Të jesh grua në një fushë të dominuar nga meshkujt nuk është e lehtë, sidomos kur bëhet fjalë për aftësinë apo forcën fizike. E pra, Kulthum Abdullahu kryeson në një nga industritë sportive më të mëdha të mbizotëruar nga meshkujt – peshëngritjen. Ajo është një nga gratë e pakta pakistano-amerikane me këtë profesion dhe e para që e përfaqëson Pakistanin në kampionatin botëror. Ajo është edhe e vetmja grua muslimane e mbuluar që garon në një eveniment ndërkombëtar të peshëngritjes. Kulthum ka marrë pjesë në garat e peshëngritjes që nga viti 2010, pas një interesimi mbi sportin taekvondo. Mirëpo nuk është ndalur me kaq, ajo gjithashtu ka doktoruar në fushën e inxhinierisë. Rrugëtimi i kampionatit botëror, që ndodhi në Tajlandë këtë shtator, ishte nga më të gjati për Kulthum.

Në kampionatin kombëtar të peshëngritijes në 2010, asaj iu ndalua hyrja për shkak të mbulesës. Mirëpo ajo nuk u dorëzua, i sfidoi rregullat dhe arriti të hynte vitin tjetër. “Edhe pse isha e mësuar me lloje të ndryshme të diskriminit, në këtë rast u zhgënjeva tej mase, e cila si pasojë ndikoi shumë në trajnimin tim,’ tregon ajo. ‘Tashmë isha stërvitur dhe kisha konkurruar në nivelin lokal, ndaj dhe u mërzita shumë. Në retrospektivë, e gjitha ishte një përvojë që ta ndryshonte jetën. Të të thuhet jo, dhe pastaj të pranosh mbështetjen dhe vëmendjen e medias, ishte e papritur dhe befasuese për mua. Dhe unë bëra ç’mos për të përfituar nga kjo platformë dhe ky zë”

Gjithashtu, mungesa e përfaqësimit të grave muslimane në fushën e sportit ishe një lloj pengese se ajo mund të hynte në hapësira të tilla.

“Kur isha fëmijë nuk e dija se ç’ishte peshëngritja. Duke mos pasur asnjë rol model dhe as që e çoja në mendje se do bëhem atlete, ndaj dhe nuk ndiqja ndonjë lloj sporti. Mbi peshëngritjen shfaqa interesim më vonë, pasi mbarova shkollën. Fillova të ndiqja taekvondo dhe shkova deri në rripin e zi. Për ta plotësuar më shumë, fillova të punoja më shumë në qëndrushmërinë dhe forcën. Në atë kohë, ishte e vështirë të gjeje burime për trajnim të forcës për gra, kështu që shumicën e bëra vetë. Më pëlente të isha aktive dhe vazhdoja të ushtroja forcën time edhe pasi përfundova doktoraturën.”

Teksa inxhinieria mund të konsiderohet si një karrierë fitimprurëse, ngritja e peshave ishte disi një zgjidhje jokonformiste për komunitetin e Kulthumes. Mirëpo familjen e kishte përkrahë: ‘Më inkurajuan të konkurroja. Në palestër, zakonisht më pyesin nëse kam vapë për shkak të mbulesës. Dhe përgjigja është po, zakonisht kur është verë dhe nuk ka kondicioner, por në dimër ndjehem mirë. Mendoj se për shkak që jam munduar të gjejë një ambient pozitiv për të mësuar dhe trajnuar, dhe duke qenë shumë e fokusuar në të, nuk më bënin përshtypje ajo çka mendonin të tjerët për mua.”

Sigurisht, e gjitha çka kërkohet është një disiplinë e fortë dhe shumë punë. Derisa u doktorua në inxhinierinë elektrike/kompjuterike në institutin e teknologjisë në Gjeorgji, Kulthum filloi ta balanconte sportin me studimet e saja. ‘Ishte një sfidë. Kur isha në përfundim të shkollës, si dhe ushtroja taekvondo, unë përgjithësisht fleja, haja, studioja, punoja, ushtroja, dhe pastaj përsëri flija. Më vonë, me peshëngritjen më hyri në qejf sporti dhe doja ta vazhdoja atë të paktën për shëndetin tim mendor dhe trupor.

Përpiqesha që të kujdesem për veten, dhe zakonisht gjatë festave bëja pushim në mënyrë që të rimbushesha me energji. Sot, më fleksibël është të punosh në industri sesa në universitet, kështu që peshëngritjen e kam si një pjesë të rutinës për t’u kujdesur për veten.’ Kulthum shton se më e rëndësishmja për të është të shohësh reagimin pozitiv të njerëzve dhe t’u tregosh vajzave të reja muslimane që edhe ato mund ta arrijnë të paimagjinueshmen. Ndërsa ne presim edhe shumë gjëra të reja nga karriera e saj.

Përktheu: Hanife Alija Dauti

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.