Nga Zilka Spahić-Šiljak

Emërtimi i foshnjes është një nga traditat e bukura të praktikuara nga shumë muslimanë, dhe në disa vende, ashtu si edhe në Ballkan, njihet si ‘akikah, një sër ritualesh që në fakt shoqërojnë aktin e therjes së kurbanit në shenjë falenderimi ndaj Zotit për të porsalindurin. Ky ritual kryhet zakonisht në ditën e shtatë pas lindjes, por ndonjëherë për arsye të ndryshme familja mund ta shtyjë edhe për më vonë. Rituali që shoqëron emërtimin e foshnjes ka ekzistuar edhe në kulturat paraislame si dhe në traditën hebraike. Sot, muslimanët vazhdojnë ta praktikojnë atë me disa ndryshime.

Rituali përbëhet nga disa elementë, duke përfshirë prerjen e flokëve të foshnjës, ose thjesht një pjesë të tyre, të cilat peshohen dhe sasia e barasvlefshme në argjend jepet për bamirësi. Më pas, këndohet Ezani në veshin e foshnjes dhe thirret me emrin e saj tri herë. Lexohen disa ajete nga Kur’ani dhe rituali përfundon me dua (lutje). Përveç kësaj, familja sakrifikon një kurban (‘akikah), zakonisht një dele, dhe mishi ndahet me fqinjët, familjen dhe personat në nevojë.

Një keqkuptim ndodh deri diku kur familjet therin dy dele për një të porsalindur mashkull dhe një për të porsalindurën femër. Kur pyeten se përse e bëjnë këtë, përgjigja është pak a shumë

“Sepse kështu është praktikuar gjithmonë dhe ka një hadith nga Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të) që e konfirmon këtë lloj praktike”.

Meqenëse fëmija është një dhuratë nga Zoti, pavarësisht nëse është mashkull apo femër, dhe nëse Allahu i Madhërishëm i trajton të gjitha qeniet njerëzore në mënyrë të barabartë dhe nuk preferon disa grupe ose individë ndaj të tjerëve bazuar në gjininë e tyre, por vetëm bazuar në veprat dhe devotshmëri, përse vlerësohet më pak të kesh një vajzë sesa të kesh një djalë në familjet muslimane? Nëse prindërit muslimanë sot do të pyeteshin nëse i duan fëmijët meshkuj më shumë sesa femrat, shumica ndoshta mund të thonë se i duan në mënyrë të barabartë.

Transmetohet se Profeti Muhamed (paqja Zotit qoftë mbi të) ka thënë“Kujt i lind një fëmijë dhe dëshiron të therë kurban për të, le të therë dy dele të përafërta për djalin dhe një të tillë për vajzën.” [1]

Megjithatë, në të njëjtin koleksion hadithesh raportohet se Profeti a.s flijoi per niperit e tij nga një kurban, pra një dele për Hasanin dhe një për Husejnin. Duke iu referuar kësaj

praktike, Imam Ebu Hanife dhe Imam Maliku mbajnë të njëjtin mendim me shpjegimin se, në bashkësinë e parë muslimane në Medinë, “akikah” ishte praktikuar në mënyrë të barabartë për djemtë dhe vajzat. Gjithashtu, një shok i Profetit, Ibn’ Umar , i njohur për respektimin e udhëzimeve dhe shembullit të tij në mënyrë të rreptë, praktioi të njëjtën gjë.

Pyetja që duhet të parashtrojmë ne sot si muslimanë besimtarë është kjo: si ka mundësi që, në shekullin 21, muslimanët të këmbëngulin në praktikimin e një hadithi sesa atë çfarë vetë Profetit Muhamed ka praktikuar me vepra? Nëse Profeti a.s i trajtonte fëmijët e tij në mënyrë të barabartë, madje tregonte afeksion të veçantë publikish për vajzën e tij Fatimen duke u ngritur në këmbë për ta mirëpritur atë sa herë që ajo vinte për vizitë, dhe nëse ai vazhdimisht i paralajmëronte besimtarët të kujdeseshin për vajzat e tyre, si ka mundësi të jetë kultivuar kjo lloj tradite që në pamje të parë duket sikur vajzat nuk vlerësohen po aq sa djemtë?

Mund të ketë shumë arsye për këtë, dhe një ndër to mund të jetë ndikimi mbizotërues i kulturës dhe së drejtës zakonore, si në kulturat fisnore paraislame që në përgjithësi ishin patriarkale, seksiste dhe shumë shpesh mizogjiniste.

Duhet të merret parasysh gjithashtu konteksti i Gadishullit Arabik të shekullit VII dhe njerëzit që përqafuan islamin por nuk ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga zakonet e tyre paraislame. Profeti Muhamed a.s, si gjithmonë prej urtësisë dhe me udhëzim nga Allahu i Lartëmadhëruar, tregoi mirëkuptim dhe ndjeshmëri ndaj të konvertuarve të rinj, por nga ana tjetër ai i vendosi standardet përmes praktikës dhe veprave të tij. Ai e bëri këtë me skllavërinë, për shembull; megjithëse shumë e praktikuan atë, ai nuk dëshironte të kishte skllevër, dekurajoi vajzën e tij Fatimën që të mos kishte një të tillë dhe i inkurajoi besimtarët t’i linin skllevërit të lirë.

Deklarata e bërë nga Profeti Muhamed në një moment, se dy dele duhet të flijohen për një djalë dhe një për një vajzë, në pamje të parë duket se bie në kundërshtim me veprimet e tij. Por ka një urtësi që qendron pas kësaj, dhe që u përmend më lartë, mirëpo ajo që ka rëndësi janë veprat e tij dhe se si ai udhëhoqi përmes shembullit të vetë.

Nga ana tjetër, Imam Malik që gjithashtu pajtohet me mendimin se duhet therur një kurban për të dyja gjinitë argumentohet se kjo lloj praktike jo vetëm që është zbatuar nga Profeti a.s, tradita profetike e të cilit merret “nga ajo çfarë me gojë ka thënë, në praktikë ka vepruar dhe me heshtja ka miratuar”, por edhe është në përputhje me ligjet hyjnore të cila në shumicën e rasteve, kur vjen puna tek ibadetet (adhurimet, ritualet) nuk ka dallim gjinor. Ky i fundit mund të vërehet vetëm në disa raste shumë të rralla dhe shumica prej tyre ndodhin në fushën e marrdhënieve ndërnjerëzore (si dëshmija) dhe jo në kryerjen e adhurimeve.

Sidoqoftë, nëse dikush pretendon se beson në Zot dhe beson në drejtësinë hyjnore si parimi kryesor i islamit, është absurde të bie pre e ndjekes verbërisht të disa traditave të caktuara që nuk janë në përputhje me frymën e islamit.

Tradita është e rëndësishme, por tradita duhet të vendoset në një sitë dhe të ndahet nga paragjykimet që janë zhvilluar rreth saj, të cilat mbytin frymën e fjalës së Z

[1] Ebu Daudi, Nesaiu nga Ibn Omeri dhe Albani thotë se është i saktë

Përktheu: Nada Dosti

 

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.