Nga Imerlije Saliu

Era e vjeshtës e pranishme gjithandej, ngjyra e saj çdo gjë e kishte bërë të artë, poashtu edhe rrugën e gjatë të parkut të qytetit të cilën e kishte mbushur plot e përplot me gjethe të rëna nga drunjët e gjatë e të bukur. Teri sapo kishte filluar të bierë, po ashtu edhe levizjet e njerzëve kishin filluar të pakësohen, rreth e përqark parkut shumë rrallë shiheshin lëvizjet e tyre, në qoshe të rrugës kryesore të këtij parku ishte një vajzë e vogël tek të dymbëdhjetat e cila ishte e habitur nga dinamizmi i qytetit dhe madhesia e tij, ajo rastësisht kishte ardhur në këtë park, sepse qyteti per të ishte i panjohur dhe ajo sapo ishte shpërngulur në këtë qytet me familjen e saj.

E strukur në qoshe të rrugës vajza rinte e frikësuar, por kureshtja e madhe për atë që shihte përreth  nuk e lejonte të kërkojë ndihmë nga dikush për të gjetur rrugen e saj të banimit. Ajo ishte një fshatare e vogël që vinte nga një familje me parime e rregulla krejt tjera nga bota që e rrethonte, në të cilën sapo ishte future dhe rreziqet për të kanoseshin nga të gjitha anët.

E zhytur në harresën e asaj që shihte përreth vajzën e kapi terri. Dritat e rrugës nuk arritën të ndriçonin terret dhe tmerret e asaj nate të cilat zhvilloheshin në dramat dhe tragjedit, protagoniste e të cilave ishte kjo vajzë e vogël e humbur që vjent nga një familje e shëndoshë dhe e edukuar mirë. Vajza e vogël kishte harruar të mendonte për tronditjen që mud t’u kishte shkaktuar prindërve pasi që skenat interesante ishin më tërheqëse atë natë se sa mendimi për familjen. Papritmas para vajzës u shfaqën dy të rinj me një veshje të çuditshme që vajzës së vogel në një moment ju duk shumë e veçantë, mirëpo thellë në shpirt s’i pëlqeu dhe tha me vete: Pse është veshur kështu?, Kjo duket gati moshatarja ime! Naiviteti dhe njomësia e moshës nuk e lejonin të mendonte gjëra të këqija. Përsëri pyeti veten: A thua kanë humbur dhe këta si unë? po sikur t’i pyesja. Ngadal u afrua pranë tyre, dhe akoma pa hapur gojën, mori një vështrim të egër dhe një përbuzje, te cilat aq shumë e tronditën në shpirt që rendi me vrap duke qarë dhe u fsheh pas një druri dhe tha me vete: Po vallë c’ishte ai vështrim unë as që u thash diç të keqe. Akoma pa i mbaruar lotët në sy, një skenë tjetër edhe më tragjike po zhvillohej para syve të saj, një djalosh që vraponte si i çmendur  deri sa u ul aty tek trungu i një druri dhe vetë mori një injeksion i cili  u duk sikur e qetësoi. Vajza e vogël ishte shtangur nga ajo që pa dhe tha me vete: nuk ka mjek ky qytet pse këto njerëz sherohen vetë?!, Mbase ishte shumë i sëmurë, a mundet vallë t’i ndihmoja diçka,  por  në moment ju kujtua këshilla e së ëmës e cila rrugës për në qytet i kishte thënë që me njerëz të panjohur mos të hyjë në biseda. Duke ecur e biseduar me vete u ul në një qosh  aty diku në park. Aspak s’kishte vështruar se ç’kishte pranë kur padashur ktheu kokën dhe u friksua shumë e filloi të bërtasë, një vajzë tjetër me një cigare në gojë e kishte kapur për krahu dhe mundohesh ta qetsojë, ngadalë vajza u qetsua dhe e shikonte si e friksuar. Vajza tjetër i foli ngadalë dhe i tha të mos frikësohej.

“- Mos, se nuk të bëj keq.”

Atëherë vajza e vogël sikur u qetsua dhe e pyeti: pse je kështu gjysëm e veshurë, a nuk ke ftohtë? Si të ka lejuar mami jot të dalësh kështu? Të lutem hiqe atë cigare nga goja se të bën dëm, kështu më ka thënë mami.

Vajza tjeter e vështroi me mallëngjim ”Sikur të isha dhe une motra jote, sikur të kisha një mami si ty,

-Po mirë ku e ke mamin?

Atëherë ajo i’u përgjigj: ”Prindërit e mi janë divorcuar dhe ja siç më sheh unë kam    përfunduar rrugëve. Këtu në këte errësirë unë fitoj bukën e gojës. Unë të kam lakmi që vjen nga një familje e shëndoshë dhe e mirë që unë për vete ka kohë që e kam humbur. Por tani të më falësh se unë duhet të iki”

Vajza e vogel e vështronte duke qarë dhe e tronditur shpirtërisht, e shihte tek po largoheshte me një keqardhje të madhe dhe u lut me vete: “O Zot ndihmoje këtë të gjorë.

Mirëpo naiviteti i moshës dhe ndërgjegja e pastër nuk e lanë të kuptonte se çfarë punësh po bënte ajo vajzë dhe si i nxirte paratë në mes të errësirës. Duke qarë i ra në mëndje familja e saj dhe filloj të mërzitej edhe më shumë. Mirëpo lodhja e madhe që kishte përjetuar nuk e la që të mendohej gjatë e gjatë, voglushen e kishte marrë gjumi.

Pa aguar mirë drita vajza e vogel u gjet në dorë të policisë, e tronditur nga ankthet e asaj nate që kishte përjetuar e qe s’do t’i harronte tërë jetën që do t’i ngeleshin si një kujtim i keq, në fytyren e saj u shfaq një buzëqeshje kur nga larg dalloi fytyren e së emës. Rendi me vrap dhe u gjet para një përqafimi të ngrohtë dhe të dashur.

Një ditë e re dhe e ngrohtë sapo kishte aguar, rrezet e diellit kishin ngrohur dhomën e vajzës, por me e ngrohtë se ta ishte atmosfera familjare që e rrethonte kudo dhe dashuria e madhe e prindërve të cilët i qëndronin voglushes mbi kokë teksa ajo po flente.

Vitet tanimë kishin kaluar ajo vajzë dikur e vogël tani ishte në një moshë madhore, ishte në vitet e saja më të mira dhe në ndjekje të studimeve. Një ditë me shoqet  ajo u tregonte atyre tmerret e nje nate në vitet e fëmijërisë që kishte përjetuar dhe sa ndikim kishin pasur kshillat e nënës së saj atë natë. Dhe tanimë ajo e kishte kuptuar se e vetmja forcë që e kishte ndaluar të mos jetë personazh i atyre skenave të asaj drame ishte familja e shëndoshë dhe edukata e mirë nga prindërit e saj të devotshëm të cilët për të kishin qenë një garani që ajo sot kishte arritur të jetë një person i nevojshëm i dashur dhe i respektuar për shoqërinë.

*Shkrimi eshte vleresuar me cmimin e pare ne konkursin e eseve organizuar nga Forumi Rinor Islam

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.