Një “Hot Take” është një replikë e atypëratyshme ndaj një ngjarjeje të caktuar, debati politik apo çështjeje të momentit. 

Mund të jetë:

  •  një koment i shkurtër,
  •  një analizë e thjeshtë dhe e shpejtë 
  • apo një artikull disa orë pas ngjarjes apo ditët e para të pas ngjarjes.

Qëllimi i një hot take, pra replikave të shpejta nuk është që t’ia qëllojë, as të krijojë një panoramë reale të ngjarjes aq më tepër akoma të bëjë një analizë objektive të ngjarjes. Përkundrazi, për këtë ekzistojnë kolumnet, opinionet dhe editorialet (apo dhe shumë forma të tjera artikujsh gazetaresk). Madje mungesa e objektivizmit e përshkruan më së shumti këtë lloj artikulli apo shkrimi, quajeni si të doni.

Cilat janë disa karakteristika të këtij lloj shkrimi?

Karakteristikë tjetër e një hote take është subjektivizmi në shkrim por kjo s’ka të bëjë me mungesën e profesionalizmit. Nga ana tjetër, profesionalizmi, në këto raste konsiderohet i barazvlefshëm me objektivizmin, por nuk është e thënë. Nëse dikush dëshiron të krijojë një impakt, të ngrejë zërin për diçka që e shqetëson, të ankohet për diçka që nuk e sheh të drejtë, të nxisë për nisma pozitive dhe të ngjashme si këto, nuk duhet medoemos të jetë objektiv, sepse në fund të fundit një opinion personal mbetet një mendim subjektiv.

Ndonjëherë mund të ndodhë që shkrime të tilla të dalin jashtë kontekstit, por sërish dhe kjo nuk mund të konsiderohet një gabim fatal, sepse në fund të fundit, ai shkrimi, ai artikulli i nxehtë krijon pikërisht një copëz të kontekstit, që mund të jetë i vlefshëm për kohë më pas, deri tek pasardhësit tanë të cilët duke iu rikthyer ngjarjes do të analizojnë dhe terrenin në të cilin është zhvilluar debati, përfshi këtu dhe replikat e çastit. Këto lloj shkrimesh kanë vlerën e tyre sepse shërbejnë si një pasuri emocionale dhe intelektuale për ngjarjen që mbulojnë. Ato shkruhen aq shpejt saqë përshtypja e parë i formëson ato dhe ato formësohen pikërisht nga kjo lloj përshtypje. Në një të ardhme do të na shërbejnë të analizojmë proçesin e debatit se si ka evoluar se sa në fakt një mendim i esëllt i situatës.

Personalisht më pëlqen të lexoj replika të tilla, madje janë zhanri im i preferuar për të lexuar online; në disa raste edhe i koleksionoj kur bëhet fjalë për një temë që më intereson. Më pëlqejnë mbi të gjitha sepse krijojnë një lidhje të veçantë mes lexuesit dhe shkruesit; kur ajo që lexon është pikërisht ajo që t’i vetë ke pasur në mendje dhe çdo opinion i hedhur aty të duket sikur të të kishin lexuar mendjen, e kjo në rastin më pozitiv. Në të kundërt, të bën të të vlojë gjaku dhe të duash t’ia ktheshë replikën “me të njëjtën monedhë”. Por përsëri mbetet një lloj shkrimi i veçantë që nxit reagim dhe shkakton impakt.

Në pamje të parë duken si disa komente të thjeshta që mundësojnë rrjedhshmërinë e informacionit. Por në fakt është shumë e vështirë të përpilohen në kohë reale sepse kërkojnë një multitasking: të qëndrosh i përditësuar me ngjarjet në kohë reale, të luftosh mes objektivizmit dhe ndjenjave personale, dhe në të njejtën kohë edhe të shkruash, qoftë dhe gjatë natës, që në mëngjes të dalë e freskët e servirur për audiencën.

Nga t’ja nisim për të shkruar një hot take?

Kush dëshiron të merret me të tilla shkrime duhet më parë të sigurohet që për çdo gjë që shkruan, me shumë mundësi, nuk do të pendohet në një të ardhme. Por nga ana tjetër kjo nuk duhet ta bllokojë nga shprehja e mendimit sepse në fund të fundit jemi individë që përfaqësojmë veten. Ndërsa në raste kur këto lloj shkrimesh publikohen nga persona me pozitë dhe autoritet, mund të shkaktojnë shumë polemika dhe të çojnë më shumë në dëm se sa në dobi. Edhe nëse nuk ia qëllojnë apo janë përpjekje të dështuara, mbi të gjitha mbeten shkrime të mira për mendimin tim, sepse tregojnë se për një çështje të caktuar dikush e ka marrë mundimin të ngrejë zërin. Është si puna e ixhtihadit/përpjekjes ku vlerësohet qëllimi dhe mundi, përkundër përfundimit. Nëse ia ka qëlluar, shumë mirë, nëse jo, prap mirë. Por shumë fshihen pas arsyetimit se “më mirë fol saktë dhe drejtë ose hesht fare” për të mbuluar frikën e tyre për t’u përballur me kritikën. Disa janë tepër profeksionistë, që ose duhet ta bëjnë siç duhet ose nuk e bëjnë hiç, dhe mbeten gjithë jetën të tillë; pra një hiç që nuk ka marr guximin të thotë asgjë.

Replikat e çastit janë fantastike kur janë të freskëta, ndërsa me kalimin e viteve mund të të lënë një shije të mirë ose të hidhur për rastin në fjalë, por megjithatë mbeten një kujtim.

Shembuj hot take:

Koronavirusi dhe lidhja “pa lidhje” me burkan
 Feministet me dy standarte, ç’kërkonte “ferexheja” në protestën e 4 qershorit?
Koment mbi një incident islamofob dhe gjuhën e urrejtjes ndaj femrave muslimane
Harrojini tokat e premtuara, por premtohuni për tokën tuaj!

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.