas së cilave “gratë duhet të mbulohen se përndryshe bëhen shkak për tërheqjen e vëmendjes së burrave”. 

Kjo hedh poshtë konceptin e kulturës së dhunës sepse i udhëzon ekskluzivisht burrat që të reformojnë veten e tyre.

Gjithashtu, me këtë hidhen poshtë të gjitha pretendimet se ajo çfarë vesh një grua “është shumë provokative”, sepse në vend të kësaj ndalon burrat nga shikimi i ngulitur ndaj grave.

Me pak fjalë është kaq e thjeshtë, nëse një burrë pranon Islamin, atëherë Islami i mëson atij se ai duhet të jetë i pari që duhet t’i përmbush kriteret e hixhabit.

Këshillat e Profetit Muhamed a.s e konfirmojnë më tej këtë pikëpamje ndaj hixhabit.

Ai i paralajmëronte burrat: “Bëhuni të matur dhe të dlirë, kështu dhe gratë do të jenë të dlira gjithashtu”, përsëri duke ua ngarkuar burrave përgjegjësinë kryesore të hixhabit.

Në një trasmetim nga Ibn Abasi tregohet se teksa Profeti a.s ishte i shoqëruar ditën e Nahl-it (Dhul Hixhe) me El-Fadl ibn Abasi, një grua e bukur nga fisi El Khatham erdhi për ta pyetur për një çështje. El Fadl nuk mundi mos ta vinte re bukurinë e saj dhe padashur nisi ta fiksonte i mahnitur. Profeti a.s që e vuri re këtë e kapi prej faqe dhe ja ktheu kokën mënjanë. Pra Profeti i Zotit nuk i urdhëroi gruas të largohej, as të hidhte perçe, as të shkonte të vishte diçka më të përshtatshme dhe pastaj të kthehej për pyetjen, të kthente kurrizin, të ulte kokën apo ndonjë veprim tjeter që mund ta fajësonte atë.

Kështu pra, Profeti Muhamed a.s shprehu edhe një herë se barra kryesore në përmbushjen e kritereve të hixhabit bie mbi burrat. 

Ky mësim mbart një mesazh sa delikat aq dhe kuptimplotë. Ne kemi degjuar shpeshherë të thuhet nga ana e djemve se :”Dua një bashkëshorte të ndershme”, kur në realitet për veten e tyre nuk jane asgjëkundi pranë këtij koncepti. Këtyre djemve meritojnë t’u thuhet: “Mos ji hipokrit”. Kurani ka synim të na bëjë më të ndërgjegjshëm.Vetëm pasi sqarohen plotësisht kriteret që duhet të përmbushin burrat ndaj hixhabit, duke u sjellë me modesti dhe pa fiksuar shikimin e tyre ndaj grave, më në fund u adresohet grave në raport me veshjen e tyre.  

Por në këtë pikë ndodh diçka shumë e çuditshme me burrat. Ndërkohë që lënë mangut përgjegjësinë që kanë ndaj hixhabit, burrat krejt pa pritur dhe pa kuptuar u japin grave receta  rreth hixhabit.

Eshtë një fenomen kaq i habitshëm që e vëmë re shumë herë në përditshmërinë tonë.

Për një sërë arsyesh, burrat mendojnë se mund të detyrojnë gratë të përmbushin kriteret e hixhabit. Në të vërtetë, Kurani dhe Profeti Muhamed a.s janë shumë të qartë: në Islam, nuk ekziston një mundësi e tillë që t’u lejojë burrave të detyrojnë hixhabin ndaj grave të tyre.

Burrat duhet te mbajnë mend se nuk u është dhënë ndonjë pushtet për të komanduar të tjerët dhe se ata duhet të përmbajnë dhe kufizojnë veten e tyre.

Burrat janë urdhëruar të komandojnë sytë e tyre dhe të përmbushin obligimet e tyre. 

Madje nuk ekzistn ndonjë urdhëresë e cila të lejojë mbulim me forcë të grave muslimane, pa përmendur fare pastaj gratë jo-muslimane. Janë burra të llojit të mësipërm që kanë ide strikte në kokë.

Hixhabi është një mësim mjaft i rëndësishëm i Islamit. Asnjë nuk mund ta mohojë këtë. Por të krijohet përshtypja se shumë burra harrojnë se ky mësim aplikohet së pari mbi ta. Le të ndalin së veshtruari ngultas gratë dhe të përpiqen të reformojnë veten në rradhë të parë. 

Pikërisht kjo ide reformuese dhe e pazakontë qëndron në themel të luftës me vetveten dhe kuptimi i vërtetë të hixhabit. 

Dhe së fundmi, ja një ide interesante për ata që kërkojnë të kuptojnë se si praktikohet hixhabi tek gratë muslimane: pyetini vetë ato.

perktheu: Albana Celepija

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.