Prej kohësh më ndodh të përjetoj déjà vu duke lundruar në rrjete sociale apo duke “shfletuar” portalet. Kam filluar ta pyes shpesh veten:  “Këtë foto ku e kam parë?!” “Këtë ide ku e kam dëgjuar, po këto fjalë ku i kam hasur?”

Kemi një zakon të keq ne për t’i rënë gjërave shkurt dhe për të zgjedhur rrugën më të lehtë: atë të imitimit dhe kopjimit. Kopjimi ndodh një herë si pa e kuptuar, si pa dashje, e pastaj kthehet në diçka normale. Ndodh për vogëlsira dhe pastaj për gjëra të mëdha. Ndodh me naivitet, por nganjëherë edhe me “shejtanllëk”. Por kemi dhe një zakon tjetër të keq: të heshtim për të kërkuar të drejtën e autorësisë apo citimit. Dikush më shumë për mos të thyer zemra e dikush tjetër për mos të prishur qejfe. E kështu për inerci bëhemi bashkëpunëtorë në këtë “plagjiaturë”. E quaj kështu, pasi çdo marrje e pa cituar është vjedhje e pronësisë intelektuale të tjetrit.

Më përpara mendoja se një mani e tillë ishte si pasojë e mungesës së mundësive, qasjeve të cekëta si dhe varfërisë. Mirëpo, kur vështron përreth kupton se shembuj krijimtarije dhe origjinaliteti vijnë pikërisht nga ato shoqëri të shtypura dhe me mungesë aksesi ndaj mundësive apo nga individë me më pak shanse në jetë. Pasi përfundova një stazh pune në një agjenci mjaft të rëndësishme  të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, vura re që një veprim i tillë ishte kthyer në një fenomen madje pjesë e politikave të tyre të brendshme. Puna e tyre konsistonte pikërisht në përpilime raportesh, publikime buletinësh dhe librash ku në bazë kishin formulën copy-paste duke huazuar nga agjencitë europiane. Shumë pak statistika, kërkime, dhe sondazhe nxirrnin nga vetë agjencitë e tyre por i bienin shkurt duke huazuar nga të tjerët.

Mendoj se përveç përçarjes dhe mungesës së bashkëpunimit, një nga arsyet e gjendjes aktuale ekonomike dhe politike të botës islame dhe të umetit tonë në përgjithësi është dhe dembelizmi apo aktivizmi pasiv në fushën e krijimtarisë në nivel komuniteti (sepse në nivel individual ka plot përjashtime). Kjo për arsye se presim nga të tjerët, marrim nga të tjerët dhe dëgjojmë të tjerët në vend që të punojmë vetë.

Me rritjen e përdorimit të mediave socale dhe angazhimin tonë ditor është përforcuar akoma më shumë kjo frymë kolektive e imitimit që tregon për një mendjengushtësi dhe dembelizëm për të sjellë diçka të re, origjinale dhe tërheqëse. Bashkëpunimi duhet të mbizotërojë mbi të gjitha, se fundja kjo është krijimtarija: të gjesh një zgjidhje së bashku. Origjinaliteti është tregues i zhvillimit dhe ecjes përpara por nëse ne marrim ide këtu, kopjojmë ide atje dhe më pas i sjellim si produkt i punës tonë kjo nuk bën gjë tjetër vetëm se e kultivon këtë mani, derisa kthehet në diçka normale. Kështu, edhe brezat e rinj rriten me këtë frymë dhe ne si gjithmonë mbetemi “në vend numëro”.

Duhet që vetë ne të largohemi nga ky fenomen por dhe të mos heshtim nëse ndodh përreth nesh. Ndodh në nivel rrjetesh sociale, ndodh dhe në nivel portalesh, derisa pastaj kthehen në projekte dhe luftë meritash dhe autorsishë.Dembelizmi apo mungesa e kohës nuk janë justifikim.

©Muslimania.al

Nada Dosti

Autorja është themeluesja e Muslimania.al
Nada Dosti

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.