Gratë muslimane që nuk mësohen ose nuk mësojnë të mbrohen apo të luftojnë fizikisht për t’u vetëmbrojtur por edhe për të kërkuar të drejtat e tyre është një nga disavantazhet më të mëdha, jo vetëm për to, por edhe për shoqërinë islam në tërësi. Me dhunën ndaj grave që është kaq shumë e përhapur në botë, përfshi këtu edhe në botën islame, ne nuk duhet t’i lëmë gratë tona të pambrojtura. Pavarësisht nëse janë ushtarë jomuslimanë që pushtojnë tokat tona, apo tiranë qafira në shtëpitë tona, gratë muslimane meritojnë të rriten dhe të edukohen me aftësinë për t’u treguar vendin atyre.

Lufta në Kosovë dhe Bosnje ku gratë muslimane u dhunuan psiqikisht dhe fizikisht nuk është një realitet i largët. Plagët e tyre janë ende të dukshme dhe po lobohet fuqishëm që e drejta e tyre të çohet në vend. Sikurse edhe rrëmbimet masive për prostitucion apo për organe në tregun e trafikimit njerëzor, fenomen i cili ka qenë më shumë i përhapur gjatë viteve të luftës civile në Shqipërinë e 97’tës.

Disa praktika shumë të thjeshta në dukje janë tepër të rëndësishme në shkathtësimin e aftësive vetëmbrojtëse ose shpëtimi nga rreziku prej dhunuesit të saj. Mësimi i arteve marciale, kurseve të vetëmbrojtjes, kalërimi, noti, vozitja, etj zakonisht shikohen si aftësi parësore ose ekzkluzive vetëm në rritjen dhe edukimin e djemve.

Nga ana tjetër edhe kundërshtimi i zullumit dhe ngritja e zërit kundër padrejtësive duhet të jetë pjesë e rëndësishme e mentalitetit tonë si komunitet.

Gratë tona ishin disa nga luftëtaret më të fuqishme në historinë e islamit, madje edhe gjatë jetës së Profetit Muhamed (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të). Sikur të mos ishte luftëtarja e fuqishme, Ummu Umārah, e cila ishte e vetmja që qëndroi dhe mbrojti Profetin (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të) kur të gjithë shokët e tjerë ishin shpërndarë në betejën e Uhud, ai mund të ishte vrarë nga Ibn Kami`ah. Ajo në fakt u gjend atje për të mjekuar luftëtarët por përfundoi duke i kaluar të gjithë në betejën në fjalë. Madje ajo ishte edhe shtatzënë!

Edhe në periudhën e hershme të islamit, gratë nuk ishin të cunguara për të ngritur zërin. Ato ndiheshin të lira të flisnin të sigurta se zëri i tyre do të dëgjohej. Një kapitull  Kurani fillon pikërisht duke përmendur ankesën haptazi të një gruaje drejtuar Profetit (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të), duke dëshmuar: “Vërtet, Allahu dëgjoi fjalët e asaj e cila bisedoi me ty lidhur me burrin e vet, që u ankua te All-llahu; prandaj All-llahu e dëgjon bisedën tuaj, Allahu dëgjon çdo bisedë dhe sheh çdo punë.’[Kur’an 58: 1]. Prej atëherë e tutje, shokët e Profetit (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të), duke përfshirë edhe vetë Omerin (Zoti qoftë i kënaqur me të), do ta trajtonin këtë grua me shumë respekt. Madje rrëfehet se pas disa vitesh kur ky i fundit bëhet prijës i besimtarëve, kjo grua e ndalonte për ta këshilluar për diçka dhe për ta kritikuar, ndërsa Omeri (Zoti qoftë i kënaqur me të) ndalonte të gjithë karvanin e tij dhe kokëulur e dëgjonte gjithë respekt dhe modesti. Në një tjetër raste tregohet se kur Omeri (Zoti qoftë i kënaqur me të) si prijës  kishte shpallur publikisht një mandat në lidhje me një vendim ligjor, një grua u veçua nga turma dhe e korrigjoi atë, duke cituar një rregull nga një versët kuranor. Ky udhëheqës i të gjithë muslimanëve të asaj kohe e pranoi kritikën dhe tha:”Kjo grua e kundërshtoi Omerin (Zoti qoftë i kënaqur me të) dhe fjala e saj triumfoi mbi të.”

Gjatë udhëheqsjes së tij, Omeri (Zoti qoftë i kënaqur me të) caktoi dy gra, Samra b. Nuhajk dhe Shifa b. Abdullah, për të përmbushur rolin e mbikëqyrësit të tregut (një lloj forme e policisë tatimore të sotme). Ato të dyja patrullonin tregjet për të siguruar që praktikat e drejta të biznesit po kryheshin dhe se po mbahej sjellja e duhur sipas parimeve islame.

Kështu, gratë nuk ishin të kufizuara vetëm posaçërisht në rolet e tyre familjare si gra, nëna dhe vajza brenda sferës private. Kryerja e detyrave të vlerësuara si publike mund të konsiderohet gjithashtu një mjet me të cilin gratë e talentuara të asaj kohe ishin në gjendje të përmbushin potencialin e tyre dhe të kontribonin në shoqëri në përgjithësi.

Gruaja muslimane e asaj kohe vepronte midis një ekuilibri të qartë midis rolit të saj si një grua në sferën publike dhe private. Islami ka përcaktuar të drejtat dhe përgjegjësitë e saja në një mënyrë ku asnjë aspekti i vetëm nuk i jep një rëndësi disproporcionale në dëm të tjetrit. Në këtë mënyrë, ndërsa pranon mënyrat produktive në të cilat një grua mund të kontribuojë në shoqërinë e përgjithshme, islami nuk sugjeron që roli i një gruaje në sferën private si nënë ose grua është inferior ndaj një roli të kryer në publik; përkundrazi, islami lartëson virtytet e të gjitha këtyre roleve dhe e quan shoqërinë si një e tërë për të njohur vlerën në kryerjen e tyre dhe për të nderuar gratë që e bëjnë këtë.

Ky parim i respektit dhe vlerësimit ndërmjet gjinive mund të përkthehet shumë mirë edhe nga shembullin i Omer ibn Hattabit. Shfaqja e modestisë ndaj grave përballë së vërtetës, pa asnjë sens maskilizmi, nuk ishte karakteristikë e tipit të vetë Omerit (Zoti qoftë i kënaqur me të), ishte thjesht ajo që kishte mësuar nga vetë Profeti (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të). Ky qëndrim është pjesë e të qenurit një musliman dhe duhet të merret seriozisht nga kushdo që pretendon se e ndjek shembullin e Profetit (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të) sot.

Nga ana tjetër, për çdo ditë po projektohen projekte dhe po përpilohen politika për të eliminuar dhunën në familje, dhunën ndaj grave, por për një jetë komunitare të shendetshme si gjithmonë më mirë është parandalimi se sa kurimi. Nëse inkurajojmë një shoqëri ku gratë edukohen të jenë të dobëta, do të inkurajomë një shoqëri që do të rrisë burra zullumaqrë gjithashtu. Mjafton të hedhim një vështrim rreth vetes dhe do ta kuptojmë në çfarë gjendje jemi sot. Andaj duhet të  marrim masa ta ndreqim sa më parë këtë.

Nada Dosti

Autorja është themeluesja e Muslimania.al
Nada Dosti

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.