Pandemi si kjo e virusit Korona nuk e ka parë historia prej vitesh. Përveç dëmeve shëndetësore dhe ekonomike, pandemia në fjalë ka çuar në një rritje të madhe të informacioneve të gabuara, shpifjeve dhe teorive të konspiracionit si kurrë më parë.

Karakteristikat antropologjike të islamit tregojnë se si kjo fe ka natyrë optimiste dhe jo pesimiste. Argument për këtë kemi faktin se islami nuk e njeh konceptin e “mëkatit të parë” sipas të cilit i gjithë njerëzimi do të vuaj pasojat e mëkatit të njeriu të parë. Sipas botëkuptimit islam, njerëzit janë përgjegjës vetëm për veprat e tyre dhe askush nuk do të dënohet për veprat e dikujt tjetër, qoftë ky edhe njeriu i parë në këtë tokë:

“Se askush nuk e bartë barrën e (mëkatit) tjetrit” [1]

Nga ana tjetër islami gjithashtu promovon realizmin, duke refuzuar naivitetin, të kotën, të pabazën, gënjeshtrën dhe shpifjen. Prej Objektivave të Legjislacionit islam (maqasid al-Shariah) është ruajtja e shenjtërisë së gjashtë aspekteve kryesore të një qënieje njerëzore: feja, jeta, intelekti, prejardhja, dinjiteti dhe prona. Njëra, disa ose të gjitha prej këtyre aspekteve mund të cënohen dhe shkelen në rastin e shpifjes apo përhapjes së lajmeve të rreme. Andaj dhe Profeti a.s e ka veçuar gënjeshtrën si një cilësi e cila nuk duhet të ekzistojë tek musliman, pra nuk duhet të jetë pjesë e natyrshmërisë së besimtarit:

Njëherë Pejgamberi a.s. është pyetur:

“A mund të jetë besimtari frikacak?” Tha: “Po!” I thanë: “A mund të jetë besimtari koprrac?” Tha: “Po!” I thanë:“A mund të jetë besimtari gënjeshtar?” Tha: “Jo!” (Transmeton Maliku)

Gjithmonë ka qenë shqetësuese se si gënjeshtra si dhe lajmet e rreme ndikojnë në karakterin personal, marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe shoqërinë në tërësi. Me rritjen e impaktit të rrjeteve sociale dhe lehtësinë e ndërlidhur me krijimin, marrjen dhe shpërndarjen e informacionit, ky shqetësim është rritur gjithashtu. Keqinformimi kuptohet si “informacion i gabuar”, ndërsa dezinformimi si “informacion i rremë i përhapur me qëllim që të mashtrojë njerëzit” dhe të dyja llojet kanë për qëllim të shtrembërojnë pikëpamjen tonë mbi të vërtetën e çështjeve në fjalë. Bëhet fjalë pra për një gënjeshtër të qëllimshme. Këtë aspekt të keqinformimit dhe dezinformimit e kemi vënë re sidomos me informacionin që qarkull mbi koronavirusin.

Lajmet e rreme dhe islamofobia

Nodh gjithmonë që gjatë krizave, njerëzit shpesh fajësojnë “të tjerët” që në të shumtën e rasteve këta të tjerë janë komunitete etnike apo fetare. Përshembull, gjatë murtajave mesjetare, hebrenjtë u panë nga shumica e krishterë si shkaku i pandemisë të asaj kohe. Aktualisht, në disa vende, pakicat muslimane po fajësohen për përhapjen e koronavirusit. Ky lloj fenomeni, mbështetet nga mekanizmat psikologjikë të ksenofobisë dhe, së fundmi, të islamofobisë. Por përveç përforcimit të retorkiës islamofobe, disa lloje të tjera të keqinformimit si përshembull teoritë konspirative, të cilat në pamje të parë mund të duken të padëmshme,  nuk sjellë si pasojë vetëm përhapjen e mashtrimit por ekziston edhe rreziku që të marri në qafë jetë të tëra.

Edhe pse e pavërteta dhe gënjeshtra duhet të jenë në kundërshtim me natyrën e një besimtari, siç e përmendëm më lart, disa muslimanë, fatkeqësisht, bien vetë pre e këtyre mashtrimeve ose i fabrikojnë vetë ato. Sasia e keqinformimit që ndodh në mesin e muslimanëve nuk ndryshon nga ajo e jomuslimanëve, dhe shumica e këtyre lajmeve të rreme kanë të bëjnë me politika botërore, shëndetësi dhe mjekësi, madje edhe me mashtrime financiare, disa prej të cilave u drejtohen veçanërisht muslimanëve. E njëjta gjë po ndodh edhe me informacionet mbi koronavirusin, kur njerëzit po përcjellin shumë informacione verbërisht, gjë e cila sipas parimeve islame është rreptësisht e ndaluar:

“O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, në mënyrë që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë” [2]

Analfabetizmi Digjital

Disa lajme të rreme mund të marrin jetë dhe siç përmendëm më sipër shkelja e shenjtërisë jetës është ndër mëkatet e mëdha. Si rrjedhojë, ne si muslimanë e kemi për detyrë të kundërshtojmë “analfabetizmin digjital” duke u informuar në mënyrë korrekte për të shmangur dëmtimin e vetvetes dhe të tjerëve. Kjo do të thotë se çdo musliman duhet të mësojë bazat e hulumtimit rreth një lajmi, dhe kjo praktikë fatmirësisht është promovuar me shekuj nga tradita islame.

“Shkrim-këndimi” digjital ose alfabeti digjital është tërësia e aftësive të nevojshme në epokën moderne për të hulumtuar, vlerësuar, interpretuar dhe përdorur informacionin si duhet dhe me korrektësi. Me përhapjen në mbarë botën të lajmeve dhe informacioneve të rreme në internet, ky lloj “shkrim-këndimi” po kthehet në një nga aftësitë më të rëndësishme njerëzore të shekullit 21, po aq e rëndësishme sa shkrimi dhe leximi ishin për brezat e mëparshëm. Komponentët thelbësorë të këtij shkrim-leximi përfshinë të pasurit të një qasje të përshtatshëm ndaj të informuarit si proces, vlerësimin e autoritetit të burimeve të informacionit, përdorimin e metodologjive të duhura të hulumtimit, si dhe përdorimin e teknologjisë më të fundit për të analizuar përmbajtjen e tekstit.

Si muslimanë, verifikimi i së vërtetës, metodologjia burimore dhe menaxhimi i duhur i njohurive janë komponentët thelbësorë të fesë sonë, prandaj vetë tradita profetike ka kaluar përmes përpjekjeve të mëdha dhe një filtrim të jashtëzakonshëm për të qëndruar i pastër nga devijimi i kuptimit apo shpifje mbi të.  gjatë përpilimit të përmbledhjes së tij të hadithit autentik, është shprehur se”Zinxhiri i verifikimit (el-isnad) është pjesë e fesë dhe transmetimet pranohen vetëm nga të besuarit.”

Si përfundim mund të themi se ne mund të kombinojë mësimet e paraardhësve tanë të drejtë me parimet moderne të shkrim-leximit të informacionit për të na ndihmuar të lundrojmë në valët e këtij oqeani masiv informacioni.

[1] Kuran, Nexhm. 38

[2] Kuran, Huxhurat 6,

Nada Dosti

Autorja është themeluesja e Muslimania.al
Nada Dosti

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.