Nga Yasmin Mogahed

Sipas një proverbe të mirënjohur, ora më e errët është pak para agimit. Dhe megjithëse astronomikisht pika më e errët është shumë më herët, e vërteta e kësaj proverbe është metaforike – por jo më pak e vërtetë.

Shpesh ne vërejmë se kohërat më të errëta në jetën tonë pasohen nga ato më të çmuarat. Shpeshherë, në momentin kur gjithçka duket se nuk shkon si duhet, ndodh ajo që më pak e prisnim. A nuk e humbi Profeti Ejub gjithçka një nga një, para se gjithçka ti kthehej mbrapsht, por edhe më shumë?

Po. Për Profetin Ejub, nata ishte e vërtetë. Dhe për shumë prej nesh, duket se ajo do të zgjasë përgjithmonë. Por Allahu nuk e lejon natën të jetë e pafundme. Në mëshirën e Tij, ai na jep diellin. Megjithatë ka raste kur ne ndiejmë se vështirësitë tona nuk do të mbarojnë. Dhe mbase disa prej nesh ndihen aq të dobët shpirtërisht në fenë tonë e na duket sikur jemi shkëputur nga Krijuesi ynë. Madje për disa prej nesh, nata është kaq e errët, aq sa nuk e vërejmë.

Por ashtu si dielli lind në fund të natës, edhe agimi ynë ka ardhur. Në mëshirën e Tij të pafund, Allahu ka dërguar dritën e Ramazanit për të fshirë natën. Ai ka dërguar muajin e Kuranit në mënyrë që të na lartësojë dhe të na dërgojë nga izolimi ynë në afërsinë e Tij. Ai na ka dhuruar këtë muaj të bekuar për të mbushur boshllëkun tonë, për të shëruar vetminë tonë dhe për t’i dhënë fund varfërisë së shpirtit tonë. Ai na ka dërguar agimin që vjen prej errësirës – dritën. Zoti thotë në Kuran:

“Ai është që ju mëshiron, e – edhe engjëjt e Tij (luten për ju) që t’ju nxjerrin nga errësira në dritë, – Ai është mëshirues ndaj besimtarëve. ” (Kuran, 33:43)

Dhe kjo mëshirë i mbulon të gjithë ata që e kërkojnë atë. Edhe mëkatarit më të madh i thuhet të mos e humbasë kurrë shpresën në mëshirën e pafund të Zotit. Zoti thotë në Kuran:

“Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është Mëshirues!” (Kuran, 39:53)

Allahu është Pronar i mëshirës dhe nuk ka kohë kur ajo mëshirë të shfaqet më shumë mbi ne sesa në muajin e bekuar të Ramazanit. Profeti a.s ka thënë në lidhje me Ramazanin: “Fillimi i tij është mëshirë, mesi i tij është falje dhe fundi i tij është çlirimi nga Zjarri.”

Çdo moment gjatë Ramazanit është një shans për t’u rikthyer tek Allahu. Çfarëdo që kalojmë në jetën tonë është shpesh rezultat i drejtpërdrejtë i veprimeve tona. Nëse jemi të poshtëruar ose ndiehemi të ulët, janë gjynahet tona që na kanë ulur. Vetëm tek Zoti ynë duhet të kthehemi dhe të  shpresojmë të lartësohemi. Nëse vazhdimisht e kemi të vështirë të zgjohemi për të falur sabahun, apo të qëndrojmë larg haramit duhet të rishikojmë marrëdhëniet tonë me Allahun. Porse mbi të gjitha, nuk duhet të biem pre e mashtrimit. Për asnjë çast nuk duhet ta na shkoi ndërmend se gjërat në këtë botë kanë sukses, dështojnë, jepen, merren, bëhen ose zhbëhen pa lejen e Allahut. Vetëm nga lidhja jonë me Krijuesin tonë ne ngrihemi ose biem në jetë, në marrëdhënien tonë me botën tonë – dhe me gjithë njerëzimin.

Por ndryshe nga njerëzimi, Krijuesi ynë është që fal shumë. Imagjinoni të merrni një pllakë të pastër. Imagjinoni që gjithçka për të cilat nuk jeni penduar është fshirë plotësisht. Ramazani është pikërisht ai shans. Profeti a.s tha: “Kush agjëron gjatë Ramazanit nga besimi i sinqertë dhe duke shpresuar të arrijë shpërblimet e Allahut, atëherë atij do ti falen të gjitha mëkatet e kaluara ” (Buhari).

Perktheu: Jonida Vishkurti

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.