Nga Mersiha Smajlivic

Lufta e vërtetë kundër dhunës ndaj grave duhet të fillojë nga mendësia shoqërore gjegjësisht nga mënyra se si e mendojmë dhe perceptojmë këtë dukuri. Që nga janari deri në shtator të këtij viti, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë raportuar 678 gra, viktima të dhunës. Gjatë 16 ditëve të aktivizmit në luftën kundër dhunës ndaj grave, iniciativa dhe organizata joqeveritare të shumta theks të veçantë vendosën në gjendjen shqetësuese për pasqyrën reale të viktimave e jo në numra, besimin në institucione dhe ndryshimet e menjëhershme ligjore.

Në këtë drejtim ne zhvilluam bisedë me aktivisten e të drejtave të njeriut, Mersiha Smailoviç e cila thotë se në rrethin ku jetojmë ka nevojë të punohet shumë në vetëdijesimin e grave për identifikimin e dhunës dhe të inkurajohen ato ta paraqesin dhunën pasi që numrat nuk e pasqyrojnë gjendjen reale.

“Në shoqërinë tonë të vogël, çdo numër paraqet dhimbje. Çdo viktimë e cila përjeton dhunë gjinore nga bashkëshorti i saj, partneri apo prindi ka po të njëjtën vlerë dhe secila prej tyre duhet të mbrohet nga dhuna. Gjithsesi që numri nuk është real. Gratë rreth nesh nuk inkurajohen që të raportojnë se janë viktima. Kjo zakonisht ndodh për shkak të  turpit nga mjedisi, por shpesh ndikon edhe frika se sistemi nuk do ta mbrojë atë nga dhunuesi. Është shumë e rëndësishme të punohet në fushata me të cilat gratë do të kuptojnë se ka më shumë lloje të dhunës dhe se nuk duhet ta tolerojnë atë. Ato kanë dinjitet, dinjitet njerëzor i cili duhet respektuar. Askush nuk meriton të jetojë në një  mjedis të dhunshëm, gruaja duhet inkurajuar të dallojë dhunën dhe ta raportojë atë.” thotë Smailoviç për portalin AJO.

Arsye shtesë për mos paraqitjen e dhunës mbetet edhe mentaliteti dhe stereotipat shoqërore që dhunën e trajtojnë si turp dhe në këtë mënyrë viktimës i shumëfishohet dhuna nga rrethi, shoqëria dhe familja. Këtu shtojmë edhe mungesën e besimit në institucionet kompetente si dhe bashkëpunimin mes tyre për trajtimin dhe përkujdesjen e viktimave të dhunës.

“Në shoqërinë tonë, dhuna familjare konsiderohet si turp. Për të nuk flitet publikisht. Konsiderohet turp! Gratë janë të edukuara në atë mënyrë që tu duket normale ajo se gruaja duhet ta durojë dhunën, se ajo është pjesë e martesës dhe e përditshmërisë. Nëse ajo guxon të raportojë  dhunë dhe lëshojë mjedisin e dhunshëm atëherë, ajo do të dënohet prej njerëzve përreth saj, e respektivisht nga gratë të cilat nuk janë po aq guximshme që të veprojnë ashtu siç ka vepruar ajo. Pengesë serioze për raportimin e dhunës është mungesa e besimit në sistem. Për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit në sistem gratë kanë frikë se dhunuesi nga i cili varet ekonomikisht do ta pengojë sistemin që ta mbrojë atë. Të nxitura nga kjo frikë  ato vendosin të qëndrojnë në mjedisin e dhunshëm ose thjesht të largohen pa raportuar se janë viktimë e dhunës me bazë gjinore.” shton më tej Smailoviç.

Nuk mjaftojnë 16 ditë për të folur dhe punuar në parandalimin e dhunës në familje. Kjo temë duhet të flitet haptas çdo ditë. Vetëdijesimi duhet të fillojë nga sistemi shtetëror, institucionet vendore Komunitetet fetare, institucionet arsimore, sektori joqeveritar dhe mediat të cilat duhet të kyçen së bashku në këtë drejtim, nënvizon Mersiha Smailoviç.

“Për këtë temë duhet folur hapur në shoqëri, respektivisht në mjediset tona. Viktima nuk ka faj për gjendjen e saj. Dhuna nuk arsyetohet! Nuk duhet ta normalizojmë apo justifikojmë atë. Është shumë e rëndësishme të vazhdojmë të flasim për këtë temë, jo vetëm gjatë këtyre 16 ditëve aktivizëm  kundër dhunës me bazë  gjinore. Duhet ti inkurajojmë gratë të raportojnë dhe ti edukojnë djemtë dhe burrat se nuk duhet të ushtrojnë dhunë ndaj askujt, e posaçërisht ndaj grave  dhe vajzave në mjedisin dhe familjet e tyre. E gjithë shoqëria duhet kyçur me një përkushtim të qartë, i cili është zero tolerancë ndaj dhunës gjinore. Komunitetet fetare, institucionet arsimore, sektori joqeveritar, mediat dhe me sigurisht sistemi shtetëror duhet kyçur gjithashtu.” M.S.

Në pyetjen se a mendon që ekzistojnë kushte të mjaftueshme për ta ndihmuar dhe mbrojtur një grua, viktimë të dhunës në vend dhe sa është funksional bashkëpunimi në mes të institucioneve kompetente, Smailoviç për portalin “AJO” tha se ndryshimet në Kodin Penal sipas Konventës së Stambollit do të ndikojnë në ndryshimin e gjendjes. Shton se duhet theksuar që viteve të fundit janë bërë përpjekje serioze ndaj eliminimit të dhunës në bazë gjinore.

Me ratifikimin e Konventës së Stambollit, që paraqet një nga mekanizmat më të mira juridike, u vendos një bazë serioze  që vendi ynë të punojë në mënyrë të detajuar dhe gjithëpërfshirëse lidhur me këtë çështje. Qasja ndaj viktimës përfshin mbrojtje të plotë. Në vendin tonë ekzistojnë mekanizma për mbrojtje, por fatkeqësisht mungon vullneti nga  ana e institucioneve kompetente për implementimin e tyre. Shpesh, vendi  i parë i denoncimit janë stacionet policore, ku duhet të  pranohesh dhe të japësh deklaratë te  një police femër, por sipas deklaratave të viktimave kjo rrallë ndodh. Më pas barra më e madhe bie mbi shërbimet sociale të cilat janë të trajnuara  të punojnë me viktima, por në teren jemi ballafaquar me probleme serioze kur është nevojitur që shërbimet të nxjerrin gruan nga shtëpia dhe të largojnë atë nga dhunuesi. Megjithatë, vitet e fundit janë bërë përpjekje serioze ndaj eliminimit të dhunës gjinore dhe kjo me të vërtetë  duhet mbështetur.” M.S.

Ajo shton se legjislacioni ynë është i obliguar të ndryshojë Kodin Penal në përputhje me Konventën e Stambollit. Është e nevojshme që të zgjerohet përkufizimi i krimeve që bien nën dhunën me bazë gjinore, siç është përndjekja dhe të tjera.  Futja e tyre në Kodin penal rezulton me detyrimin e shtetit për mbrojtje. Ndryshimet e ligjit synojnë përmirësimin e mbështetjes institucionale dhe gjithëpërfshirëse të viktimave nga  Ministria e Punëve të Brendshme, deri te shërbimet sociale dhe Prokuroria Publike.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.