Nga Afrodita Musliu

 

Me përhapjen e koronavirusit dhe shtimin e numrit të të infektuarve, filloi të rritet ideologjia e urrejtjes etnike dhe fetare. E gjitha filloi me një lajm skandaloz që pretendonte se 64% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të cilëve u lejohet të marrin vauçer qeveritar janë shqiptarë etnik kurse vetëm 16% janë maqedonas. Edhe pse ky ishte një lajm i rremë dhe u shpërnda nga disa media në vend, gjuha e urrejtjes tek njerëzit u shpreh në mënyrë drastike dhe pretendimet u përhapën në të gjitha rrjetet sociale se Qeveria dhe partia udhëheqëse kanë prirje ndaj komuniteteve tjera fetare dhe etnike.

Për shkak të mosrespektimit masiv të masave dhe pabarazive etnike dhe fetare në Maqedoninë e Veriut, ajo nuk arriti të paraqitet në listën e medias me famë botërore “Forbs” si vend i sigurt për sa i përket përhapjes së KOVID-19. Udhëheqësi i partisë opozitare VMRO, Hristijan Mickoski, ishte i detyruar t’u shpjegojë qytetarëve se hulumtimi nuk është bërë nga vetë “Forbs”, por nga Deep Knowledge Group. Një nga investitorët dhe porositësit e artikullit të “Forbs”, oligarku rus Dmitri Kaminski, pranoi se hulumtimi nuk ishte ideal dhe se s’mundet për të gjitha vendet në botë të bëhet hulumtim i saktë. Por, ai gjithashtu shtoi se paragjykimi dhe racizmi mund të ndikojnë në renditjen e një vendi në këtë listë.

Përhapja e gjuhës së urrejtjes dhe negativitetit ndaj bashkësive etnike dhe fetare është akoma në rritje, dhe një rast i fundit në këtë drejtim vjen në formën e një “cicërime” (Tweet) të shkruar nga akademikja Katica Qulavkova. Më 6 qershor 2020, ajo shkroi në profilin e saj se “Ne e paguajmë me jetën tonë bashkëjetesën tonë”. Kuptimi indirekt i kësaj është se numri i lartë i të prekurve nga virusi është faj i drejtpërdrejtë i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nga grupi tjetër etnik apo fetar. Kjo “cicërimë” u kritikua gjerësisht dhe njerëzit nuk e fshehën pakënaqësinë e tyre për këtë mendim.

Në një kohë kur e gjithë bota po lufton me pandeminë, dhe kur barazia kombëtare dhe refuzimi i të gjitha animoziteteve, si dhe bashkëjetesa janë më të rëndësishmet për të trajtuar virusin në mënyrën më efektive, me deklaratat e saj akademikja Qulavkova arriti të gjente hapësirë për të justifikuar gjuhën e saj të urrejtjes ndaj bashkësive etnike dhe fetare. Për ta shuar zjarrin e komenteve negative Qulavkova, anëtare e ASHAM, institucion që lufton që shteti të bëhet një shoqëri e përparuar, veçanërisht në arsim, bazuar në shkencë dhe njohuri, pastaj shtoi se “tweet-i” i saj ka qenë personal dhe nuk kishte lidhje me situatën etnike në Maqedoninë e Veriut. Fatkeqësisht, nuk arriti t’i qetësojë komentet negative të njerëzve dhe u detyrua ta fshijë profilin e saj në Twitter.

Një shembull edhe më i ri i negativitetit ndaj besimit islam përkon me zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, pra komentet e kandidatit për deputet të partisë së majtë “LEVICA” prof. dr Dimitar Apasiev. Ai pretendon se Maqedonia e Veriut është plotësisht e “islamizuar”, deri në atë masë saqë pretendon se studentët në vendet arabe studiojnë të ashtuquajturin “islam radikal”.

Një numër i madh i qytetarëve kritikuan Apasievin për deklaratat e tij ekstremiste. Një komentues tha: “Për një deklaratë të tillë, kjo në një gjendje normale duhet të ketë përgjegjësi penale”.

Përveç “skandalit” me vauçerët, shumë nga këto fjalime filluan pas shfuqizimit të shumë masave për të parandaluar përhapjen e virusit, se shumica e rasteve të reja në Maqedoninë e Veriut vinin nga ato pjesë të vendit ku popullata kryesisht i takon besimit islam.

Asnjëherë, në asnjë rast, nuk duhet të ketë justifikim për negativitet, animozitet dhe urrejtje ndaj bashkësive etnike dhe fetare, por me përhapjen e KOVID-19, kjo është pikërisht ajo që po përhapet në mesin e qytetarëve. Me përhapjen e islamofobisë në vend, urrejtja ndaj anëtarëve të të njëjtës bashkësi fetare po rritet, dhe në planin afatgjatë kjo mund të çojë në radikalizim dhe sjellje të dhunshme, ekstreme dhe si pasojë të ketë shkelje serioze të sigurisë kombëtare.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.