Anjeza Xhaferaj Rreli

Listat përfundimtare të kandidatëve për deputet përfunduan dhe fushata zgjedhore nisi zyrtarisht. Prurje të reja ndër kandidatët që duken sikur duan të thonë se edhe vetë partitë duan që gjërat të ndryshojnë, mundësisht për mirë. Fytra të reja, të shkuara të pastra e me gjasë e ardhme e ndritur- kjo është pak a shumë ajo që duan të thonë. Teksa partitë opozitare mund të kenë fytyra të reja në parti, kjo mbetet strategji e tyre. Elektoratit i takon të votojë ose jo ekipin që i propozohet. Për hir të së vërtetës kandidatët e rinj në Partinë Demokratike apo LSI nuk zënë domosdoshmërisht pozicionet e sigurta në listë dhe sa për partitë që kandidojnë për herë të parë si për shembull Lëvizja Vetëvendosja ! është e qartë që kandidatët edhe pse të njohur më parë, gjithsesi garojnë për herë të parë. Megjithatë fokusi i shkrimit dhe ajo që tërheq vëmendjen është Partia Socialiste me listat e saj. Prurje të reja në lista, shpesh në atë që konsiderohet si zona e sigurt dhe kandidatë të vjetër, me eksperiencënën e disa legjislaturave të vendosur diku në mes ose edhe nga fundi. Arsyetimi sipas Partisë Socialiste ishte i thjeshtë dhe në dukje mund t’i thuhet edhe fisnik : ata që kanë marrë kaq shumë nga partia duhet të luftojnë më shumë. Megjithatë pyejta që vjen natyrshmë është : luftojnë më shumë për çfarë dhe kundër kujt ?

Përpara se të kuturisem t’i japë përgjigje pyetjes, e shoh të arsyeshme të flas për dy koncepte interesante që janë përdorur shpesh në lidhje me promovimin e grave dhe përgjithësisht të minoriteteve (megjithëse për hir të argumentit këtu do të ndalem vetëm tek përfaqësimi i grave): tavani i qelqtë dhe shkëmbi i qelqtë. Tavani i qelqtë i referohet përpjekjes së grave për të thyer stereotipe, barriera dhe për t’u pozicionuar në sferat e larta të drejtimit, qoftë të shtetit apo bizneseve të ndryshme. Nëse e shohim nën këtë këndvështrim, pozicionimi i grave në pjesën e sipërme të listës së kandidatëve të PS duket lajm i mirë. E megjithatë jo domosdoshmërisht është këtu. Para se dikush të thotë shprehjen ‘Hip se të vrava, zbrit se të vrava’, do mundohem të jem më e qartë. Shkëmbi i qelqtë i referohet konceptit kur gratë vendosen në pozicione të larta në momente krizash, aty ku me shumë gjasa ato (sikurse edhe burrat) do të dështonin. Koncepti i shkëmbit të qelqtë, të atij që thyhet lehtë dhe bashkë me të  edhe gruaja që ndodhet mbi të mund të ‘thyejë qafën’ u ‘krijua’ në vitin 2005 kur u pa se në raste krizash gjasat që kompanitë të vendosnin në krye të tyre një grua ishin më të mëdha, e po kështu edhe gjasat që ato të dështonin gjithashtu ishin më të mëdha. Në politikë ndodh gjithashtu e njëjtë gjë, dhe rasti tipik është ai i Theresa May që u detyrua të merrte drejtimin e Partisë Konservatore, pasi David Cameron dha dorëheqjen dhe Boris Johnson u tërhoq nga gara për kryesinë e partisë duke lënë në garë dy gra : May dhe  Andrea Leadsom. Se ç’ndodhi me May e dimë tashmë, dhe  në fakt ajo që na intereson është të dimë se ç’do të ndodhë në Shqipëri.

Fenomenin e shkëmbit të qelqtë e shohim gjerësisht të aplikuar ku gra pa të shkuar në qeverisje (pra pa merita apo faje) vihen në krye të listës dhe përballen më sulmin e medias, ndërkohë që burra apo gra të tjera, pjesë e qeverisë dhe kuvendit, të pozicionuar diku më poshtë listës, nën petkun e modestisë dhe sakrificës vazhdojnë të qetë fushatën duke iu bërë thirrje lidhjeve të forta me bazën që me shumë gjasa do t’i preferojë në krahasim me fasadën e qelqtë dhe të panjohur për partinë. Andaj edhe përgjigjja e pyetjes që shtruam në fillim për figurat e vjetra “ luftojnë më shumë për çfarë dhe kundër kujt?” ka si përgjigje “luftojnë jo vetëm opozitën, por edhe figurat e reja të vendosura sipër tyre në listë, që pa e ditur se ku kanë hyrë po marrin mbi vete gjithë sulmet ndaj partisë dhe qeverisë’. Ai ndryshim i vockël i kodit elektoral, nën petkun e ri do të vazhdojë të promovojë figura të vjetra, ndërsa ato që kuturisën të guxojnë të shkojnë lart duhet të mësojnë të ecin në terrenin e rrëshqitshëm dhe të thyeshëm të shkëmbit ku kanë hipur.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.