Nga Hajrije Emini Sinani – Psikologe

Njerëzit janë qenie komplekse dhe për ta zbërthyer këtë kompleksitet nuk mund të mjaftohemi vetëm me shpjegimin e një këndvështrimi, por duhen bashkuar pikëpamjet e ndryshme për t’u plotësuar elementet përbërëse të fotografisë së dukurisë.

Në këtë artikull do mundohemi të shkoqisim këndvështrimin psikologjik të interesit personal dhe atij shoqëror në zgjedhjet politike duke analizuar psikologjinë njerëzore si ka rrjedhur që nga filli i saj. Kështu që, së bashku me analizimin e drejtimeve tjera, do plotësohet kuptimi i fenomenit në fjalë.

Analizimi i sjelljeve njerëzore që nga gjeneza

Le t’i kthehemi historikut të gjenezës njerëzore dhe krijimit të dy njerëzve të parë në Tokë; cili ishte interesi i tyre kryesor? Kuptohet se primare ishin interesat personale si ato të ushqimit, mbijetesës, vendstrehimit dhe vetëmbrojtjes personale deri sa erdhi tek formimi i fiseve, fshatrave, qyteteve dhe kështu, me anë të qytetërimit, krahas interesave personale tani më filloi të ndjehet edhe interesi kolektiv duke u interesuar për harmoninë shoqërore për të qenë kësisoj të gjithë nga pak të kënaqur.

Kjo karakteristikë është aktuale edhe në kohën tonë, sepse sa më e varfër të jetë një shoqëri dhe organizimi i saj politiko-administrativ, aq më shumë kthehemi në histori dhe vërejmë rritje të interesit personal ngaqë lufta për sigurimin e kafshatës së gojës dhe çështjet ekzistenciale të mbijetesës dalin në pah.

Nga ana tjetër qëndron ekstremi i kundërt dhe janë qytetarët që kanë të ardhura të larta nga bizneset dhe aktivitetet private. Këta, ruajtja e interesave personale i “detyron” të mbështesin ata që ua lejojnë aktivitetin ekonomik privat dhe ua mundësojnë vazhdimësinë e standardit të tyre të komfortit. Edhe pse të dyja grupet përfaqësojnë nivele të ndryshme, të polarizuara nga njëri-tjetri, megjithatë janë interesa personal të një kategorie.

Kur një shtet e sjell qytetarin në këtë gjendje, ky stad e nënshtron atë verbërisht ndaj autoritetit. Qytetari në këtë rast është i pa përmbushur personalisht dhe i mbingarkuar psiqikisht që të kalojë në nivelin e të menduarit kolektiv ngase konfliktet bazike që ia cenojnë mirëqenien personale janë të zjarrta brenda tij dhe kështu vota e tij do shkojë për atë politikan që i ofron më shumë siguri financiare si një punë atij, fëmijës së tij apo një familjari, ose në rastet më ekstreme edhe vetëm një shumë simbolike për t’ia blerë votën, që në sytë e tij shihet si shenjë vlerësimi.
Në rastin e ekstremit tjetër, individi do mbështesë atë politikë që ia mundëson mbajtjen dhe zhvillimin e biznesit.

Nëse disponimi i qytetarëve është në këtë nivel kemi rrezikshmëri të madhe që të qeverisemi nga njerëz joadekuatë të cilët plotësojnë nevoja selektive të njerëzve të selektuar dhe nuk janë të gatshëm për interesa kolektive. Kështu indirekt, klasa udhëheqëse prodhon qytetarë lehtë të manovrueshëm që karakterizohen vetëm nga ruajtja e interesave personale.

Hierarkia e nevojave të votuesit dhe përzgjedhjen e opsionit politik

Ky fenomen ndërlidhet shumë edhe me hierarkinë e piramidës së nevojave të psikologut Abraham Maslow i cili në paraqitjen e hierarkisë së nevojave i sqaron ato duke i radhitur nga më esencialet që çdokush duhet t’i plotësojë deri tek ato më lartat që rrallëkush i arrin. Synimi i gjithë kësaj hierarkie, sipas Maslowit, është vet-aktualizimi por ky vet-aktualizim nuk mund të arrihet nëse nuk plotësohen të gjitha nevojat paraprake duke filluar nga nevojat fiziologjike si nevojat bazë (ushqimi, uji, gjumi, ngrohtësia), pas plotësimin të të cilave kalohet një hap më tutje tek nevoja për siguri. Me plotësimin e saj ngjitemi tek nevojat sociale (dashuria, pranimi dhe përkatësia), për të vazhduar te nevoja për vlerësim dhe respekt dhe në fund arrihet te nevoja e vet-aktualizimit. Vet-aktualizimi është nevoja më e lartë dhe më e rëndë për t’u arritur prandaj, jo rastësisht, këtë nevojë e plotësojnë vetëm 2% e popullatës botërore.

Me analizimin dhe njohjen e hierarkisë së nevojave ne arrijmë të kuptojmë më qartë nivelin e popullatës në vendin ku jetojmë sepse nëse një individ ka shqetësime serioze në nevojat bazë atëherë është e pamundshme që ata të shohin interesin e përgjithshëm. Nga ana tjetër, sa më të plotësuar të jenë qytetarët e një vendi, aq më afër vet-aktualizimit do jenë, dhe probabiliteti për të votuar një politikë që ka synim mirëqenien kolektive është shumë më i madh dhe real se në vendet e varfra.

Mbi të gjitha, nuk duhet anashkaluar fakti se thirrja në promovimin e interesave kolektive kundrejt atyre personale më së shumti bëhet nga ana e një klase që, për ironi të fatit, janë pikërisht ata që kanë më së shumti përfitime personale nga kjo thirrje, dhe s’do mend se flasim për klasën politike. Është utopike të pretendohet se mund t’i iket plotësisht interesit personal, mirëpo interesi kolektiv duhet çdoherë të jetë në fokus dhe synim parësor. Fatkeqësisht, në vendet me probleme ekzistenciale përfitimet personale nga thirrjet për përfitime kolektive janë me të mëdha. Vetë kërkesa e votës së qytetarit; fushatat parazgjedhore; ndrojtja nga dorëheqja në rast mos-suksesi; promovimi i anëtarit të partisë që ata i përkasin; të gjitha këto janë thirrje drejt interesave personal dhe jo kolektiv.

Si përfundim, nevojat personale të individit në shoqëri do të kenë çdoherë ndikim të dukshëm në përzgjedhjen e tij politike. Euforia e turmës, në raste, arrin edhe ta verbojë individin që t’i anashkalojë përkohësisht interesat e tij. Krahas mirëqenies ekonomike, ajo që mund t’i bëjë individët të mendojnë për interesin kolektiv para atij personal, ka qenë dhe mbetet gjithmonë vetëdija e lartë, por vetëdija e lartë është shumë vështirë të arrihet nga gjenerata që rriten në kushte të vështira sociale. E gjithë kjo na kthen vazhdimisht në një rreth vicioz në të cilin i qeverisuri varet nga qeverisësi për t’u mundësuar ngritja ideologjike kolektive.

Dhe kështu arrijmë të shohim se disa detyrohen të zgjedhin të gabuarën, të tjerët e gabuara nuk i lëshon dot. Disa kanë fatin t’i përkasin epokës së lulëzimit të qeverisjes dhe të tjerët janë peng të viteve të hidhura dhe fatit të keq për ta jetuar të ligën. Me vullnetin e lirë, çdo individ mban përgjegjësi a do shohë interesin personal të përkohshëm apo interesin kolektiv që, më vonë, do ia plotësojë interesin personal.

  
                                                                                                                                                       
                                                                                    


LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.