Nga Alketa Gjoni

Njeriu! Mashkulli! Femra! Njohja! Kontributi! Edhe pse deri tani prej askujt dhe askund nuk gjendet një përkufizim mbi konceptin njeri, përsëri çdo veprimtari vërtitet rreth kuptimit të zbulimit dhe përcaktimit të qëllimit final të kësaj qenieje. Zoti duke ditur dobësinë e krijesës së tij më të dashur, njeriut, ia ka treguar atij qëllimin e ardhjes në këtë botë, i cili është njohja dhe adhurimi i Tij. Kur themi qëllimi i njeriut, fjala është për mashkullin dhe femrën bashkë. Duke mos dashur të kapërdijmë kafshatën e hidhur mbi historikun dyshues të zhvillimit femëror, vënë në pikëpyetje prej shumë kulturash e popujsh të ndryshëm, qëllimi i parashtrimit tonë është hulumtimi i faktorëve të cilët pengojnë zhvillimin dhe emancipimin e gruas, brenda shoqërisë islame (dhe pse jo në tërësi). Misioni i femrës myslimane nuk ndalet vetëm në adhurimin e Zotit duke kryer vetëm ritet fetare, por ky qëllim shtrihet më gjerë, në dëshirën fisnike të saj për të dhënë kontributin, përkatësisht në shoqërinë ku bën pjesë. Bota dhe veçanërisht ajo Islame, ka nevojë për shërbimin dhe kontributin e gruas myslimane si në aspektin intelektual, shpirtëror por edhe material gjithashtu.

Nëse nga njëra anë një kontribut i tillë është shumë i nevojshëm për këtë shoqëri, natyrshëm lind pyetja; përse femrën e gjejmë më pak të arsimuar, më pak të integruar dhe më pak të angazhuar në shërbim të kësaj shoqërie? Nga ana tjetër nëse kjo shoqëri nuk ka nevojë për kontributin e femrave vallë a nuk e kupton që vetë femra ka nevojë ta përdor këtë mjet në mënyrë që të ndjehet më e realizuar drejt rrugës së saj kah Zoti?! Por, duke qenë se shoqëria është plotësisht e vetëdijshme mbi vlefshmërinë e plotësimit të saj prej parimeve islame atëherë, kush e ka faijn?

Për të kuptuar më drejtë pozitën shoqërore që fitoi gruaja me ardhjen e Islamit por edhe humbjen e kësaj pozite më vonë e shohim të arsyeshme të cekim periudhat më kyçe të cilat sollën ndryshime qoftë pozitive apo negative në integrimin e femrës në shoqëri. Le të shkojmë fillimisht në periudhën para islame, kur praktikohej zakoni i mbytjes së foshnjeve femra. Në këtë periudhë femra trajtohej si prona-bijë e babait të saj, prona-mbesë e xhaxhait të saj, prona-grua e burrit të saj, prona-nënë e djemve të saj. E ndodhur në këto pozita është e kuptueshme se nuk mund të flitej për një integritet të saj në shoqëri, periudhë në të cilën asaj i mohohej edhe e drejta për të jetuar, dhe në rastin më të mirë kur jetonte, rrugën ia tregonin meshkujt duke e konsideruar atë si të paaftë për t’u vetëdrejtuar e sistemuar jetën e vet.

Ardhja e Islamit, i dha një goditje të fortë mënyrës së të jetuarit të fiseve arabe, me lindjen e parimeve kuranore e mendimeve të reja socio-kulturore në lidhje me përfshirjen e grave në jetën sociale. Në gjirin e grave lindën poete, shkrimtare dhe udhëheqëse në fusha të ndryshme. Vetë Aishja (r.a) bashkëshortja e profetit (a.s) ishte dijetare, gjykatëse, ajo ishte pjesë aktive në luftë dhe shëronte të plagosurit… Khalifi Umer (r.a.) postin e “Ministrit të Financave” ia ngarkoi një gruaje e cila dallohej për korrektësinë dhe autoritetin e saj në zbatimin e detyrës. Sukajaneh (e cila vdiq në 755 p.e.s.) ishte drejtuese e botës së modës, bukurisë dhe letërsisë, sallonet dhe mbrëmjet argëtuese të së cilës ishin të njohura në tërë botën myslimane të asaj kohe[2]. Dëshira për dije dhe kontribut shoqëror sigurisht që buronte nga ajetet kuranore dhe hadithet profetike të cilat shpërblenin njëlloj si mashkullin edhe femrën për punët e mira që ata kryenin. “Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, qoftë mashkull apo femër…” ( 3:195). “ Kush bën ndonjë nga punët e mira, qoftë mashkull ose femër, duke qenë besimtar, të tillët hyjnë në xhennet dhe nuk u bëhet kurrfarrë padrejtësie.” (4:12) “Arsimi është bërë detyrë e shenjtë e çdo muslimani dhe muslimaneje”. (Profeti Muhammed a.s.)

Por, vitet 1250-1900 do të njihen edhe si shekujt e rënies, pasi kjo do të jetë periudha në të cilën grave do t’i hiqen gradualisht të drejtat që Kur’ani, sunneti i Profetit (a.s) si dhe dijetarët të cilët interpretonin këto burime, ia kishin siguruar asaj. Megjithëse shoqëria nuk iu kthye praktikës së tmerrshme para islame të varrosjes së foshnjeve femra, lindja e një vajze në një familje konsiderohej, të paktën, një arsye apo fatkeqësi për t’u pikëlluar. Dhe s’është për t’u habitur! Babai nuk e përgatiste vajzën, veçse për rolin e shërbëtores së njerëzve të shtëpisë. Madje edhe roli i saj si grua apo si nënë përmbushej në mënyrë të pakënaqshme për shkak të nivelit të ulët të arsimimit. Por, nëse në periudhën paraardhëse kemi një nderim të gruas si në familje ashtu edhe në shoqëri duke u bazuar në parimet e larta islame, cilët qenë shkaktarët apo fajtorët të cilët çuan në këtë lloj degradimi gjatë kësaj periudhe? Çfarë shkoi ters? Çfarë ndodhi me gruan e cila vetëturpëroi gjininë e saj, turpërim i cili e tërhoqi atë drejtë një pozicioni dobësie e servilizmi ndaj meshkujve në shekujt e mëvonshëm të Islamit që zgjaten deri në ditët e sotëshme?

Studiuesja e mirënjohur Lois Faruki do të fajësonte fiset mongole por edhe shumë fise të tjera të cilat çuan në përmbysje politike dhe shkaktuan tërë ato pasoja me shtrirje të gjerë kulturore. Lëvizja e këtyre shoqërive fisnore drejt një mjedisi të huaj apo urban çoi instiktivisht në mbrojtjen e grave të veta me kujdes tepër të madh. Zakonet dhe praktikat themelore të krahinave, ku Islami kishte sjellë mesazhin e tij, filluan të rimbrojnë vetveten në kundërshtim me besimin dhe parimet e mësimeve Kur’anore. Gratë u imponuan gradualisht drejt një jete gjithnjë e më të izoluar e të nënshtruar. E sigurisht, duke vënë re një mungesë të parimeve Islame si mund të flasim për arsim, kulturë, karrierë, drejtësi ndaj grave në këtë periudhë e cila në fakt, pavarësisht reformave, vazhdon të jetë kështu edhe në ditët e sotme. Në fund të shek. XIX, filloi periudha e reformave e cila erdhi pjesërisht për shkak të ndikimit të ideve të Iluminizmit dhe Revolucionit Industrial[6]me nevojën e tij për përfshirjen e grave në fuqinë punëtore. Pra, siç mund të kuptohet masivizimi i punësimit të grave ndodhi në këtë periudhë për shkak të ndryshimit të strukturave të punësimit në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Prandaj edhe pjesa më e madhe e reformave të bëra nga myslimanët në këtë periudhë, synoi ndryshimin përmes një rinterpretimi të burimeve origjinale kuranore dhe profetike nën dritën e situatave të reja të shek.XX.

Kontributi i Aishes (r.a.) dhe i besimtareve që i kemi përmendur më sipër mjafton që t’u japim leje për t’u punësuar edhe masivisht femrave myslimane, pasi nëse lejohet kontributi shoqëror për një, dy apo dhjetë femra myslimane, lejohet edhe për më shumë prej tyre, lejohet edhe për të gjitha. Megjithëse, reformatorët e parë në këtë drejtim ishin meshkuj, në fillim të shek.XX ekzistonin shembuj të pjesëmarrjes aktive të grave. Niveli i arsimit u përmirësua dhe ndjekja e të gjitha shkollave (universitare), u bë gjithnjë e më e zakonshme. Ekzistojnë tani gra doktoresha, gjyqtare, artiste, mësuese apo edhe gra biznesmene. Por, ajo që duhet theksuar është se ky integrim i femrës myslimane në shoqëri ndodhi kryesisht në vendet perëndimore. Edhe në botën islame pati përparime në fusha të ndryshme, por ende gratë mbeten pas burrave në statusin dhe mundësitë e tyre. Prapambetja në arsimimin e vajzave është njëri prej faktorëve të rëndësishëm të kësaj mospërputhjeje. Derisa kjo mungesë të mund të plotësohet, të drejtat dhe privilegjet të garantuara për të nga Islami nuk ka gjasa të përmbushen dhe fakti i ekzistencës së tyre madje nuk do të kuptohet.[7]

Megjithë vështirësitë dhe përpjekjet e bëra në karvanin e integrimit të femrës myslimane, një dilemë tjetër që e mban peng të “punëve të shtëpisë” gruan, është zgjedhja mes familjes dhe karrierës. Në Islam familja është forma më madhështore e organizimit të jetesës,[8] ashtu siç edhe njeriu më i mirë është ai që është më i dobishëm për shoqërinë. Por, a duhen parë këto dy fusha të rëndësishme të jetës si mundësi për të zgjedhur ose vetëm njërën ose vetëm tjetrën?!! Familja apo karriera? Edukimi i fëmijëve të saj apo edukimi i fëmijëve të botës? Administrimi i shtëpisë së saj apo administrimi i zyrës së saj? Shtrimi i pyetjeve në këtë mënyrë, duke ia vështirësuar femrës myslimane zgjedhjen, është pengesa kryesore që ndikon në mosintegrimin shoqëror të saj, duke e detyruar atë të kuptojë se e vetmja detyrë që i takon të realizojë është kujdesi për familjen e saj.

Por, unë kam kurajon t’ju largohem pyetjeve të shtruara me këtë lloj tendence dhe do i ftoj edhe motrat e mia myslimane përmes një shembulli të jetuar. Pas mbarimit të namazit të rradhës, në një trajnim në Stamboll ku ishin të pranishëm vëllezër dhe motra nga vende të ndryshme të botës, m’u dha rasti të mbaj një përkujtesë të shkurtër fetare. Duke e falenderuar Zotin që kisha hyrë për herë të parë në Turqi dhe kjo përmes derës më të mirë, derë e cila të përkujtonte Zotin dhe të tregonte rrugën për te Zoti, unë e orientova përkujtesën time me anë të një historie të shkurtër drejt kontributit që duhet të japë secili nga ne në shoqëri. Historia tregonte për një person që lindi me një lindje të zakonshme… dhe profesori që po përkthente nga shqipja në arabisht me të drejtë më pyeti nëse ky person që lindi ishte djalë apo vajzë dhe unë po me të drejtë iu përgjigja se kjo nuk ka aspak rëndësi. Personi si zakonisht mori arsimin në fillore, kreu më pas shkollën e mesme, universitetin si zakonisht… më pas ushtroi profesionin e tij, u fejua, u martua si zakonisht… bëhet me nipër e mbesa dhe si çdo njeriu i vjen vdekja dhe vdes me nje vdekje të zakonshme. Në fund të historisë pyeta pjesëmarrësit se çfarë përshtypjesh ju krijoi historia… -“Thjesht e zakonshme” – u përgjgigj njëri nga profesorët. – “Që do të thotë?”- pyeta përsëri unë. Heshtjen e krijuar si rezultat i meditimit e theu një motër myslimane nga Italia e cila tha që ishte një person që jetoi një jetë të zakonshme pa dashur dhe mundur të linte gjurmët e tij në këtë botë dhe pa e kryer siç duhet rolin e tij/saj si mëkëmbës/e të Zotit në tokë. Pasi e përgëzova me duartrokitje, më vinte t’i përgjigjesha pyetjes së bërë në fillim nga profesori që si dukej ai personi i zakonshëm paska qenë djalë. Ndoshta e tregova shumë në detaje historinë por me këtë mendoj se do ta ndihmoj veten dhe çdo motër myslimane që ta ketë më të lehtë të kapërcej dilemën që parashtrojnë pyetjet e mësipërme.

Në ditët e sotme akoma një numër i madh i vëllezërve myslimanë e justifikojnë fanatizmin e tyre, “përkujdesjen e tyre” ndaj grave të veta me atë që Zoti i ka bërë përgjegjës mbi gratë dhe për sigurimin e jetesës së tyre. Por, a munden këta vëllezër në kushtet e sotme ku jeta është bërë shumë e vështirë dhe e shtrenjtë për tu përballuar; ku kërkesat e fëmijëve sa vijnë e janë gjithmonë e në rritje; ku arsimimi i tyre kërkon një financim gjithmonë e më të madh; a munden këta vëllezër myslimanë ta përballojnë këtë lloj jetese të vetëm pa kontributin financiar edhe të bashkëshortes së tyre? Nga ana tjetër, edhe në qoftë se një shoqëri nuk do t’ia kishte nevojën kontributit financiar të gruas, çfarë do të thoshte për kontriburin e saj intelektual? As për këtë nuk ia ka nevojën femrës?! Por më duhet të ritheksoj edhe një herë që, nëse kjo shoqëri nuk ka nevojë për kontributin e femrave vallë e kupton që vetë femra ka nevojë ta përdor këtë mjet që të ndihet më e realizuar drejt rrugës së saj drejt Zotit?!

Por, le t’i kthehemi edhe njëherë rastit të punësimit të një gruaje nga Umeri. Ai nuk punësoi një numër të madh grashë vetëm sepse ishin gra. Pasi qëllimi i punësimit thjeshtë për këtë arsye do të ishte një fyerje e madhe ndaj figurës së gruas. Prandaj, në kushtet e ndarjes ndërkombëtare të punës dhe specializmit, secila nga ne le ta përcaktoj se çfarë është e aftë të ndërtoj në shoqërinë ku ajo jeton, pra çfarë gjurmësh do t’i mbeten asaj nga kjo botë, që as jeta dhe vdekja e saj të mos jetë “si zakonisht.”

Lind pyetja se kush do të mbajë përgjegjësi për edukimin e fëmijëve kur nëna punon jashtë shtëpisë?! Nga mënyra se si është strukturuar pyetja duket sikur kjo përgjegjësi i takon vetëm nënës. Dijetari bashkëkohor Hamza Jusuf është shprehur se nëse grave ju thuhet që “roli kryesor” në jetën e tyre është të kenë fëmijë dhe të kujdesen për ta, atëherë i kanë gënjyer. Fëmijët janë shtigje për tek Zoti. Pra duhet ta kuptojmë se qëllimi ynë kryesor është kënaqësia e Zotit dhe gjithë mjetet e tjera të shpien tek Ai. Por dy do të ishin zgjidhjet në këtë drejtim duke u mbështetur edhe nga rezultatet e studimeve të fushave sociale dhe fetare. Fillimisht, duam të përmendim faktin se psikologët janë të mendimit që rritja e fëmijës kërkon përkujdesin e të dy prindërve dhe se ky rol nuk mund t’i ngelet vetëm nënës. Pra nëna nuk mundet t’i edukojë e vetme fëmijët dhe babai të qëndrojë me orare të zgjatura larg shtëpisë për të siguruar një jetesë luksoze dhe në fund fare e panevojshme. Që do të thotë se dalja e të dy prindërve në punë nënkupton kthim më herët në familje dhe të ardhura më të favorshme. Problemi i daljes së të dy prindërve jashtë shtëpie është problem i zgjidhur për shkak të institucioneve të cilat e garantojnë këtë, të tilla si kopshtet apo çerdhet. Kjo është një zgjidhje optimale përmes së cilës fëmija aftësohet në procesin e shoqërizimit, pra qëndrimit me fëmijët e tjerë. Edhe pse çdo mundësi jo rrallë herë kthehet në thikë me dy presa, duke llogaritur këtu abuzimin e fëmijëve prej edukatoreve të cilët nuk e bëjnë në të shumtën e rasteve punën me dashuri e pasion por thjeshtë dhe vetëm për interesa ekonomike.

Kështu një zgjidhje e dytë e cila sugjerohet nga studiuesi i mirënjohur islam Ismail Faruku do të ishte edhe familja e zgjeruar me shumë anëtarë apo me më shumë se një kurororë, duke nënkuptuar këtu gjithashtu praninë e gjyshërve, traditë kjo jo vetëm e Shqipërisë por edhe e vendeve arabe. Kështu, vazhdon arsyetimin e tij profesor Ismaili gruaja nëse ka një talent të caktuar në një fushë specifike atëherë ajo mund ta ushtrojë atë në dobi të komunitetit, familjes dhe fëmijëve të saj. Kjo lloj jetese i jep mundësinë anëtarëve të familjes të tregohen besnikë dhe altruistë me njëri-tjetrin, të mposhtin individualizmin dhe egoizmin mbi të cilat është ndërtuar shoqëria e sotme perëndimore ku gjithsecili kërkon gjënë e tij, kënaqësinë e tij, interesat e tij dhe askush nuk kërkon të përshtatet, të sakrifikojë dhe të bashkëpunojë me të tjerët.[9] Mendoj se shumë prej nesh e kanë ndjerë kënaqësinë që të dhuron një familje e tillë, lojërat që kemi luajtur kur ishim të vegjël me kushurinjtë tanë, historitë e bukura të treguara nga gjyshërit, provat e inteligjencës që na bënin xhaxhallarët, durimi, këshillat e mbi të gjitha dashuria e tyre kanë lënë gjurmë të thella në formimin e personalitetit tonë. Rezultati: fëmijë më të edukuar, më altruistë, më të dashur, më punëtorë e më të lumtur.

Dhe në fund e mbyllim me fjalët e dijetarit të mirënjohur Shejkh Abdu Selam Jasin, përulësinë, fuqinë, kurajon, qëndrueshmërinë dhe integritetin e të cilit do ta përkujtonte dhe Tarik Ramadan në një artikull të shkruar për nder të tij. Shejkh Abdu Selam Jasin gjatë gjithë veprimtarisë së tij ka mbrojtur me forcë idenë se asgjë në Islam nuk e pengon gruan nga të qenurit në të njëjtën kohë një krijesë shpirtërore, intelektuale, aktiviste apo një lidere, teksa nga ana tjetër është e mundur t’i qëndrojë besnike predikimeve të fesë së saj.

[1] “Cikël leksionesh “Hyrje në kulturologji” , Cera Edison.
[2] “Gratë, shoqëria muslimane dhe Islami” , Faruki Lois
[3] “Gruaja në Islam” , Turabi Hasan
[4] Po aty
[5] “Gratë shoqëria muslimane dhe Islami” , Faruki Lois
[6] Po aty
[7] Po aty
[8] “Roli i familjes në përhapjen e Islamit”, Faruki Ismail
[9] “Roli i familjes në përhapjen e Islamit”, Faruki Ismail

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.