Nga Irena Myzeqari Hoxhaj

Përsiatje mbi feminizmin në ShqipëriNë Shqipëri gjen feministë me lopatë. Burra, gra, aktivistë, në shoqëri civile, në media, politikë, kudo. Vetëm se mjafton t’i gërvishtësh pak dhe kupton se është një maskë që mbulon me forcë fytyrën e një sistemi patriarkal më të egër se kurrë. Tranzicioni i tejzgjatur, ose ndryshe justifikimi për të qetësuar ndërgjegjet popullore, ka pjellë forma identitare anakronike, duke bërë të flenë në një trup social prapambetja dhe traumat e një regjimi diktatorial me modernen dhe botën hiperteknologjike. Thënë kjo, këtu është vështirë të lindësh, të bëhesh dhe të jetosh si grua. Fajtorë për këtë ka plot, një listë e gjatë armiqsh, që fillojnë me nënën si figurë qendrore e kulturës sonë, për të vazhduar me median e për ta mbyllur me mungesën e një debati konstruktiv, nga ku të merrte jetë një lëvizje e mirë organizuar feministe. Ky shkrim është një përpjekje për të kuptuar se si kultura tradicionale dhe media e kanë pamundësuar lëvizjen feministe në Shqipëri, duke e pikturuar feminizmin si një padobishmëri sociale në mendjen dhe vetëdijen publike.Me lind vajzë, nga familjaGjinia është manipulim social. E keqja është se vetëdijësohemi për këtë fakt, atëherë kur ne na vjen rradha për të rritur e edukuar gratë dhe burrat e së nesermës. E paditur se si të përballesh me detyrën/ rolin e ri social, kërkon në retrospektivë, grimcat e domethënies gjinore që do të duhet të përçosh tek individi i ri para teje. Nëse mendoni se do kërkojmë përgjigje tek ajo ç’ka na sugjeron arsyeja, gaboheni, sepse ndërgjegja jonë, vetëdija sociale brenda nesh, do kërkojë atë më primitiven, më të sigurtën, atë që është testuar nën lëkurën tonë, kulturën.Si e bën grua vajzën që lind në Shqipëri? Duke e nënshtruar. Të emancipuarit do nxitojnë të më hedhin gurë, duke ngritur zërin se sot gjërat kanë ndryshuar. Për të mbetur njëlloj! Unë nuk mohoj evoluimin e kohës, ama në Shqipërinë ku jetoj, gjej përditë mbetjet kanunore, nënën që rrit vajzën për t’i shërbyer figurës së burrit në jetën e saj, qoftë babë, bir, vëlla a burrë ai; i thotë të arsimohet, po jo shumë se nuk i takon asaj të mbajë shtëpinë. Vajza që lind në Shqipëri, dëgjon nga gjyshja se “Flokët e gjata, i kanë mend e shkurtra”, se “Burri është shtylla e shtëpisë, gruaja fundi i tepsisë”, për t’u bindur se ajo ka lindur vetëm për të qenë e bukur dhe e padobishme. Ajo shikon nënën dhe gratë përreth të harrojnë veten, për të kuptuar se kalimi nga vajza te gruaja, nga gruaja te nëna, është një udhëtim i dhimbshëm i të harruarit të vetës dhe përmbushjes së pritshmërive sociale që kultura ka vënë mbi të.Vajza rebelohet, urren nënën për nënshtrimin dhe betohet se ajo kurrë nuk do të jetë si ajo. Vajza bëhet grua, e bindur se transformimi i saj është i pakthyeshëm, ajo e “vrau” patriarkatin, ngadhënjeu mbi veten dhe kulturën, e lirë të jetojë identitetin e saj. Ajo kërkon të ngjashmet e veta, “të shpëtuarat” e tjera, por shumë shpejt kupton se jo çdokush e ka gjetur rrugën për t’u liruar nga kthetrat e kulturës.Sepse në Shqipërinë e saj, ndërthuren kohërat; disa jetojnë shekuj para e ca të tjerë shekuj pas. Nuk është fatalizëm, por e vërteta e shumë vajzave të cilat seksualitetin, gjininë, veten e tyre e shohin në funksion dhe të lidhur pashmangshmërisht me figurën e burrit. Dhe kjo falë kulturës ku rriten, brumosen e zhvillohen.Kundër argumenti më i madh që mund të ngrihet këtu është shoqëria e informacionit. Ithtarët e revolucioneve komunikative do mbronin idenë se njeriu i sotshëm, në morinë e informacioneve që merr, mund të gjejë shtegun e shprehjes së identitetit për ta performuar atë si të dojë. Ata argumentojnë se nëse modeli për një grua të emancipuar mungon në shtëpi, mund të gjendet lehtazi në hapësirën publike. Por, nëse familja nuk rriti dot një feministe, a mund ta bëjë televizioni, Face Book-u dhe Instagram-i?Me u bë grua, nga mediaDuket sikur bota është tjetër kur ndez televizorin. Femëroren e gjen në reklama, studio televizive, debate publike, parlament etj., ç’ka të bën të mendosh se barazia gjinore është një realitet i provuar dhe nevojë e superuar. Ky post feminizëm, produkt i demokracisë neoliberale, e cila proklamon idenë se edukimi dhe punësimi zgjidh gjithçka, po ushqen mendjet e publikut me një ide false të barazisë midis sekseve, duke neutralizuar lajmet e renda që vijnë nga familja, vendi i punës, shkolla apo edhe nga rruga; gra që vriten prej burrave në shtëpi, vajza që masakrohen prej baballarëve, viktima të dhunës apo ngacmimeve dhe abuzimeve seksuale. Situata e krijuar i ngjan absurdit, ku gruaja e arrirë, asgjeson realitetin e gruas së vrarë, duke e parë këtë të fundit si përjashtim nga rregulli dhe të parën si realitetin mbizotërues. Siç thotë edhe Gill (2007: 269) “media është post feministe, jo anti-feministe, sepse ushqen audiencën me imazhin e një subjekti neoliberal të realizuar dhe në të njejtën kohë, feministet dhe feminizmin e pasqyron si të egër, ndëshkues, jo origjinal”.Ky pohim teorik vlen shumë për rastin shqiptar. Mediat tradicionale dhe ato sociale, na bombardojnë përditë me një paradë të gjatë grash të emancipuara. Të parat vijnë politikanet, plotësueset e kuotova ose ndryshe gardianet e status kuo-së së pushtetit të burrave. Në kaq vite që luftohet për përfaqësi, arritja më e madhe është sasia, duke bjerrë dita- ditës cilësinë e debatit të gruas dhe për gruan. Ligjerimi publik lë pak vend për zëra femërorë, të cilat sjellin në tryezën e publikes çështje që shqetësojnë gruan shqiptare; edhe ato pak zëra prezentë, në të shumtën e rasteve mjaftohen të jenë dekori apo përsëritja e fjalëve të burrave. Gratë politikane i shohim në ekran për dy arsye; ose për të legjitimuar liderin dhe propagandën partiake ose kthehen në objekte dukjeje, ku shtypi gjen terrenin për të folur për trendet e fundit të modës. Gruaja e parlamentit nuk është nënë, sepse nuk flet për të, ajo nuk “pjell”as ide, as njerëz; ajo është dukje, formë pa përmbajtësi.Zhveshja është clirim dhe përparim. Estetika, si pjesë e pandarë e performancës identitare, sot përkthehet në vulg. Studio televizive, reklama, instagram etj,. po i kushtojnë përherë e më shumë rëndësi pamjes, duke promovuar dhe imponuar standarte të rrepta të bukurisë fizike; rinia e përjetshme, armiqësia me plakjen, trende botërore këto, të cilat në Shqipëri tingëllojnë qesharake, pa marrë farë në konsideratë shumësinë e publikëve gra që jetojnë jashtë dritave të televizioneve apo kufinjve të zonave urbane.Në Shqipëri mungon debati për përmbajtjen, vlerat, edukimin e shijes, duke lënë jashtë ekranit gra dhe vajza që veten e gjejnë në lemenj të tjerë të jetës. Parada e të emancipuarave imponojnë axhendën liberale, ku liria është kryefjala, ndërkohë harrojnë apo kujtojnë se ato vetë kanë më shumë liri se të tjerat. Shtëpiakja, e divorcuara, gratë rome, gratë me shami, të gjitha konsiderohen si grupe të skajuara, pa pasur të drejtë të kenë një identitet më shumë se ajo që i përcakton feja, klasa shoqërore apo statusi që i përkasin.

Të emancipuarat kanë vendosur një regjim supremacie dhe një formulë për feminizmin në Shqipëri, të cilin vajza që “vrau” patriarkatin e shtëpisë, duhet ta përqafojë si të vetmen zgjidhje për t’ia dalë.Në rrugën për t’u bërë grua, vajza përballet me tiraninë e subjektit neoliberal, i cili mbështet konsumerizmin mediatik për të ndërtuar një formë të idealizuar të femërores – revistat e modës, fashion, ndërhyrjet kirurgjikale, produktet e dobësimit etj,. Në këtë kontekst, vajza merr përgjegjësi për veprimet e veta, është e vetmjaftueshme, është individ, ndaj feminizmi kolektiv nuk i bën punë. Ajo është ideale, por paditur bie në kurthin që të jep liria; e bindur se zotëron veten, shpejt kupton se ajo ka riprodhuar sistemin, se nuk gjeti alternative tjetër, veçse të luante rolin. Komedia duhet të vazhdojë, ajo u bë grua, ngjizur prej kulturës që i ikte e medias që e gjeti.Me jetu si grua, nga burriBurri është trofe, prandaj sistemi patriarkal nuk ka vdekur. Gruaja neoliberale, megjithë vargun e arritjeve, nuk do të quhet e plotë nëse nuk do të lindë, gjejë dhe mbajë një burrë. Diktati social, maskuar si diktat biologjik, i cingëron gruas një orë, ora që duhet kapur, në të kundërtën ke humbur garën me kohën. Martesa është siguria e gruas, vetaktualizimi në piramidën e Maslow-it, pa të cilën gjithë shkallët e tjera thërrmohen sikur të mos kishin egzistuar kurrë.Nëse në botë është kapërcyer debati mbi dasinë publike- private, në Shqipëri, këto dy sfera shihen akoma si dy botë aristoteliane, të cilat kërkojnë gruan të ndarë më dysh; në një botë ajo është nënë e fëmijëve, zonja e shtëpisë, kucka e burrit dhe profesionistja, autoritarja, karrieristja, në tjetrën. Shoqëria ose më saktë burri, ulur në stol, pret me kërshëri plotësimin me përpikmëri të kërkesave mbi subjektin grua, vetmbushur nga ideja se nuk ka formë alternative identitare, përveç asaj të përcaktuar e zgjedhur për të. Burri është sistemi ekonomik që e bën të pathyeshëm tavanin e qelqtë, është mungesa e shumë të të drejtave ligjore, paga më e ulët për punën e barabartë, burri është pamundësia për pozicione drejtuesë, burri është ajsbergu që fshihet pas “luftës” midis grave. E shpikur si realitet ligjerimor ndër burra dhe e ushqyer nga gratë vetë, si riprodhuese të uterancave maskiliste, kjo luftë i ka dhënë jetë stigmave si gratë urrejnë njëra tjetrën, gratë në pushtet zvetnohen, të shkelin me këmbë se janë shtriga, e klishe të tjera të panumërta, të cilat nuk janë tjetër veçse “mankthe ligjërimore” që këpusin në mes endrrat të shumë grave për dije, shkollim, zotërim të plotë të vetes.Ndër shekuj njerëzimi ka mëkuar te çdo individ dëshirën për vetautonomi nga opinioni dhe presioni social, si një formë clirimi nga paragjykimet dhe stereotipet. Ama e vërteta është se sa më shumë individi tenton t’i ikë sociales, personae brenda nesh kërkon aprovim si formë përkatësie. Ndaj edhe gratë, për t’i shpëtuar asgjesimit social, përqafojnë e performojnë stigmat si kushtin e vetëm të kontratës me publikes patriarkale, duke humbur identitetin në një cikël të mbyllyr, kufinjtë e të cilit i përcakton syri objektiv apollonian, burri.Ai e quan këtë rend natyror, se gjërat janë siç duhet të ishin.

Troç, ai merr më të mirën e dy botëve të gruas, pa cënuar aspak themelet e sistemit që e mban në këmbë. Ai legjitimon udhëtimin e femërores drejt vajzës dhe gruas, i bindur se ai është arsyeja dhe logjika që qendron pas këtij procesi; ai duhet vetëm ta mirëmbajë që të shijojë përfitimet e tij, si babë, burrë, e bir..Në vend të fundit…Në Shqipëri ka feministë plot, por pak feminizëm. Ndërkohë që bota gëlon nga debatet, fushatat e lëvizjet në mbrojtje të gruas, përpjekjeve ligjore për pagë të barabartë e më shumë të drejta, në vendin tonë, i gëzohemi protestave sporadike, aty – këtu, kur një grua vdes apo një e mitur përdhunohet. I gëzohemi sasisë dhe dukjes pa përmbajtje si formë kryesore i të të jetuarit. I gëzohemi fitimit të betejave të vogla, të bindur se lufta është humbur që kur lindëm gra e jo burra. Në vende si i joni, agjenda liberale nuk mjafton për të shëruar plagët e thella sociale; edukimi dhe punësimi janë vetëm dy shkallët e para të një pallati, themelet e të cilit, në mos për shkatërrim, kanë nevojë të forcohen me individë mendje hapur, të rritur në familje ku fëmijët dhe trajtimi i tyre nuk përcaktohet nga organi që patën fatin të lindin.

Kjo shoqëri ka nevojë për zëra përfaqësues, të cilët kanë kaluar nga rruga e thepisur dhe e vështirë e njohjes, pranimit dhe zotërimit të vetes, si arma më e mirë për t’i bërë ballë modeleve që na ofron kultura pop. Kur të ndodhë kjo ndoshta larva do bëhet flutur, do hapë flatrat, e ngjyrat e saj do të tregojnë historinë e një transformimi të dhimbshëm por kaq përmbushës për të, e ata që do kenë fatin të fluturojnë me atë.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.