Nga Besarta Fazliu

Në shkrimin e mëparshëm folëm në lidhje me një reflektim mbi gjëndjen parapërgatitore në lidhje me të shkruarit si porces. Sot do të flasim në lidhje me disa hapa konkrete për ta nisur këtë proces.

Hapi i parë që duhet të bëjmë është të ç’rrënjosim frikën sepse ajo bllokon krijimtarinë tonë! Frika na pengon që të gërmojmë thellë në nënvetëdijen tonë, pikërisht atje ku banojnë të gjitha llojet e ndjenjave, ato të këndshme dhe të frikshme po ashtu, atje ku banon tërësia e përjetimeve, proceseve dhe dukurive psiqike, përfshi këtu edhe aftësinë e njeriut që: të ndjejë, të mendojë, të kuptojë, të njohë dhe të dojë.
Është zhgënjyese të mos kesh aftësinë për të ndërmarrë veprime mbi idetë e tua. Dëshira, qëllimi dhe mesazhi mund të jetë i qartë, por kthimi i asaj dëshire në vepër bllokohet disi.

Si të fillojë? Ku të fillojë? Kur të filloj? Këto e shumë pyetje të tjera na hendikepojnë aftësinë për të ndërmarrë një veprim dhe sa më shumë që thellohemi në të, bëhet më e fortë. Ndjenjat e përcjellura me frikë na privojnë nga jetësimi i tyre dhe na detyrojnë që të mbajmë disnatcë.

Qetësohu!
Fillo të shkruash, pothuajse të gjithë shkruajnë broçkulla në fillim.
Drafti i parë është më shumë si një skelet, një ide ku sapo të kemi skeletin, me redaktim e plotësojmë me muskujt dhe ndjesinë shpirtërore e cila i jep kuptim dhe e bën të përsosur dhe unikal.
Pranoji mangësitë e krijimeve të para, shkruaji sidoqoftë dhe përqafoje bezdinë që vjen si rezultat i përpjekjes. Konsideroje si një foshnje e cila do të rritet, zhvillohet e zbukurohet me kujdesin tënd.

Hapi i dytë është të zhvillohet vetë-disiplina.
Shkrimi kërkon përdorimin e vazhdueshëm të trurit për të gjeneruar fjalë nga asgjëja dhe për t’i strukturuar ato në një mënyrë koherente. Mos e nënvlerësoni energjinë e nevojshme për ta bërë këtë. Për ta eleminuar edhe këtë barrikadë, ti duhet të ndërtosh zakonin e të shkruarit të përditshëm dhe për ta bërë këtë duhet të gjesh kohën e përshtatshme gjithashtu.
Mund të krijosh një dosje duke e emërtuar “Shkruaj!” në mënyrë që t’ju ngacmojë ideja e të shkruarit kur e shihni. Aty mund të krijosh dokumente të ndryshme që mund t’i emërosh si “Fragmente”, “Ide” apo fjalë që shprehin atë që ndjenë, përjetimet që lidhen me situata apo me njerëz, të shpalosësh imagjinatën tënde, mund të shkruash dëshirat, keqardhjet, dashuriinë, gëzimin, dialogje, etj,.

Së fundmi, unë rekomandoj të shkruash për çfarëdo që të dëshirosh të shkruash, dhe mbi gjithçka tjetër, le të jetë ky një udhëtim drejt vetë-zbulimit dhe zhvillimit drejt vetes. Le të jetë ky rrugëtim pikënisje për ëndrrat që ju thërrasin të mos hiqni dorë! Çdo fjalë aty le të jetë një rrahje zemre dhe arsyeja që e vë në lëvizje gjithë mekanizmin tënd jetësor! Andaj gjeje mbretin e kaosit brenda teje “që të çon peshë e ju azdisë e shpirtin ta bymen e ta harlisë prej dashnisë!” Gjeje atë burim prej ku e ka zanafillën paqja jote dhe rrugëto drejt vetë-përmbushjes, burim të cilin unë e quaj “Firdeus”.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.