Kina do të rishkruajë Kuranin dhe Biblën për të ‘pasqyruar vlerat socialiste’ ndërkohë që vazhdon shtypjen ndaj pakicës myslimane Ujgure, ka zbuluar një raport.

Botimet e reja nuk duhet të kenë asnjë përmbajtje që bie në kundërshtim me besimet e Partisë Komuniste, thuhet sipas një zyrtari të lartë të partisë. Paragrafët që konsiderohen të gabuara nga censuruesit do të ndryshohen ose përkthehen edhe njëherë.

Megjithëse Bibla dhe Kurani nuk janë përmendur në mënyrë të veçantë, partia bëri thirrje për një ‘vlerësim gjithëpërfshirës të klasikëve fetarë ekzistues, përmbataja e të cilëve nuk përputhet me përparimin e kohës’.

Urdhri u dha në nëntor gjatë një takimi të mbajtur nga Komiteti për Çështjet Etnike dhe Fetare të Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, i cili mbikëqyr çështjet etnike dhe fetare në Kinë.

Një grup prej 16 ekspertësh dhe përfaqësues të feve të ndryshme nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës morën pjesë në konferencë muajin e kaluar, raporton agjencia e lajmeve Xinhua.

Takimi u mbikëqyr nga Wang Yang, Kryetar i Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez.

Wang theksoi se autoritetet fetare duhet të ndjekin udhëzimet e Presidentit Xi dhe të interpretojnë ideologjitë e feve të ndryshme në përputhje me ‘vlerat thelbësore të socializmit’ dhe ‘kërkesat e kohës, raportoi dje gazeta franceze Le Figaro.

Ai u bëri thirrje zyrtarëve që të ndërtojnë ‘një sistem fetar me karakteristika kineze’.

Zyrtarët u pajtuan me direktivat e Z. Wang, duke shtuar se misioni “është zgjedhja e historisë”.

Ata gjithashtu pohuan se duke ‘rivlerësuar’ librat fetarë, ata do të parandalonin ‘mendimet ekstreme’ dhe ‘idetë heretike’ që dëmtojnë vendin.

Takimi i nëntorit u zhvillua pasi Kina u përball me kritika nga mbarë bota për politikat e saj ndaj fesë.

Një seri dokumentesh të zbuluara ka treguar se si qeveria kineze drejton një sistem qendrash riedukimi për të indoktrinuar muslimanët në provincën perëndimore të Xinjiang.

Dokumentet, të cilat përfshijnë udhëzimet për qendrat operative të paraburgimit dhe udhëzimet se si të përdorin teknologjinë për të synuar njerëzit, zbulojnë se kampet në Xinjiang nuk janë për trajnime vullnetare dhe punë, siç ka pohuar Pekini.

Aktivistët dhe ekspertët e OKB-së kanë pohuar se të paktën një milion ujgurë etnikë dhe muslimanë të tjerë mbahen në qendrat e paraburgimit në rajon.

Ish të paraburgosurit kanë deklaruar se muslimanët ishin të detyruar të hanin mish derri dhe të flisnin gjuhën mandarin në kampet e internimit.

Pasi fillimisht e mohoi ekzistencën e tyre, Kina pranoi se kishte hapur ‘qendra të edukimit profesional’ në Xinjiang që synonin parandalimin e ekstremizmit duke mësuar gjuhën mandarin dhe aftësitë e punës.

Sekretari i Shtetit Amerikan Mike Pompeo tha në nëntor se dokumentet e zbuluara vërtetuan se autoritetet kineze ishin të angazhuara në shtypjen masive dhe sistematike të muslimanëve dhe minoriteteve të tjera.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme kineze ka akuzuar ‘disa media’ për ‘njollosjen e luftës së Kinës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit në Xinjiang’.

Po ashtu, ambasada kineze në Londër mohoi ekzistencën e dokumente të tilla, duke i thënë gazetës The Guardian se ato ishin ‘shpikje të pastra dhe lajme të rreme’.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.