Drejtësia është elementi kryesor i paqes sipas mesazhit kuranor, andaj është përgjegjësia e të gjithë muslimanëve që të punojnë për vendosjen e drejtësisë.

Ne i dërguam të dërguarit Tanë me argumente të qarta dhe Ne zbritëm me ata librin dhe drejtësinë që t’i përmbahen njerëzit të së drejtës” (57:25)

“O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të All-llahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë. Kini dro All-llahun se All-llahu di hollësisht për atë që veproni” (5: 8)

Këto ajete, dhe shumë të tjera (Kuran 2: 178; 2:30; 16:90) kur flasin për “njerëzit e së drejtës” dhe “dëshmues të së drejtës” flet në numrin shumës duke iu referuar të dyja gjinive. 

Pra, nocion i drejtësisë përfshin burrat dhe gratë duke pretenduar nga të dyja palët që të jenë aktiv dhe të angazhuar në drejtësi. Ashtu sikurse, termi “halife/zëvëndës në tokë” nuk ka gjini dhe i referohet të dyja palëve si përgjegjës për rendin në tokë, për mirëqënien personale por edhe të ambientit përreth. Mirëpo, mirëqenia e këtij ambienti mund të kërcënohet nga konflikte dhe luftra të ndryshme, gjatë të cilave të dyja gjinitë luajnë një rol të rëndësishëm.

Dhe një ndër mënyrat më të zakonshme për të zgjidhur këto konflikte në botën islame është “pajtimi” që ka për qëllim të përmisojë marrdhëniet e rrezikuara. Një shembull i këtij Pajtimi janë Musalaha apo Sulha të njohura sidomos në Lindjen e Mesme. Dhe ka dy lloje Sulha-sh (Irani, Funk 1998: 64) Shoqërore dhe Personale (Publike dhe Private) Personale është ai lloj pajtimi mes familjesh apo individësh për të evituar hyrjen në hasmëri dhe marrje gjakrash. Ndërsa shoqërore, mund të jetë marrveshje dypalëshe midis dy fiseve, apo shtetesh. Zakonisht ka për qëllim të shuaj konfliktet midis fiseve, etnive apo grupeve fetare të ndryshme. Në historinë islame shembull të kësaj marrveshjeje kemi Paktin e Hudejbijes. Por në ditët e sotme, shembuj të Sulh-it kemi mes komuniteteve në Liban, Palestinë, Jordani, por edhe në Somali, Filipine, Pakistan, madje edhe në Ballkan si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Thotë Allahu i Plotfuqishëm në Kuranin Famëlartë

“Gratë e mira janë respektuese…فَالصَّالِحَاتُ قَانِتَاتٌ” ( Nisa: 34)

“Salihat” vjen nga pikërisht nga rrënja “suhl” të cilën e përmendëm më lartë në rastin e pajtimit, dhe është antonimi i nocionit të prishjes, zullumit, korrupsionit etj. Suhl do të thotë pajtim, paqëtim, bashkim, zgjidhje konflikti. Kjo, sepse gratë në gjuhën kuranore konsiderohen si një burim paqëtimi në një familje por edhe në mbarë shoqërinë. Gratë janë arsyeja e shuarjes së zjarreve, zbutjes së inateve, fundi i hakmarrjeve, ulje zërash, arsye reformash dhe përmisimesh.

Edhe pse në një shoqëri si e jona na është diktuar e kundërta: në vetëdije dhe nënvetëdije na është përvetësuar ideja se në fakt gratë janë të vetmet shkaqe për sherre dhe luftëra, janë arsye konfliktesh dhe xhelozishë, janë i vetmi zë që ngrihet nëpër shtëpia gjithmonë e gatshme për t’u ankuar për diçka. Si ka mundësi pra që e njëjta grua që në shoqërinë tonë është gjithmonë e frustruar, gjithmonë intrigante dhe ajo që i hedh benzinë zjarrit qenka po e njëjta grua që në Kuran mbart epitetin e paqeruajtëses dhe pajtimit të gjakrave?

Duhet të kemi parasysh faktin se ekziston një hendek i madh midis natyrës së vërtetë (fitras) së gruas për të cilën Allahu flet në Kuran, dhe gjendjes së frustruat të gruas së sotme e cila është e privuar nga shumë të drejta duke filluar nga familja e saj, bashkëshorti i saj dhe mbarë shoqëria.

Nëse gjithësecili do t’i jepte hakun që meriton, nëse shoqëria nuk do ta ngarkonte me një barrë që asaj nuk i përket, por më së pari vetë Zoti nuk ja ka ngarkuar, atëherë do të shfaqej natyra e saj e vërtetë dhe do të ishte një simbol i vërtetë i sulh-it/pajtimit.

Ky shkrim eshte publikuar per here te pare ne Revisten Familja, qershor 2021

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.