Nga Asmaa Hussein

Kështu janë fjalët e mia drejtuar Allahut (xh.sh.) kohët e fundit.

Këtë Ramazan, kam dashur fuqishëm të ngrij duart lart dhe të shpjegoj siç duhet atë që kam në zemrën time: lodhjen që ndiej në kockat e mia gjatë këtyre ditëve, konfuzionin e të mos diturit se çfarë do të sjellë e nesërmja, apo edhe mirënjohjen që kam për shumë nga bekimet që i kam akoma.

Por fjalët nuk po më dalin më ashtu siç duhet. Ato janë ngulitur diku në trupin tim dhe ajo që unë përfundoj duke thënë janë vetëm buza e greminës, sipërfaqja, thërrimet e atij pusi të thellë të mallit.

Ndonjëherë më vjen keq sepse nuk jam në gjendje të them “gjënë e duhur”, sepse e di fuqinë shëruese të shprehjes përpara Zotit. E di se sa lehtësim mbart në vetvete ky gjest. E di se sa e sigurt ndihem kur ia besoj të gjitha shqetësimet dhe nevojat e mia Atij.

Dhe kështu rrëmuja e fjalëve të mia të ngatërruara më trishton. Por në atë trishtim, unë përsëri e thërras Atë. Unë ende them, “Ja Allah”. Dhe pastaj nxjerr çfarëdolloj fjale që mund të nxjerr. Dhe ndonjëherë … Unë nuk mund të nxjerr nga goja as edhe një fjalë.

Por unë përsëri e thërras Atë! Dhe e di që Ai më dëgjon, pavarësisht mungesës së elokuencës sime.

Marrëdhënia ime me Allahun nuk ka qenë kurrë në lidhje me atë elokuencë gjithsesi. Ka të bëjë me mua dhe me faktin se e pranoj që kam nevojë për Të. Dhe Ai gjithmonë do ta dijë mirë thellësinë e asaj që unë dua të them por nuk mundem ta shpreh.

Edhe në fjalët e ngatërruara, adhurim i papërsosur, qëllimet e gabuara… Ai është akoma më afër meje sesa vetvetja ime. Ai e di se çfarë kam nevojë. Dashuria e Tij është akoma e pranishme. Mëshira e Tij ende përfshinë gjithçka.

Allahu na e pranoftë! Amin! 

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.