Nga Vlera Bokshi

Një temë shumë e diskutuar dhe për të cilën ka shpesh kundërthënie mes prindërve është çasja që prindërit duhet të kenë me fëmijët, në mënyrë që të rrisim fëmijë të shëndetshëm mendërisht dhe të kemi raporte të shëndetshme prindër-fëmijë.

Prindërit janë gjithmonë në vëzhgimin e fëmijëve, edhe pse jo gjithmonë prindërit e vërejnë këtë. Fëmija vëzhgon kur prindi ballafaqohet me një situatë stresuese, si ju silleni me njerëzit e tjerë dhe si ju I menaxhoni ndjeshmëritë tuaja.

Të gjitha situatat e lartpërmendura fëmijët I thithin sikur të ishin një sfungjer, prandaj prindërit duhet të kenë kujdes të shtuar në mënyrën se si veprojnë, edhe në momentet kur mendojnë se fëmija nuk po I vëzhgon drejtpërdrejtë.

Në një hulumtim të cilin e kam realizuar në vitin 2018 në Kosovë prej 825 prindërve të pyetur 51% e tyre kanë deklaruar se së paku tre herë nuk e kanë kontrolluar sjelljen para fëmijëve.

Ndërsa, në po të njëjtin hulumtim 78.5% e prindërve janë pajtuar që fëmijët imitojnë sjelljet e tyre. Kjo është edhe një dëshmi që fëmija modelon sjelljet e prindërve.

Kuptohet që është e vështirë dhe pothuajse e pamundur të jesh perfekt dhe gjithmonë të përçosh sjelljet të mira tek fëmijët, por të paktën duhet të përpiqeni që para fëmijëve të keni sjelljet që do të dëshironit që fëmija juaj të kishte. Përshembull, nëse u flisni fëmijëve për dëmet e duhanit, ndërkohë ju vet jeni konsumues, atëherë këshillat tuaja nuk do të kenë ndikimin që ju e prisni.

Komunikimi i prindit me fëmijën fillon nga momenti i ardhjes së fëmijës në këtë jetë. Por kuptohet që ky komunikim bëhet në forma të ndryshme varësisht moshës.

Për të krijuar një raport të shëndoshë prindër fëmijë, duhet së pari të kuptoni arsyen e sjelljes së fëmijës, sepse kjo përveçse ju ndihmon në krijimin e një raporti të shëndoshë me fëmijën, transmeton edhe maturi te fëmija, gjithashtu keni më shumë mundësi të arrini të ndryshoni një sjellje të caktuar te fëmija juaj përmes komunikimit.

Tre faktorët kryesorë që secili prind duhet t’i dijë:

Është shumë e rëndësishme që prindi të kuptojë tre faktor kryesor, të cilët ndikojnë në sjelljet apo veprimet e fëmijëve. Këta jane: shkaktari, veprimi dhe pasoja.

  1. Shkaktari është faktori që e nxit fëmijën në një sjellje të caktuar
  2. Sjellja është përgjigjja e fëmijës ndaj shkaktarit.
  3. Pasoja është ajo që ndodhë pas sjelljes së fëmijës.

Nëse vëreni sjellje të papërshtatshme te fëmija, atëhere duhet të bëni ndërlidhjen në mes këtyre tre faktorëve, në mënyrë që të qartësoheni ju si prind dhe të krijoni një urë të përshtatshme komunikimi me fëmijën. Sepse në shumë raste prindërit kur vërejnë sjellje jo të përshtatshme ndjehen të frustruar dhe shprehin zemërim te fëmija, pa dhënë sqarime. Dhe në këtë mënyrë ju vetëm e bëni konfuz fëmijën, prandaj është i rëndësishëm komunikimi.

Si të evitoni sjelljet e papërshtatshme te fëmija:

Në shumë raste prindërit e ndëshkojnë fëmijën për një sjellje të caktuar, por ka shumë mundësi që vet ndëshkimi të ndikojë në përsëritjen e asaj sjellje.

Po ashtu, në disa raste prindërit janë fizikisht me orë të tëra së bashku me fëmijën, por kanë qëndrim pasiv së bashku.

Të kaloni kohë aktive me fëmijën nënkuptohet të luani apo bisedoni me fëmijën, të kryeni një aktivitet të caktuar së bashku me të, varësisht moshës së tij. Kjo ndikon shumë në zhvillimin e fëmijës, në evitimin e sjelljeve të papërshtatshme, sepse ndikon që fëmija të ketë respekt dhe konsiderat për atë që ju e thuani, po ashtu ndikon edhe në krijimin e raporteve të shëndosha prindër fëmijë.

Cfarë vepron është shumë më e rëndësishme se çfarë thua

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.