Nga Jasmin Mogahed

Shumë njerëz sot përpiqen që të luftojnë me ankthin dhe pasiguritë e kësaj krize. Por problemi është akoma më i thellë se vetë koronavirusi. E vërteta është se ekziston vetëm një formulë për zgjidhjen e çdo problemi: Ajo çka neve na intereson është që të përqëndrohemi në atë çka e kemi në dorë e që mund ta kontrollojmë, e jo në atë çka nuk mund ta kontrollojmë. Me fjalë të tjera, ne duhet që listën tonë të gjatë të brengave ta zvogëlojmë në një çështje të vetme.

Jeta jonë e përditshme është përplot brenga e shqetësime. E tani, kjo krizë na sjell edhe një tjetër brengë dhe frikë të re. Si rezultat, zemrat tona na janë lodhur dhe stërngarkuar. Zemra nuk është projektuar për të mbartur shumë halle e brenga. Ajo është e përcaktuar për të mbartur vetëm një. Një brengë përfundimare… A jam unë në rregull me Zotin? Si i kam punët me Atë?

Sot, të gjithë ia kemi shtypur jetës sonë butonin e pauzës. Nuk shkojmë në punë, nuk shkojmë në shkollë, nuk hamë në restorane e as nuk takohemi me miq për kafe apo darkë. Nuk udhëtojmë jashtë vendit e as nuk falemi me xhemat në xhami. Askush nuk shkon në bare apo kazino. Të shumtë janë ata që flasin dhe diskutojnë arsyen e kësaj çka është duke ndodhur. Vallë është ky një dënim? Një sprovë? Mos ndoshta në brendësinë e tij fshihet një bekim dhe e mirë? Ose ndoshta është një konspiracion? Të tjerët janë zhytur në lajme duke ndjekur çdo statistikë, storje apo kryetitull të ri.

Megjithatë që të gjithë jemi fokusuar në pyetje të gabuara. Neve nuk duhet të na interesojë ajo çka bën Zoti dhe pse e bën. Gjithashtu as nuk është në duart tona që ta kemi nën kontroll atë çka ndodh në botë. Kjo nuk është puna jonë e as nuk kemi autoritet në urtësinë Hyjnore. Ne nuk do të pyetemi për statistikat dhe numrin e të vdekurve. Përqëndrimi ynë duhet të jetë një dhe i vetëm, për të cilën do të pyetemi dhe do të japim llogari. E vetmja gjë që mund ta kontrollojmë është: përgjigja apo reagimi ynë.

Ka mundësi që kjo pauzë e madhe të ketë ardhur për të na ndihmuar që t’i largojmë të gjitha shqetësime dhe brengat e rrejshme që na kanë kapluar dhe të fokusohemi në atë çka është më e rëndësishmja: A i kam punët mirë me Zotin tim dhe me krijesat e Tij?

Kjo situatë do të thotë kthim tek Allahu, që nënkupton pendim. Nënkupton shtimin e dhikrit (përmendjen e Allahut) me Kuran, lutje etj. Nënkupton rregullimin dhe përmirësimin e namazit tonë, pastrimin e zemrës dhe veprave. Nënkupton që të sigurohemi se a i kemi plotësuar të drejtat me Allahun dhe krijesat e Tij. A jam duke i mbrojtur të tjerët dhe veten me anë të distancimit social? A sillemi mirë me prindërit, bashkëshortin, fëmijët dhe fqinjët tanë? A i kam përmbushur të drejtat e njerëzve rreth meje? Kjo gjithashtu nënkupton edhe vepër e mirë tek Zoti.

Nuk ka dyshim se secilit nga ne do t’i vijë vdekja. Dhe çdonjëri nga ne do të përballet me Krijuesin tonë. Nuk është me rëndësi koha *kur* por *si*. Në çfarë gjendje do ta kemi zemrën? Si do t’i kemi veprat? Ndaj dhe le t’i lëmë anash polemikat, debatet dhe obsesionin ndaj lajmeve dhe le të fokusohemi në atë çka mund ta kontrollojmë dhe e kemi në dorë. Pra, ajo çka neve na intereson është : A JAM NË RREGULL ME ZOTIN?

Perktheu: Hanife Alija Dauti

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.