Tham se shpëtuam nga retorika islamofobe e cila do fusë hundët, në këtë rast maskat, në çdo sferë të jetës. Para se të dilnin këto kryetituj të “legjendave” mediatike si BBC dhe The New York Times, ku tregonin për ndërprerjen e linjave të fluturimit të SHBA-ve me disa vende të botës, përveç Turqisë por shoqëruar me foto nga vetë Turqia, mundësisht foto me xhami.

Libra, raporte, kërkime, studime dhe artikuj të ndryshëm vërtetojnë se islamofobia është një fenomen i pamohueshëm, madje një indrustri e tërë e cila punon non stop dhe nuk kursen as raste krizash dhe tragjedish botërore. Por si e tillë, mund të raportohet, adresohet, luftohet, shmanget dhe madje eleminohet. Aktor të ndryshëm, prej aktivistëve të të drejtave të njeriut, komunitete muslimane, politikbërërës, studies etj, përpiqen të bëjnë punën e tyre në këtë aspekt. Po çfarë mund të bëjmë ne të tjerët? Së paku mos vetëviktimizohemi. Mos lejojmë që të shkrihemi me këtë retorikë dhe të krijojmë narrativa nga më qesharaket, së pari duke ulur dinjitetin dhe krenarinë tonë, dhe së dyti duke u bërë edhe argument për vetë industrinë e islamofobisë. 

Si vetëviktimizohemi ne, dhe si bëhemi qesharak? 

Po ja, ma shpjegoni pak ju ç’lidhje ka maska e fytyrës me nikabin (burkën)? Maska mbahet për të ruajtur shëndetin tonë dhe të tjerëve rreth nesh. Burka mbahet për tjetër gjë: për arsye kulturore, zakonore, fetare, zgjedhje e lirë, e imponuar, traditë, vetëdijësim, domosdoshmëri. Dimensioni i hixhabit dhe elementëve të tjerë që e përbëjnë është aq i gjërë dhe kompleks saqë një krahasim i tillë është sa i pavend aq dhe i dëmshëm. 

Pastaj maska mbahet nga të gjithë jo vetëm nga femrat, ndërsa burka që njohim ne sot është elemnt i posaçëm vetëm për femrat (në shkretëtirë është përdorur dhe vazhdon të përdoret edhe nga meshkujt të cilët duan të ruhen nga stuhitë e rërës). 

Këto ditë maska po vendoset si masë parandaluese nga përhapja e virusit, e nëse i shkojmë deri në fund kësaj llogjike atëherë i bie që burka mbahet për t’u mbrojtur nga ekspozimi i bukurisë së femrës ndaj virusit “mashkull”. Këtë mesazh dëshironi t’i përçoni mbarë botës, se meshkujt ne fenë islame konsiderohen si qenie parazitare? Si një virus shkatërrues prej të cilit femra duhet të mbrohet?

Një krahasim i tillë nuk është aspak i llogjikshëm, dhe në këtë rast madje as “ i shëndëtshëm”. Andaj tërhiquni nga kjo lloj retorike e dëmshme mbi të gjitha për shëndetin tonë mendor, për mesazhe subliminale që po u përcjellim brezave të rinj. Le ta ndryshojmë narrativën nga një qasje negative që çon në vetëviktimizim dhe në akuza dhe përçmim për gjinin tjetër në një qasje pozitive se islami nuk është fe e qortimit.

Dramat e kota nuk i shërbejnë askujt, përkundrazi vetëm dëm na shkaktojnë. 

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.