Ka nisur gjykimi në lidhje me rastin e Indira Mujaj që po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyes Civil të Kosovës (KPMSHCK) dhe kthimin në vendin e saj të punës, pas largimit në mënyrë të kundërligjshme. Mujajt i ishte shqiptuar masë disiplinore, ndërprerja e marrëdhënies së punës, pasi që kjo e fundit ishte paraqitur në vendin e saj të punës me shami në kokë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi i paditëses, avokati Muhamet Mujaj deklaroi se paditësja kishte njoftuar zingjirin e saj komandues së do të vendosë mbulesën dhe nuk ka parë ndonjë pengesë pas shumë konsultave me legjislacionin.

Sipas tij, këto akte administrative janë në kundërshtim me një mori ligjesh, duke filluar nga Ligji për mos diskriminim, ligji për liritë fetare, rregulloren e Qeverisë, e më pas edhe vet Kushtetutën e cila garanton liritë dhe të drejtat e  njeriut, e sidomos liritë e besimit dhe të gjitha konventat ndërkombëtare të cilat kanë të bëjnë me lirinë e besimit e që në legjislacionin tonë janë drejtpërdrejtë të implementuara kanë përparësi.

“Kërkojmë nga kjo gjykatë të zbatoj parimin e ligjshmërisë dhe të vendos në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet që garantojnë liritë dhe të drejtat e njeriut”, tha avokati.

Sipas avokates Nora Huseinovic Veliu shteti nuk guxon t’ia kufizojë asnjë qytetareje Lirinë për Manifestimin e Fesë, kur një kufizim i tillë nuk është i parashikuar me ligj, kjo sipas Kushtetutës përkatësisht Nenin 38.4.

“Rikujtojmë se Ligji 03/L-149 për Shërbimin Civil nuk e përmban asnjë dispozitë të vetme për ndalimin e mbulesës (shamisë së kokës), si formë të veshjes të shërbyesve civil. Rregullorja është akt nënligjorë! Rregullorja nuk është LIGJ!

Prandaj, çështja “Indira k. KPMShCK” shpërfaq arbitraritetin e ekzekutivit në ushtrimin e pushtetit shtetëror. Pushteti ekzekutiv në këtë çeshtje, ka arritur të kufizojë Lirinë e Indirës për manifestimin e fesë, ekskluzivisht duke u bazuar në dispozitën e një akti nënligjor dhe jo në LIGJ.”

“Presim që Gjykata Themelore në Prishtinë, tani kur për herë të dytë po e trajton rastin e njejtë, të marrë vendim MERITOR lidhur me kërkesën e Indirës. Kthimi i sërishëm i lëndës së Indirës në rivendosje tek organi administrativ, do të ishte i padrejtë dhe i papranueshëm. Vendimet jomeritore të gjykatave me të cilat ato e kthejnë në rivendosje çeshtjen tek organi administrativ, e kanë shëndërruar procedurën e konfliktit administrativ në një mjet joefektiv juridik, në aspektin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive kushtetuese.

Pluralizmi dhe diversiteti fetar, etnik, kulturor dhe gjuhësor nuk janë kërcenim por burim pasurimi dhe vlera të shoqërisë demokratike. “ shprehet avokatia për rastin në fjalë.

Edhe më herët, në shkurt të vitit 2019 Kosovare Ramadani, 24 vjeçarja nga Shtimja, aplikoi për t’u bërë pjesë e FSK-së dhe pasi ajo kaloi testin fizik dhe të inteligjencës, në intervistën para panelit u vendos moslejimi për shkak të mbulesës.

Atë kohë, Ibrahim Shala nga Ministria e Mbrojtjes thotë që FSK-ja është ushtri profesionale dhe vullnetare dhe në asnjë rrethanë ajo nuk ia përshtatë individit uniformën, por duhet individi t’i përshtatet rregullave dhe kodit të ushtrisë.

Përsëri, gjatë këtij rasti avokatia Nora Huseinovic Veliu, qe shoprehur se shumë gra me shami qoftë sikur rasti i Ramadanit dorëzohen nga betejat ligjore – për shkak të vështirësive financare dhe kohëzgjatjes deri dhjetë vjet për një vendim. 

“Ky proces, përveç që është i mundimshëm për viktimën e diskriminimit nga aspekti psiko-social, është edhe jashtëzakonisht i kushtueshëm, ngase duhet angazhuar avokat, shërbimet e të cilit duhet paguar – jo aq lirë për standardin jetësor në Kosovë” qe shprehur atë kohë Veliu.

Mund t’ju interesoje edhe artikulli

"Edhe pse i kaloi testimet me sukses, nuk u pranua në FSK për shkak të shamisë"

https://muslimania.al/edhe-pse-kaloi-testimet-sukses-nuk-u-pranua-ne-fsk-per-shkak-te-shamise/

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.