Ç’kërkonte “ferexheja” në protestën e 4 qershorit?

0

Protesta e 4 qershorit, ajo që kishte si shkas një histori rrënqethëse abuzimi seksual në një shkollë të Tiranës, protagonistë rojen dhe disa nxënës, arriti të mbledhë në shesh një pjesëmarrje masive dhe gjithëpërfshirëse, e cila solli një mori mesazhesh të shumëllojshme; disa drejtuar qeverisë e disa shoqërisë.

Përveç disa sosh të qëlluara, pati dhe plot prej atyre me standarte të dyfishta dhe më keq akoma, mesazhe non sens që me gjithë kuptimin e fjalës ranë brenda me këmbët e tyre, duke dalë kështu në kundërshtim me idenë kryesore që kishte si synim të përçonte protesta.

Megjithatë unë dua të ndalem tek diçka që me/ose padashje është cenuar: intersectionality/ndërlidhshmëria e çështjes së gruas. Nëse pretendon se je feministe dhe po i shërben kauzës së feminizmit dhe çështjes së gruas në tërësi, atëherë duhet bërë kujdes që mos të cënohet një tipar identitar po në emër të gjithëpërfshirjes.

“Ishte faji im? – pyeti minifundi. 

– Më ka ndodhur dhe mua- u përgjigj ferexheja.”

Thuhej në një ndër këto mesazhe gjatë protestës në fjalë.

Të përdorësh fjalën “ferexhe” pikërisht në një protestë të ashtuquajtur feministe, është jo vetëm jashtë kontekstit por edhe fyese.

Fjala ferexhe i përket një konteksti të ndryshëm historik, dhe  statusi i hixhabit apo shamisë është (keq)përkufizuar me këtë term. Nga ana terminologjike “Ferexheja është një copë e gjatë që përdoret për t’u mbuluar, që është praktikuar gjatë kohës së Perandorisë Osmane dhe ndryshon nga shamia”.

Pra“ferexhe”, është shamia e cila lexohet e orientalizuar e përdoret fyeshëm  nga fondamentalistët laikë, të cilët shaminë e rrëfejnë si një imponim të muslimanëve mbi gratë e shqiptarëve që pranonin Islamin gjatë kohës osmane.

Me instalimin e komunizmit në Shqipëri e narrativës përkatëse, koncepti i shamisë ruajti pak a shumë të njëjtat nuanca dhe të njëjtin term; pra “ferexhe”, duke u zëvendësuar kësisoj herë pas here me togfjalësha të tjerë si “pjesë e dokeve të vjetra feudale, patriakale e borgjeze.”

Veçoj këtu dhe dy precedentë nga fusha e letrave me autore gra; sipas Elena Kadaresë, referuar “Sikur t’isha djalë” nga Haki Stërmilli, ajo është “një shenjë prapambetjeje dhe pengesë për emancipimin e gruas shqiptare”, e po ashtu dhe te Musine Kokalari me tregimin “Ferexhea”.

Përtej çdo lloj vlere letrare që mund të kenë këto libra apo për kontributin (të pjesshëm dhe selektiv) në fushën e feminizmit, nga ana tjetër kanë denigruar imazhin e gruas muslimane shqiptare.

Studiuesja Katherine Bullock, në librin e saj “Duke rimenduar gratë muslimane dhe shaminë. Sfida ndaj Stereotipeve Historike dhe Moderne”, i dedikon një kapitull të tërë kuptimeve të shumëfishta të hixhabit (shamisë).

Ndër të tjera, në këtë kapitull ajo sqaron se si praktikat e grave muslimane në vende të ndryshme janë analizuar për të treguar kuptime të shumta të hixhabit të cilat ndryshojnë sipas kontekstit dhe dallimeve individuale. Kështu, në vende të ndryshme të botës hixhabi përfaqëson një nocion shumë kompleks, i përbërë nga dimensione të ndryshme. Si i tillë, në disa vende praktikohet për arsye religjoze, në disa për arsye politike, në disa për arsye zakonore dhe në të tjera vende mund të jetë një ndërthyerje e më shumë se një dimensioni apo të gjithave së bashku.

Mirëpo, nëse i rikthehemi kontekstit shqiptar, ky lloj perceptimi reflektohet me asocimin e mbulesës së gruas muslimane me kulturën dhe traditën turke dhe arabe; gjë që përbën “një lidhje pa lidhj”, sepse Islami në Shqipëri ka karakteristika të ndryshme dhe të veçanta identitare vendase.

Jo vetëm termi “ferexhe” mbart një kontekst historik dhe social që ka lidhje me periudhën para dhe gjatë regjimit komunist, por sipas Fjalorit të Orientalizmave në Gjuhën Shqipe, karakterizohet edhe nga veçori tekstile si: “e bërë prej copës së zezë të ndritshme, me jakë të gjërë e me kinda”.

Hixhabi i sotëm, ai i pas ‘92-shit pra me rikthimin e lirisë së praktikimit të fesë, erdhi si një bindje dhe vendim personal dhe karakterizohet në përgjithësi nga një lloj forme e të shprehurit te identitetit fetar dhe vetëdijes religjoze.

Tani, çfarë lidhje ka kjo veshja e zezë prej cope atllasi të para qindra vitesh, ndoshta ekuivalentia e chador-it, me mbulesën islame të sotme që mbahet nga gratë shqiptare në vitin 2020?

Sa politically correct (politikisht e ndershme) është që ky term të vendoset paralelisht në një pankartë me minifundin e sotshëm, i cili gjithashtu ndryshon nga konteksti me minifundin e para shumë viteve, si fjala bie atij të ’80-ës dhe ’90-ës?

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.