Ideja e kthimit në shtëpi më emocionoi të gjithën. Lumturia e momentit të takimit me të dashurit e zemrës më mbërtheu shpirtin. Edhe pse ajri ishte i njëjti si cdo ditë,unë mbushesha me frymë më thellë se përhera. Dielli po ai si pardje, por ngrohte më ëmbël. Hëna nuk qe pesëmbëdhjetëshe por ndriconte më shumë se kurrë. Era frynte furishëm por përkëdhelte më ëmbël.

Ashtu sic derdhen flokët e dëborës lehtë nga lart për të prekur tokën sa më butë, unë po shkëputesha nga cdo rëndesë graviteti për të mos e ndjerë peshën trupore. Ndihesha aq e lirë në atë lartësi kilometërshe. Nga kutiza e dritares së xhamit transparent i thoja mirupafshim qytetit në të cilin shtrihesha çdo natë. Si një fëmijë i ngazëllyer provoja të prekja me majën e gishtit çdo gradacelë të cilat deri dje më duhet të ngrija sytë lart për ti përshkruar ndërsa tani vinin e bëheshin sa më mikroskopike. Fluturoj mbi zhurmën ngacmuese së tokës e cila po i linte vendin bukurisë së heshtur të qiellit. Kërcej mbi shtëllungat e bardha te reve, të cilat herë më ngjasojnë me pambuk sheqeri e herë me jastëk të butë në të cilat dua të shtrihem. Diku nëpër të çarat e tyre shikoj maja malesh, shkëmbinj të zhveshur, oqeane të pafundshëm, fusha që ngjasojnë me një çërçaf të formuar nga copa me nuanca jeshileje të qepura njëra me tjetrën, sikur arna.

Ul dritaren e avjonit pasi drita që na vizitonte pa kërkuar leje me pengoi mendimet që doja ti mblidhja sy mbyllurazi. Pa e kuptuar, përhumbem në kujtime e përjetime të cilat shpesh trazohen nga shkundjet dhe sinjali që duhet të vendosim rripin e sigurimit. Në atë moment tronditjeje u ndjeva aq e pafuqishme përballë fuqisë së Krijuesit. Duke lartësuar Zotin me mendje, ndjej një shtrëngim dore që më thotë: “Unë jam këtu,” një strukje akoma më të fortë në kraharor të ëngjëllit tim, e cila si trumcak i vogël më përcjell nëpërmjet qerpikëve të mbyllur sigurinë në krahët e mi. Shoh dhe ndjej kaq dashuri rreth e rrotull që na jep jetë dita ditës.

Diku më larg janë dy të rinj që bisedojnë me njëri tjetrin dhe qeshin, kushedi për cfarë, ama dallohet lehtshëm dashuria që ndajnë. Në krah timin, një nënë e moshuar s’mund të hapë dot ushqimin e paketuar të servirur në avion. Sytë e saj përcillnin kaq dhembshuri dhe mirënjohje. Tek hapësira midis ulëseve dëshmova përkujdesjen teksa një grua rreth të 40-tave mbulonte me kujdes bashkëshortin të cilin e kish zënë gjumi mbështetur kokën në sup të sajin. Një djalë 5 vjeçar vrapon plot energji nëpër korridor, ndërsa stjuardesa i shërben një gotë me ujë një zotërie para nesh.

Vështroj nga dritarja e mundohem të depërtoj përmes natës katran të zi. Ashtu pa zhurmë po i afrohemi sërish tokës të cilës besova se i pata dhënë lamtumirën. Ç’hijeshi teksa zbarkojmë nga lartësia e qiellit në drejtim të dritave të cilat kanë mbuluar Tiranën time. Pa e kuptuar, sytë vishen me një perde loti, i cili shkëputet pa frikë për të notuar nëpër faqe. Zemra godet pa pushim, a thua se donte të dilte nga trupi. Malli, malli është ai që dëshmon më së shumti çfarë zemrës i mungon çdo ditë. Sa shpejt kaluan 10 orë udhëtim. Sa shumë copëza jetësh të përjetuara brenda një avioni. Ne shikojmë vetë jetën plot bukuri në çdo sekond, mjafton të hapim sytë dhe të lemë të lirë zemrën të lumturojë.

Me duart e drejtuara nga qielli falenderuam Krijuesin që mbërritëm në destinacion të sigurtë.

Ah, se harrova: kur udhëtoni merrni gjithmonë një laps e një letër!

©Muslimania.al

Brunilda Basha

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.