Mbi ndasitë verior-jugor dhe katundar-qytetar

0

Para disa ditësh teksa lexoja një shkrim mbi dialektin tirons, se si dialekti është pasuri, se si duhet ta ruajmë me fanatizëm e t’a flasim pa ndrojë e turp, paralelisht në mendje më vinin disa shprehje të dëgjuara e lexuara lart e poshtë, si; “Kur zdrypi katunaria n’qytet”. “Kur maloku solli lopën në qytet,” “Tironsit?! Po erdhëm ne që Tirona u bo qytet, Korçar më, s’u pusho goja një sekond’ e shumë e shumë të tjera.

Këto steriotipe njerëzish na kanë shoqëruar përgjatë gjithë formimit tonë. Gjatë gjithë jetës kemi patur prezent ndjenjën sa superiore aq dhe inferiore, sa të vetmbrojtjes aq dhe të sulmit. Ndonëse një shtet i vogël sa një grusht, kurrë nuk u ndalëm në pikat e përbashkëta e të lëvdonim njëri-tjetrin për vlerat që posedojmë. Këto dasi krahinore historikisht kanë qenë prezente. Ndoshta rol ka luajtur dhe sistemi fisnor  i dikurshëm, e më vonë vitet e tranzicionit të kaluara.

Por, folklori dhe historia jonë mijëvjecare ka dëshmuar se toskë dhe gegë jemi më së pari shqiptarë dhe përbëjmë atë të ashtuajturën pasuri kulturore. Fatkeqësisht, edhe pse ndajmë të njëjtat vlera, vazhdimisht kemi drejtuar gishtin drejt disa veseve që dikush i jo krahinës sonë posedonte, apo më keq akoma krijonim imazhe imagjinare dhe negative për tjetrin.

E gjitha kjo, sepse ishim të ndryshëm në 2-3 aspekte. Çuditërisht, njeriu konsideron të mirë e të bukur cdo gjë tijën, dhe atë c’ka është e ndryshme e refuzon dhe e gjykon si të gabuar. Vallë a kemi pyetur veten para se të etiketojmë dikë si katundar, malok, nëse a ka dallim thelbësor midis tyre, veriorit dhe jugorit, katundarit dhe qytetarit?

Po! Ka dallime! Dallime në reliev, dallime gjuhësore si dialekti, dallime në aspektin etnografik si veshjet tradicionale, arti, zakonet,  dallime në gatimin e ushqimeve, dallime në repertorin e muzikës, në veglat muzikore. A janë këto ndryshime mangësi apo prosperitet? Në fakt, këto ndryshime veçse pasurojnë kombin tonë me larmi vlerash dhe ngjyrash. Por kurrsesi, askush nuk është më i mirë se tjetri në bazë të krahinës, apo më pak akoma në bazë te dialektit.

Të bësh dallime midis krahinave është sa e ulët aq dhe mosrespektuese. Është e pabazë vlerësimi i dikujt nga prejardhja, apo mbi një aset të cilin nuk e ka në dorë ai. Për fatin tonë të keq, ky mentalitet paragjykues mbi prejardhen e gjithkujt vazhdon akoma të jetë i pranishëm në vendin tonë. Madje, sot e kësaj dite me qëllim keqadashës shpërndahet akoma poezia e Fan Nolit në të cilën shqiptarin në Kukës e quan bujar e shqiptarin e Pukës budallë dhe hajdut.

Me siguri askush nga ata që e shpërndajnë as nuk e dinë arsyen pse Noli ka shkruar ato vargje, por mjafton aq, që ne të lavdërojmë vetveten e të ulim tjetrin. A janë këto ndasi objektive? Të gjitha krahinat kanë shqiptare me virtyte apo vese, punëtor apo dembelë, të ligë apo zemërmirë, mashtrues apo të drejtë.

Njeriun nuk e bën vendi, por morali i përcjellë qoftë nga familja, qoftë idealet individuale të çdokujt. Askush nuk zgjedh dot ku të lindë, sa i gjatë, sa i bukur. Por çdokush ka në dorë të formojë individin e së ardhmes, qytetarin e mirë, njeriun e vlerave, larg veseve, të mbjellë respekt dhe edukatë kudo që shkel. Dialekti verior nuk është  më i trashë se ai jugor, rrjedhimisht as jugori nuk është më i zgjuar se veriori; as veriori nuk është më i aftë se shqiptari i Shqipërisë së mesme.

Trashësia dhe aftësia nuk matet me fonetikën, por matet me nivelin e inteligjencës së çdokujt, me qytetarinë, arsimimin.

Dhe nëse një ditë ju pyesin mbi dallimin verior – jugor thojini pa ndrojë: Të zgjedhësh midis këtyre dy krahinave është sikur të vesh në peshore Lasgush Poradecin dhe Ndre Mjedën, vëllezërit Frashëri dhe Migjenin.

*Shkrimi eshte publikuar per here te pare ne portalin TESHESHI.COM, gusht 2016

Brunilda Basha

Autorja është Arkitekte dhe studion doktoraturë në Stamboll, Turqi. Është e specializuar në Restaurimin dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Arkitekturore.
Brunilda Basha

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.